Vendimet e bujshme për krimet më të rënda njerëzore dhe ekonomike, me protagonistë njerëz të veshur me pushtet, do të kalojnë në sitën e ndërkombëtarëve. Ekspertët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të vlerësimit profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë të drejtë të hetojnë pesë vendime të rëndësishme për secilin gjyqtar, të firmosura gjatë 11 viteve të fundit, konkretisht që nga viti 2006.
Afati përfshin vendimet e të gjitha shkallëve të gjyqësorit. Konkretisht, pika 3 e nenit 41 të ligjit të Vetingut, parashikon që periudha e vlerësimit për aftësitë profesionale, do të jetë 3 vitet e fundit të ushtrimit të detyrës, por pika 4 e po këtij neni, shton se vlerësimi i aftësive profesionale mund të shtrihet nga 1 janari 2006 e në vazhdim, gjithnjë nëse vëzhguesi ndërkombëtar i çmon si të domosdoshme këto informacione për procesin e rivlerësimit.
Unioni i Gjyqtarëve e kundërshtoi fort pikën katër, me argumentin se binte ndesh me ligjin e vitit 2008, për organizmin e pushtetit gjyqësor”, sipas të cilit nuk mund të hetohet për një shkelje disiplinore të një gjyqtari nëse kanë kaluar 5 vjet nga data e kryerjes të saj. Por, Gjykata Kushtetuese nuk e mori në konsideratë këtë pretendim. Nga ana tjetër, ligji i përmendur nga gjyqtarët tashmë është shfuqizuar.
Shkarkimi
Do të shkarkohen nga detyra të gjithë ata gjyqtarë, të cilët në vendimet e tyre më të rëndësishme, kanë treguar cilësi të papranueshme në punë, gjykim të dobët, nuk kanë respektuar normalisht të drejtat e palëve ose viktimave, nuk kanë qenë efektivë, në atë shkallë sa programi i trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës nuk mund ta zgjidhë këtë çështje për një vit. Ky vlerësim negativ do të reflektohet në relacionin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Propozimin për shkarkimin mund ta bëjnë edhe prokurorët dhe gjyqtarët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. SHBA-BE, në disa raporte për zhvillimet në Shqipëri, kanë kërkuar drejtësi për vrasjet e 21 Janarit, tragjedinë e Gërdecit dhe dosjet e rënda të korrupsionit, përfshirë Durrës-Kukësin, duke mos u pajtuar me vendimet e gjykatave. Tashmë, SHBA-BE, me anë të ekspertëve të tyre, kanë mundësi të hetojnë ligjshmërinë e këtyre vendimeve, duke propozuar edhe largimin nga sistemi të gjyqtarëve përkatës.
Pjesëmarrja e të prekurve
Familjarët e viktimave të Gërdecit dhe 21 Janarit, sipas nenit 53 të ligjit të Vetingut, do të ftohen dhe kanë të drejtë të dëshmojnë për shkeljet, të paraqesin pakte dhe rrethana pranë institucioneve të vlerësimit, kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por, informacioni duhet të përmbajë përshkrimin e të dhënave për të vlerësuar shkeljen ligjore, sipas kritereve të rivlerësimit, veçanërisht për veprimin ose praktikën e dyshuar, pasojat ligjore, rrethanat për faktet që krijojnë bindjen se ka pasur shkelje ligjore, si dhe të dhënat mbi identitetin e personit. Komisioni dhe Kolegji i Apelimit do të publikojnë një model denoncimi, me qëllim lehtësimin e paraqitjes së informacionit nga publiku. Personat që do të dëshmojnë kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve mbrohen automatikisht sipas standardeve të parashikuara në ligjin “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.
Gjyqtarët e 21 Janarit
Ervin Metalla
Agim Bendo
Evjeni Sinomeri
Besnik Hoxha
Astrit Haxhialushi
Edmond Islamaj, Gjykata e Lartë
Artan Zeneli, Gjykata e Lartë
Aleksandër Muskaj, Gjykata e Lartë
Guxim Zenelaj, Gjykata e Lartë
Shkëlzen Selimi, Gjykata e Lartë
Gjyqtarët e Gërdecit
Ritvan Hado
Fatmira Hajdari
Shefkie Demiraj
Tom Ndreca, Gjykata e Lartë
Admir Thanza, Gjykata e Lartë
Shkëlzen Selimi, Gjykata e Lartë
Medi Bici, Gjykata e Lartë
Ardian Nuni, Gjykata e Lartë
Procedura për vlerësimin e aftësisë profesionale
1. Procedura e vlerësimit kryhet në përputhje me legjislacionin që rregullon statusin e gjyqtarëve ose prokurorëve, për aq sa është i zbatueshëm.
2. Organi përkatës i vlerësimit të aftësive profesionale rishikon dokumentet ligjore të përpiluara nga subjekti i rivlerësimit gjatë periudhës objekt i rivlerësimit. Organi, në përfundim të shqyrtimit të dokumenteve ligjore të përzgjedhura nga vetë subjekti i rivlerësimit, sipas shtojcës 4, si dhe të 5 dokumenteve të tjera ligjore, të përzgjedhura sipas një sistemi objektiv dhe rastësor, përgatit një raport të hollësishëm dhe të arsyetuar. Ky raport i paraqitet Komisionit, menjëherë, por jo më vonë se 90 ditë nga dita e depozitimit të formularit të vetëvlerësimit profesional.
3. Subjekti i rivlerësimit dhe organet përkatëse garantojnë pajisjen e institucioneve të rivlerësimit me dokumentet e nevojshme. Nëse institucionet e rivlerësimit nuk marrin
dokumentet e kërkuara, relatori i jep një afat prej 5 ditësh subjektit të rivlerësimit ose organit përkatës, për të plotësuar kërkesën. Në rastin e mosbashkëpunimit, subjektit të rivlerësimit i jepet vlerësim “i papërshtatshëm”, kurse organi përkatës mban përgjegjësi sipas nenit 50, pika 6, të këtij ligji.
4. Nëse relatori vihet në dijeni nga shtetasit/publiku ose burime të tjera në përputhje me
nenin 49, të këtij ligji, mbi fakte të besueshme për punën e subjektit të rivlerësimit, ai mund të vazhdojë procesin e rivlerësimit të aftësive profesionale.
5. Në raste të veçanta, kur informacioni është i ndërlikuar ose i vështirë për t’u marrë,
relatori mund të kërkojë nga Komisioni zgjatje të afatit të rivlerësimit.
6. Relatori përgatit relacionin për vlerësimin e aftësive profesionale mbështetur në raportin e inspektorëve, informacionin e marrë nga burime të tjera, si dhe në kriteret e vlerësimit, të parashikuara në legjislacionin që rregullon statusin e gjyqtarëve ose prokurorëve dhe akteve e tjera ligjore.
dy.b/shqiptarja.com