Gabimi i Eqrem Çabejt për
prejardhjen e shqipes

Gabimi i Eqrem Çabejt për<br />prejardhjen e shqipes
TIRANE - Në një bisedë me Arsim Spahiun, doktor në histori i Universitetit të Franche-Compté-së (Francë), mësojmë të dhëna të reja historike për pellazgët dhe ilirët e parë. Duke iu referuar studimeve më të fundit të bëra në Francë, Spahiu del në konkluzionin se pellazgët dhe ilirët e parë, para se të arrinin grekët në Ballkan, kanë marrë rrugën e shtegtimit nga Evropa Qendrore deri në Mesdhe. I vjen keq që e gjithë kjo histori mijëvjeçare “iu është atribuuar grekëve nga autorë modernë grekë dhe jo grekë”. Ndaj në disa çështje fajëson për këtë edhe gjuhëtarin e shquar Eqrem Çabejin që “nuk i ka hapur rrugë” studimit të pellazgjishtes.

Arsim, ju jeni pjesë e fisit Spahiu. Mund të na flisni pak për këtë fis të madh, mjaft të dëgjuar në Shqipërinë e Veriut?
-Të parët e mi, Spahijtë e Kolesjanit (Lumë) janë dalluar në luftërat kundër turqve dhe serbëve. Kullat tona janë djegur katër herë nga turqit e nga serbët dhe një herë nga zogistët. Baba Lam, Salih Spahiu (gjyshi im), Xhafer Spahiu, etj., kanë dhënë kontribut të vyer edhe në çlirimin e Shkupit. Përveç kësaj, të dhënë pas arsimit ata kanë kryer shkolla në vend dhe jashtë. Në vitin 1911, ata hapën shkollën e parë shqipe në qarkun e Kukësit, ku mësues i parë qe Rizah Spahiu…. Enver Spahiu, babai im, i formuar si intelektual në Perëndim, nuk mund të pajtohej me regjimin komunist. Ai e kuptonte ndryshe atdheun. Pinjoll i një familje atdhetare, ai aspironte për ribashkimin e të gjitha tokave irredente shqiptare me atdheun mëmë.

Kush jeni ju, Arsim Spahiu?
-Unë kam hapur sytë për herë të parë në Prizren, më 1942. Pasi kreva gjimnazin në Kukës, në vitin 1942, më doli e drejta e studimit në degën e fizikës pranë USHT-së, por në janar të vitit 1962 internohemi familjarisht. Atje kemi ngrysur 29 vite të pafund. Gjatë atyre viteve disa herë na është krijuar përshtypja sikur gjendja politike po zbutej. Për këtë arsye, për të njohur më mirë vetveten, brenda dy dhjetëvjeçarëve jam paraqitur në katër seksione të përkthimeve të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” për të bërë provim. Në të katër seksionet e ndërmarrjes kam bërë provim dhe jam pranuar në vend për t’u punësuar; të katër herët, pasi i kam vënë në dijeni ata të ndërmarrjes se banoj në Gradishtë të Lushnjës,  më kanë thënë se do të më kërkonin më lart, madje Zonja Fatime Afezolli, pasi mori vesh përfundimin e përkthimit nga shqipja në italisht, më premtoi se do të më kërkonin në Komitetin Qendror, sepse nuk kishin përkthyes të atij niveli.

Tekefundit, nga të katër rastet, vetëm për njërin syresh mora vesh diçka pas disa dhjetëvjeçarësh: këtu e nja tre vite të shkuara, Zoti Aristidh Ristani më thotë në Paris se kishte shoqëruar drejtorin e Shtëpinë Botuese te sekretari i Komitetit të Partisë së Lushnjës për të më kërkuar si përkthyes të letërsisë artistike nga gjuhët e huaja në shqip. Po ç’përgjigje kishin marrë pa: “I kujt na qenka ai talent? i Enver Spahiut? I ati i tij ka qenë në shërbim të imperialistëve amerikanë, anglezë… Po i riu si quhet? Arsim Spahiu? Edhe ai ka qenë në shërbim të imperialistëve gjermanë, italianë…”. Kjo ishte një përgjigje standarde sigurisht, e regjistruar më parë: sekretari I, as na kishte parë, as dëgjuar ndonjëherë, as babanë as mua. Kulmi, përgjigjet  e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” unë i kam marrë në Degën e Punëve të Brendshme. Të katër përgjigjet dalin në një qafë: “kur të zbardhet mjekra e të të zbresë deri në brez merru me përkthime; tani je i ri.

