ITALI- Policia Italiane ka arrestuar shefin e tifozëve të Milanit, atë të rojeve të sigurisë së Interit për trafik droge, ndërsa është sekuestruar edhe 250 kg kanabis në një kamion,që sipas mediave të vendit fqinj kishte ardhur nga Shqipëria.
Nga 23 persona të përfshirë, nga operacioni u arrestuan 15 persona, 2 janë në kërkim, 4 ndodhen jashtë Italisë, ndërsa 2 janë në paraburgim. Shefi i tifozëve të Milanit, Luca Luçi, sipas të dhënave nga policia italiane furnizohej me drogë nga një bandë shqiptarësh. 37-vjeçari përdorte selinë e shoqatës “Il Clan” si bazë për trafikun dhe destinacionin e ngarkesave të drogës.
Ai është person me precedent penal, pasi është dënuar më parë për incidentet në derbin e Milanos. Por pavarësisht asaj që dukej, urrejtjes në stadium, me shefin e sigurisë së Interit i bashkonte tregtia e drogës me shqiptarët.
Rolet e dy shefave të tifozërive
Luca Luçi ishte personi që kishte lidhje me shqiptarët, ndërsa shefi i rojeve të sigurisë së Interit Massimo Mandelli koordinonte lidhjet me shpërndarësit në Milano. Për 2 vite, 140 persona janë mbajtur në vëzhgim dhe filmuar, duke zbuluar se si dy drejtuesit e tifozërisë së ekipeve armike të Milanos bashkëpunonin me shqiptarët për furnizimin me drogë të tifozëve.
Mes të arrestuarve ka edhe shqiptarë, ndërsa gjatë operacionit policia sekuestroi edhe 250 kg kanabis, ndërsa hetimet për bandën kishin nisur që në vitin 2016. Në 2 vitet e fundit janë bllokuar rreth 600 kg kanabis, por edhe kokainë e ardhur nga Spanja dhe Amerika e Jugut.
Përgjegjësi i asistentëve
Në pranga ka përfunduar edhe Massimo Mannelli, që ishte përgjegjës i asistentëve të Interit. Luçi ka disa precedent për krime që lidhen me sportin dhe është dënuar edhe për sulmin ndaj Virgilio Motta-s, tifozi interist që humbi njerin sy gjatë derbit Milan-Inter të 15 shkurtit 2009 në stadiumin Meazza, si pasojë e një grushti nga Luçi. Operacioni ka nisur në mars 2016, pas arrestimit të Davide Palizza,i cili atëherë nuk ishte i dënuar.
Agjentët e kapën me një gjysmë kilogram marihuanë dhe shumë aparatë celularë. Nga ata telefonë, ata arritën të krijojnë gjithë skemën e grupit. Në krye të të cilit, sipas hetimeve, doli Luca Boscherino, 33-vjeçar, me precedent penalë. Gjatë hetimeve u përgjuan 140 numra telefonash dhe u sekuestruan në total 600 kg marihuanë, hashash dhe kokainë.