TIRANE- Ambasadori i Italisë në vendin tonë Massimo Gaiani shprehet optimist për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë në BE. I ftuar në emisionin “Tete a tete” në studion e “A1 Report”, ambasadori Gaiani tha se Shqipëria e meriton marrjen e statusit, duke u shprehur “se janë zbatuar rekomandimet, ndërsa tashmë Europa duhet të bëjë pjesën e saj”.
 
Biseda në studion e “A1 Report” është fokusuar në Javën Italiane e cila starton në Tiranë më 5 maj, dhe pritet të zhvillohen një sërë aktivitetesh, ndërsa do të prezantohen rreth 170 kompani italiane që vijnë për të investuar në vend.
 
Ambasadori Gaiani tha se marrëdhëniet me qeverinë e re janë dinamike, duke përmendur vizitën e presidentit italian Napolitano në Tiranë, si dhe vizitat e kryeministrit Rama në Itali.
 
Duke u ndalur tek vizita e presidentit të Senatit të Republikës italianë, Peitro Grasso në Tiranë, në datat 5 dhe 6 maj, ambasadori Gaiani tha se gjatë takimeve me zyrtarë të lartë theksi do të vihet edhe tek dialogu politik në vend. Sipas Gaianit ky është një element i rëndësishëm në rrugën e integrimit europian të vendit.
 
Së shpejti fillon Java Italiane në Tiranë, çfarë aktivitetesh parashikohen?
Në 5 maj do të mbërrijë në Tiranë, Presidenti i Senatit të republikës italiane, Pietro Grasso. Do të prezantohen edhe dy libra të tij për mafian. Gjatë vizitës së tij zyrtarë në Tiranë do të takohet me zyrtarë të lartë në Shqipëri. Librat që Grasso sjell është fryt i punës së tij në gjithë këto vite. Për njerëzit që janë të pasionuar, këta janë libra me interes të madh.
 
Nga e hëna fillon në Tiranë Java Italiane me një numër të madh aktivitetesh.
Kemi menduar të zhvillojmë një javë plot aktivitete, po kështu kemi ftuar një sërë investitorësh për t’u prezantuar. Janë kryesisht biznese të vogla dhe të mesme që i bashkohen këtij aktiviteti. Po kështu ka edhe biznese të mëdha. Kemi dashur të vëmë theksin në një çështje që do të jetë tejet e rëndësishme për 20 vitet e ardhshme, për kursimin e energjisë. Në krahasim me standardet evropiane, këtu në Shqipëri energjia, kushton më pak. Por mund të ndërhyhet sa i takon humbjeve në rrjet, apo përdorimit të energjisë.
 
Kryeministri dhe zv/kryeministri kanë qenë pjesë e dialogut?
Kemi bashkëpunuar me qeverinë shqiptare, dhe në realizimin e këtyre aktiviteteve do të kemi të pranishëm kryeministrin Rama, zëvendëskryeministrin, si dhe disa ministra.
 
Pjesa më e madhe e shqiptarëve e dinë se Italia është donatori kryesor për Shqipërinë. Italia është avokat i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit. Jeni optimistë?
Jam optimist. Mendoj se Shqipëria e meriton marrjen e statusit. Deri më tani janë miratuar ligjet që BE ka kërkuar, zgjedhjet që u mbajtën ishin të rregullta. Pati kalim të pushteti pa problem. Qeveria e re e ka vendosur prioritet çështjen e integrimit. Shqipëria e ka bërë atë që duhet të bënte për të marrë statusin. Jam optimist për këtë. Disa vende anëtare edhe pse e kanë vlerësuar pozitivisht progresin e bërë nga Shqipëria, kishin kërkuar më shumë kohë. Kjo kohë tashmë është dhënë, dhe Europa duhet të bëjë pjesën e saj.
 
Si e shihni politikën shqiptare?
Dialogu është padyshim faktor pozitiv. Përvoja që kanë treguar vendet europiane në këto vite krizë, ka treguar se për t’u përballur më emergjencat duhet të krijohen koalicione sa më gjerë të jetë e mundshme. Ne shpresojmë që për rrugëtimin europian, forcat politike shqiptare do të dinë të gjejnë bashkimin që kërkohet dhe që duhet. patjetër që ka edhe përballje, kundërshti, por puna e përbashkët është e dëshiruar. Ne ua kemi kërkuar këtë të gjithëve. Importimi që të dyja palët kanë dhënë duke e konsideruar integrimin në BE një prioritet, është patjetër i rëndësishëm.
 
Kryetari i senatit italian do të ketë edhe një takim me liderin e opozitës. Do të flitet edhe për dialogun?
Në të gjitha rastet e mëparshme ka pasur një ftesë për dialog për të punuar së bashku për një çështje të rëndësishme. Kështu do të ndodhë edhe këtë herë. Shpresoj që të mirëpritet dhe të dyja palët të tregojmë vullnetin e duhur.
 
Prej 7 muajsh kemi një qeveri të re në Shqipëri. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë edhe më dinamike apo jo?
Në këto 7 -8 muaj kemi pasur vizitën e presidentit italian këtu në Shqipëri. Kemi pasur vizita të kryeministrit Rama në Itali dhe vizita të ministrave. Marrëdhëniet janë dinamike. Dhe është normale që kjo qeveri të jetë dinamike për të nisur marrëdhënie të reja, pas një ngadalësimi që mund të ndodhë gjatë periudhës zgjedhore.
 
A do të mirëpritet një ftesë që kryeministri italian të vizitojë Shqipërinë?
Ne shpresojmë që të ketë edhe një ftesë dhe vizitë të kryeministri italian Renzi në Shqipëri. Por ai është i angazhuar me reformat. Shpresojmë që sapo gjërat të jenë qetësuar disi, të ketë mundësinë e një vizite në Shqipëri. Nga korriku do të kemi presidencën e radhës së BE, kjo kërkon edhe më shumë punë nga kryeministri.
Mendoj se dhënia e statusit do të vendosë dinamizëm të ri edhe brenda politikës, shqiptare, nëse statusi nuk jepet rrezikon të ketë një mbyllje në vetvete dhe zhvill,ime që mund të mos jenë pozitive. Ne po bëjmë çmos që në qershor të mund t’i jepet statusi kandidat.
 
Le t’i kthehemi javës italiane. Është parashikuar edhe një takim në Vlorë.
Është një panel që do të organizohet në Vlorë për turizmin. Ditën e dytë do të zhvillohet në Vlorë. Edhe Shkodra ka një marrëdhënie të gjatë, që këto qytete të mund të mirëpresin nisma të tilla. Ky është një moment ku mund të bashkohen të gjithë ata që janë të interesuar për bashkëpunimin bilateral. Shpresojmë ta zgjerojmë këtë aktivitet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
 
Plazhet tona nuk kanë standardet evropiane. A do të ketë një strategji për të ndihmuar në përmirësimin e kësaj situate?
Në radhë të parë duhet të mbrojmë mjedisin. Duhet të ketë infrastrukturë për të rritur numrin e turistëve. Mendojmë se jugu ka potencial të madh. Sapo kemi nisur një financim për rindërtimin e Portit të Vlorës, duke e bërë port kryesor turistik. Shpresojmë të mos vijmë vetëm tragete nga Italia por edhe krocere nga vende të tjera.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)