Të parët tuaj janë të  njohur për besë e burrëri; ne e dimë se, po të hedhësh firmën këtu, nuk na e dredh. Këto vite që ke para, mund t’i kalosh jashtë shtetit”. Unë kisha parashikuar me kohë se do të më vinin para kësaj alternative, ndaj përgjigjen s’e vonova: “Unë di të bëj vetëm përkthime dhe kanale. Unë kam dhe një problem mjekësor: çfarë them ditën, e përsëris me zë edhe natën”. Me kaq, m’u hoqën qafet, por më lanë që të mbaroja kanalet e Myzeqesë. E pra, ato kanale u mbaruan kur emigruam. Më 1991, me ndihmën e xhaxhait dhe të djemve të tij, imigruam në Francë. Atje, krahas punës së përditshme kreva studimet e larta me korrespondencë në Universitetin e Franche-Comté-së. Pastaj mora diplomat e masterit në histori (maîtrise-ën e DEA-në) dhe, në fund, pasi mbrojta tezën me titull “Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e Vjetër”, arrita gradën e doktorit në histori të Universitetit të Franche-Comté-së.
 
Nga Franca keni botuar në Shqipëri disa vepra studimore? Pse jeni përqendruar pikërisht me pellazgët dhe me ilirët?
- Së pari, pellazgët dhe ilirët e parë që, para arritjes së grekëve në Ballkan, kanë marrë rrugën e shtegtimit nga Evropa Qendrore deri në Mesdhe. E gjithë ajo histori mijëvjeçare u është atribuar grekëve nga autorë modernë grekë dhe jo grekë. E dyta, pellazgët dhe ilirët lidhen ngushtë edhe me historinë e lashtë të Greqisë së mirëfilltë. Në ato shekuj të tërë, roli i iliro-shqiptarëve në Greqi është shumë i madh. E treta, pellazgët dhe ilirët paragrekë lidhen me problemet çame dhe me shqiptarët e Maqedonisë; ato lidhen ngushtë me mitologjinë dhe fenë pellazgo-ilire, me orakullin e Dodonës, me emrin Maqedoni, me princeshën “helenofobe” Olimbi, me etnicitetin e Lekës së Madh dhe të Mbretit Pirro etj. etj. që, u janë atribuuar gjithashtu grekëve. Të gjitha shkrimet e mia kanë një emërues të përbashkët: bashkimin kombëtar shqiptar.

Ҫ’mendim keni për qëndrimin e Eqerem Ҫabejt ndaj çështjes pellazgjike?
-Profesor Ҫabej, ky gjuhëtar i madh, nuk e përmend pellazgjishten në studimet e veta etimologjike. Për më tepër, ky parashtron se shqipja e sotme vjen nga shqipja e vjetër, pa identifikuar popullin që e ka folur atë gjuhë (“shqiptarët e vjetër”? Tashmë dihet se ai është luhatur mes teorive të përkundërta të prejardhjes ilire ose trake të shqipes, ose për sintezën e ilirishtes dhe të trakishtes, ose për mbulimin e shtresës gjuhësore trakisht me një shtresë gjuhësore të ilirishtes. Për mendimin tim, shqipja është me prejardhje protohistorike; ajo nuk përbën gjuhë të atyre shekujve në trajtën e “shqipes së vjetër”. Ndoshta do të ishte më mirë sikur Prof. Ҫabej të kishte pranuar qoftë dhe konvencionalisht vijimësinë pellazgjisht-ilirisht-shqip.

