Gjatë muajit prill të ardhurat në buxhet llogariten në vlerën 106.6 miliardë lekë, ndërkohë që ishin planifikuar 108.1 miliardë lekë. Me rënie të ndjeshme vijon të rezultojë Tatimi i Vlerës së Shtuar, me 3.6 miliardë lekë më pak se planifikimi dhe të ardhurat nga akciza me 1.6 miliard lekë më pak.
Realizimi i të ardhurave nga administrata doganore, sipas këtyre statistikave, llogaritet në 11.2 miliardë lekë, nga 11.4 miliardë lekë që ishte planifikimi, ose 229 milionë lekë më pak. Ndërsa, të ardhurat nga administrata tatimore llogariten 12.2 miliardë lekë, nga 12.3 miliardë lekë që ishte planifikimi në fillim të vitit.
Duke krahasuar këto statistika me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rezulton se të ardhurat e mbledhura nga institucionet fiskale janë rreth 1 miliardë lekë më pak. Kjo shifër është më se shtatë milionë euro më e ulët, e konvertuar në valutë të huaj.
Vështirësitë që po kalon ekonomia e vendit, që duken në rënien e investimeve, por edhe të xhiros nga ana e biznesit, kanë dhënë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në të ardhurat e buxhetit të shtetit.
SHPENZIMET
Megjithatë, vërehet se janë rritur shpenzimet korrente gjatë kësaj periudhe, kur ishin planifikuar 103.6 miliardë lekë, ndërkohë që janë shpenzuar 104.9 miliardë lekë. Me rritje mbi planifikimin rezultojnë edhe shpenzimet kapitale, ku nga 21.7 miliardë lekë qe ishte planifikimi janë shpenzuar 25.8 miliardë lekë.
INVESTIMET
Në fakt, në të gjithë vendin janë rigjallëruar projekte të harruara, si dhe janë bërë pagesa për të mbyllur punimet në objektet e nisura një vit më parë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, shpenzimet arritën në vlerën 129.4 miliardë lekë, gjë që solli një deficit buxhetor në mbi 22.7 miliardë lekë.
Performanca jo e mirë në realizimin e të ardhurave, e ka shoqëruar administratën fiskale gjatë gjithë vitit të kaluar. Në programimin vjetor të buxhetit të ardhurat janë llogaritur të jenë në vlerën 360.6 miliardë lekë, shpenzimet në 409.5 miliardë lekë dhe deficiti në vlerën 48.9 miliardë lekë.
SHIFRAT
Ajo që tingëllon absurde në këtë mes është se INSTAT-i vijon, edhe në këto kushte, të raportojë rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke vënë në dyshim, ose aftësinë e organeve të Financave që të mbledhin detyrimet, ose, nga ana tjetër, saktësinë e raportimeve të statistikave zyrtare lidhur me PBB-në.
Shkrimi u botu sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.05.2.013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)