FUSHE KRUJE- 17 vajza dhe gra, punëtore në një fabrikë këpucësh në fshatin Budull janë dërguar me urgjencë mëngjesin e sotëm në spital për ndihmë mjekësore, pasi janë helmuar.
 
Vajzat janë helmuar në fasoneri gjatë punës, ndërsa po marrin ndihmë dhe janë jashtë rrezikut, sipas mjekëve.
 
Vajzat kishin vështirësi në frymëmarrje, marrje mendsh dhe të vjella gjatë punës, ndërsa shkak dyshohet se kanë qenë lëndët kimike si ngjitës të ndryshëm, që përdoren në industrinë fasone.
 
Ndërkohë që një ekip specialistësh nga Tirana pritet që të përcaktojë shkaqet e helmimit të vajzave dhe grave që punonin në fasoneri.
 
Në fabrikë janë mbi 200 punonjëse, por të tjerat përveç 17 vajzave që u paraqitën në spital nuk kanë probleme. 

Mjeku: Gjendja e vajzave është e mirë
Në një prononcim për Report Tv, mjeku Kastriot Mustafa u shpreh se gjendja e vajzave është e mirë, ndërsa priten rezultatet për të mësuar shkaqet nga se ka ardhur helmimi.
 
“Deri tani janë paraqitur 8 raste ku shfaqën gjendje të fikëti, mpirjen të duarve dhe trupit. Arsyen as vajzat nuk dinë ta shpjegojnë.
 
Bëhet fjalë për një ndërmarrje këpucësh ku vajzat kanë referuar dhe kanë shfaqur këto shenjat që thamë. Pacientet janë paraqitur me gjendje të qëndrueshme.
 
I gjithë personali ka qenë në gatishmëri dhe ju është dhënë ndihma e parë. Presim rezultat e analizave për të përcaktuar shkaqet e helmimit. Aktualisht gjendja e vajzave është e mirë
” tha mjeku.

Helmimi, bllokohet fabrika e këpucëve
Ndërsa prokuroria e rrethit Krujë dhe komisariati i policisë së këtij rrethi kanë shkuar me urgjencë në vendngjarje duke bërë bllokimin e fabrikës dhe fillimin e hetimeve për këtë cështje.
 
Po ashtu në të njëjtën kohë është njoftuar dhe drejtoria e Shëndetit Publik në Krujë e cila nga ana e saj ka njoftuar për kompetence institutin e Shëndetit Publik Tiranë për të nxjerrë shkakun ekzakt të helmimit të punonjëseve.