Fundjava në pikën e përbashkët kufitare Shqipëri–Kosovë është shoqëruar me një fluks të lartë hyrjesh dhe daljesh të qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë Kufitare dhe Migracionit në Kukës, vetëm në orët e para të së shtunës dhe të dielës, përmes doganës së Morinës kanë hyrë në Shqipëri 10.541 qytetarë të Kosovës.
Ndërkohë, përmes Vërmicës, nga pala kosovare, kanë dalë drejt Kosovës 10.890 qytetarë të Shqipërisë. Shifrat tregojnë një lëvizje pothuajse të balancuar të qytetarëve drejt pikave turistike në të dy vendet.
Ky fluks lidhet kryesisht me motin e ngrohtë që po mbizotëron në Shqipëri dhe Kosovë, pavarësisht se ndodhemi ende në stinën e dimrit dhe në muajin e Ramazanit.
Ndërkohë, Policia Kufitare e Kosovës ka njoftuar se duke filluar nga e hëna, 2 mars, pushon së funksionuari përkohësisht lëvizja e lirë pa kontrolle për shtetasit e Shqipërisë dhe Kosovës që hyjnë e dalin në të dy vendet me automjete me targa shqiptare dhe kosovare.
Për një periudhë dy mujore, në pikat kufitare do të kryhet përpunimi i të dhënave të drejtuesve të automjeteve dhe udhëtarëve, duke zbatuar procedurën e përshpejtuar në rast fluksi të madh, me qëllim shmangien e radhëve dhe pritjeve të gjata.
Megjithatë, gjatë fundjavave dhe festave zyrtare, lëvizja do të vijojë të jetë e lirë, pa kontrolle për automjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës.
Pika kufitare e përbashkët Shqipëri–Kosovë mbetet ajo që përpunon numrin më të madh të mjeteve dhe udhëtarëve që hyjnë dhe dalin në të dyja anët e kufirit, duke konfirmuar rëndësinë e saj si nyja kryesore e qarkullimit mes dy vendeve.
Komente








