Ftesën e presidentit Donald Trump për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, kryeministri Edi Rama e deshifron si "një ftesë përtej protokolleve zyrtare dhe me një domethënie shumë të fortë politike, po edhe historike sipas meje për Shqipërinë". 

"Realisht, që ishte një ftesë e mirëseardhur. Por, edhe pse nuk e dyshoja që do kishte zhurmë dhe përpjekje për të bërë tollovi, nuk e mendoja që fantazitë dhe ligësia do të bashkoheshin për t'i dhënë jetë disa teorive dhe përrallave, që duhet të jesh vërtetë rëndë për të mos thënë ndonjë fjalë drejtpërdrejt të saktë, por jo të përshtatshme për këtë podkast që të arrish deri në pikat ku u arrit. Gjithsesi, ftesa u mirëprit, u pranua, u ratifikua edhe në formën e një projektmarrëveshje, projektligji, në Kuvendin e Shqipërisë dhe Shqipëria si një shtet që ka zgjedhur paqen si busullën e vet të përhershme dhe që ka ditur të kontribuojë në tryeza të rëndësishme ndërkombëtare e pranoi me një PO të fortë, - edhe me votat e atyre, që deri në momentin që votuan, nuk lanë gjë pa thënë, por kjo është një temë krejt tjetër, - përkatësinë në këtë në këtë bord",- tha Rama. 

Në podkastin e tij "Flasim", kreu i ekzekutivit përkujtoi edhe masakrën e 21 Janarit të vitit 2011, kur 4 burra u vranë nga armët e shtetit teksa protestonin kundër Sali Berishës, por larg perimetrit të sigurisë së Kryeministrisë. Në 15-vjetorin e këtij krimi shtetëror, Rama i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të kryejë me rigorozitet dhe në mënyrë shteruese punën hetimore, me qëllim vënien e përgjegjësve të masakrës para drejtësisë penale.

"Kjo ishte edhe java e trishtë e 21 janarit, 15 vite pas krimit shtetëror, vrasjes së katër burrave të pafajshëm protestues, tërësisht paqësor, me pushkët e shtetit në bulevard dhe përsëri 21 janari erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë. Kjo mbeti një plagë e hapur, jo thjesht për familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, por kjo mbeti një plagë e hapur për moralin e drejtësisë në Shqipëri dhe për themelet e drejtësisë së shtetit shqiptar. Ne përsëri u mblodhëm dhe e bëmë ritin e nderimit në kujtim të katër Dëshmorëve të Atdheut në praninë e familjarëve të tyre, të cilët presin, presin, presin drejtësi. Dhe 21 janari është në llojin e atyre krimeve që unë i kam thënë qysh krye të herës: Janë krime shtetërore për të cilat drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron. Krimet shtetërore duan kohë të zbardhën, por koha nuk i zhbën dot nga kujtesa. dhe nga tryeza e njerëzve të drejtësisë. Uroj, shpresoj që SPAK-u, i cili prej gjashtë vjetësh ka marrë jetë dhe gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur gjatë gjithë kohës inkurajimet më të sinqerta për të shkuar përpara, për të luftuar për të vendosur drejtësinë përfundimisht në binarët e rinj të barazisë para ligjit për të gjithë, - të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim, që është një njollë për drejtësinë shqiptare dhe nuk duhet lejuar që të bëhet njollë, sepse do të jetë e pashlyshme, për vetë SPAK",- tha Rama.