Tingujt e fyellit kanë qenë për shekuj një gjuhë komunikimi mes njeriut dhe natyrës, melodi që ka shoqëruar jetën e barinjve, ka përcjellë mall, dashuri e thirrje për ndihmë, duke u kthyer në një prej simboleve më të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale. Frymëzuar nga tradita, kjo pasuri vjen në formë bashkëkohore përmes instalacionit artistik “Tingujt që Flasin”, vendosur në oborrin e Ministrisë së Kulturës.
Instalacioni i krijuar nga artisti Ergys Krisiko është një fyell monumental, rreth pesë metra i lartë, i punuar në inoks pasqyrë, që shoqërohet me tinguj autentikë të interpretuar nga grupi që vijon ta mbajë gjallë këtë traditë "Fyejt e Gramshit".
“Fillon nga një gjenezë, nga një emocion më i thjeshtë, më primitiv, ku barinjtë, njerëzit e thjeshtë, në nevojën për të komunikuar me natyrën filluan të përkthenin fishkëllimën, meloditë e ajrit që përplasej në lugina, që përplasej në gryka malesh, në tinguj, si sens komunikimi. Është një sens i bukur se si njeriu përpiqet me mjete shumë të thjeshta të komunikojë me natyrën dhe të mos ndjehet vetmitar. Fyelli në vetvete është një instrument shumë i thjeshtë, por me kaq shumë tinguj dhe kaq shumë harmoni. Tingujt sigurisht janë marrë nga grupi i Gramshit dhe nuk janë përpunuar, janë siç janë marrë nga ata dhe është një situatë që të prezanton këtë instrument më së miri.”, thotë për “Report TV” artisti Ergys Krisiko.
“Historia e Tanës është një histori dashurie e një çobani me Tanën, vajzën e një pasaniku, i cili mesazhet e dashurisë së tij për Tanën i përcillte përmes fyellit dhe madje dhe kur e lidhën në një stan hajdutët, ai çoi mesazh vetëm me fyell. Pra ai vetëm i ra fyellit dhe Tana e kuptoi, thirri gjithë fshatin. Është një mënyrë që muzika përcjell lloj-lloj mesazhesh, që nga mesazhet e dashurisë, të ndihmës, të sakrificës e të tjera. E sollëm këtu sepse është një ‘masterpiece’ e trashëgimisë sonë”, thotë drejtuesja e DMO Albania, Eva Kushova.
Përmes tingujve origjinalë, instalacioni fton vizitorët të bëhen pjesë e historisë së fyellit dhe të njohin një traditë që vazhdon të ruhet edhe sot nga mjeshtrit e Gramshit.
“Brenda ka edhe një audio të përkohshme, e cila është kryesisht me bateri sepse kështu është dhe mjedisi këtu. Shpresojmë që kushdo që viziton dhe vjen në këtë zonë ta shohë. Ka dhe një QR kod që të çon tek historia.”, vijon Kushova.
Instalacioni është projekti i 14-të i prezantuar si një prej fituesve të granteve të projektit "Heritage is Our Brand", të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga DMO Albania dhe EU Policy Hub. Projekti i 15-të dhe i fundit i këtij programi, do të jetë një novelë grafike me legjenda dhe përralla të sjella për fëmijë do të prezantohet në shtator.
Komente









