Fishekzjarrë në minutën e dhjetë, lot që në autobus, shfaqje dritash me dronë dhe një fanellë 30 metra e gjatë e Messit me numrin 10 ku shkruhej ‘faleminderit’. Këto ishin vetëm disa nga detajet e ‘tangos së fundit’ të legjendës argjentinase me kombëtaren.

Për më tepër Lionel Messi arriti të realizonte një gol dhe të jepte dy asiste në fitoren 3-0 kundër Beninit. Ndeshja miqësore ishte organizuar vetëm për të nderuar numrin 10, i cili mbyll një karrierë të lavdishme pas 21 vitesh me kombëtaren. Emocionet përfshinë të gjithë admiruesit e tij në stadiumin ‘El Monumental’ të Buenos Ajros, teksa lotët nuk i mbajtën tifozët, lojtarët e tjerë të Argjentinës dhe vetë Lionel Messi.

39-vjeçari pas ndeshjes mori mikrofonin dhe foli fjalët e fundit si kapiten i ‘albicelestëve’.

“E vërteta është se po flas më shumë se kurrë. Gjëja e parë që më vjen në mendje është babi im, i cili e dëshironte shumë këtë moment dhe është burim krenarie për mua. Do të doja të qëndroja gjithmonë me Argjentinën, por nuk është e mundur. Nuk jam dorëzuar kurrë për këtë fanellë dhe kam luftuar pafund. Jam falënderues dhe krenar që jam argjentinas,"-u shpreh Messi.

Lionel Messi debutoi me kombëtaren argjentinase që në vitin 2005 dhe që prej atij momenti ka luajtur 208 ndeshje me ‘albicelestët’, duke realizuar 126 gola. Rekord absolut që vështirë se do thyhet. Ndërkohë gjatë gjithë kësaj periudhe Messi arriti të fitonte me kombëtaren disa Kupa të Amerikës, Finalisiman dhe mbi të gjitha Botërorin 2022, duke vendosur atë përkrah Maradonës. Madje shumë thonë se ai është lojtari më i mirë që historia e futbollit ka patur. Me dorëheqjen nga kombëtarja Messi do të vijojë të luajë me ekipin e tij në Amerikë Inter Miami.