Nuk ka ende një njoftim zyrtar, por mediat rumune bëjnë të ditur se UEFA ka nisur hetimet për ndeshjen e Luftëtarit ndaj Ventspils, bashkë me dy sfida të tjera të cilat janë sinjalizuar nga kompanitë e basteve në botë si të dyshimta.

 “Fanatik.ro” ka bërë të ditur se ndeshjet e turit të dytë në Ligën e Europës që kanë tërhequr vëmendjen e organizatës ndërkombëtare janë duelet Rio Ave Jagellonia, si dhe Atalanta-Sarajevo, ndërsa në turin e parë po hetoheshin duelet mes Luftëtarit dhe Ventspils. Sfida e parë e skuadrës shqiptare përfundoi me fitoren 5-0 të letonezëve në fushën e tyre ku masakruan gjirokastritët që në pjesën e parë të ndeshjes.

Ndërkohë, në ndeshjen e kthimit, ekipi gjirokastrit barazoi 3-3 por u përball me akuza të shumta nga çdo vend i botës për manipulim të rezultatit për shkak të luhatjes së çuditshme të koeficienteve si dhe të sjelljes së futbollistëve në fushë, sidomos në momentin e golit të barazimit 3-3.