Në këtë mënyrë, ky gjuhëtar i madh, shumë i vlerësuar nga gjuhëtarët më të mëdhenj, nuk do të largonte interesimin e gjuhëtarëve amerikanë nga pellazgjishtja, ilirishtja dhe shqipja të marra së bashku, sepse veç e veç japin pak të dhëna për t’i  renditur ndër gjuhët e sotme indo-evropiane, ku gjuhëtarët amerikanë do të mund të bazoheshin për të ndërtuar indo-evropianishten. Sa herë hap ndonjë volum të Studimeve etimologjike të Prof. Ҫabejt, “sikur të ishte përfunduar!”, them me vete. Unë nuk kam pasur rast ta shoh ose ta dëgjoj ndonjëherë atë shkencëtar të madh të shqipes, por ne familjarisht kemi kënaqësinë dhe nderin të kemi pasur mik të vjetër vëllanë e tij, Zotin Ferid Ҫabej, dikur avokat në Kukës dhe në Lushnje. Në kohën e Zogut, ky zotëri hijerëndë i ka kaluar fundjavat në shtëpinë tonë në Kolesjan, tri orë rrugë larg në kalë, duke lënë të kënaqur dhe të nderuar të gjithë pjesëtarët e të familjes. Përveç kësaj, ne s’ia harrojmë kurrë këtij burri fisnik dhe me kurajë civile, që na ka ardhur shpesh në ndihmë gjatë viteve të internimit në Gradishtë të Lushnjës.

Gjatë periudhës me liri të kufizuar në Gradisht a keni shkruar?
- Po. Herë pas here kam shkruar pamflete e artikuj, që i kemi djegur dy herë, një herë babai dhe herën e fundit unë. Disa prej tyre më kujtohen, madje kam tentuar të rishkruaj ndonjërin syresh,  por jam bindur se nuk është  e mundur dhe e kam lënë. Kam shkruar dhe dy romane: “Drenicarët ose “servët” e Kosovës” dhe “Varrë në zemër”, që i kam botuar nga Franca, pas vitit 1991, sigurisht.
 
Ҫ’mendim keni për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë?
- Akademia e Shkencave ka nevojë për fonde. Për historinë p.sh. duhen pa tjetër botimet e dhjetëvjeçarëve të fundit të historianëve më të njohur euro-amerikanë. Në Bibliotekën Kombëtare të Parisit, ku shkoj pothuajse çdo ditë, dëgjohen biseda në gjuhët e vendeve ballkanike e përreth, por në shqip jo. Ata bëjnë hulumtime shkencore, ndërsa ne shqiptarët jemi të përpirë në përplasjet mes partive politike.
 
A ka në Francë njohës të historisë së Shqipërisë?
-Ka, sigurisht, madje ka shumë. Anglo-saksonët e njohin parësinë e historianëve të këtij vendi, ku ripërtëritja brodeliane e Shkollës së Analeve merr në studim strukturat dhe konjukturat e fshehura nën sipërfaqen e ngjarjeve të kulluara. Por janë disa historianë francezë që ndjekin teorinë e G. Kossinnas, sipas të cilit provinca kulturore të përcaktuara saktësisht përputhen në të gjitha epokat me tribu dhe popuj të caktuar. Kjo teori, edhe pse e hedhur poshtë, është përvetësuar nga shumë arkeologë.
 
A keni ndonjë zbulim tuajin mbi Shqipërinë në Francë, që dëshironi t’ia jepni lexuesit shqiptar?
-Po. Ne pandehim se Evropa na njeh si popull trim e luftëtar, siç ka shkruar dikur ndonjë historian a udhëtar, që i ka njohur nga afër të parët tanë. Evropianët e sotëm, e kam fjalën për intelektualët, sidomos për historianët me ndonjërin prej të cilëve hyj nganjëherë në bisedë, njohin dhe zënë në gojë Nënë Terezën, madje e vlerësojnë shumë. Kryesorja, ajo që duhej ta vija në fillim të përgjigjes, francezët venë re ndryshimin e thellë mes shqiptarëve dhe popujve ballkanikë, që kufizohen me ta. Ndërsa grekët dhe sllavët e jugut janë të gjithë nacionalistë të flaktë, madje shovinistë, shqiptarët druajnë të bashkohen si komb! Janë më të zgjuar shqiptarët apo nuk janë formuar ende si komb? Ky fakt i çudit evropianët e sotëm dhe mbarë botën. Thuaju sa të duash se të tillë i bëri shqiptarët diktatura; sa para bën. Po bëhet një çerek shekulli qëkur u përmbys ajo.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fier, neglizhuan mjekimin e pacientit dy vjet para , pezullohen 3 mjekët (EMRAT)

Fier, neglizhuan mjekimin e pacientit dy vjet para , pezullohen 3 mjekët (EMRAT)