Federata Ganeze e Futbollit ka zgjedhur trajnerin e ri për “Perlat e zeza”. Carlos Queiroz pason Otto Addon, i cili u shkarkua pas dy humbjeve që mori Gana në miqësoret e muajit mars. Për 73-vjeçarin nga Portugalia, Botërori 2026 do të jetë i pesti ku merr pjesë. Ai ka drejtuar Portugalinë në Botërorin e 2010-ës ndërsa ka qenë edhe në edicionet e 2014, 2018 dhe 2022 si trajneri i Iranit.

Sipas medieve ndërkombëtare objektiv është kalimi i grupit dhe nëse ia del, atëherë portugezi do përfitojë një kontratë 2-vjeçare me ekipin e Ganës për të ardhmen. Gana nuk arrin në çerekfinalet e një Kupa Bote që nga paraqitja fantastike në Afrikën e Jugut 2010.

Queiroz, i cili kthehet në menaxhim pas një periudhe të shkurtër me Omanin, e ka përshkruar punën te Gana si një mision.

"Sot, e pranoj këtë mision me të njëjtin pasion dhe përkushtim që më kanë udhëhequr gjatë gjithë karrierës sime. Gana është një komb talenti, krenarie dhe shpirti futbolldashës. Vij me respekt për historinë e saj dhe besim në të ardhmen e saj.

Së bashku, me unitet, disiplinë dhe ambicie, do të punojmë për të nderuar pritshmëritë e një kombi të madh futbolli. Kjo nuk është thjesht një punë tjetër, është një mision. Dhe unë jam i gatshëm të jap gjithçka nga përvoja dhe njohuritë e mia edhe një herë, në shërbim të lojës dhe lumturisë së njerëzve", tha ai.

Carlos Queiroz ka qenë trajner i Real Madridit, ndihmës i Sir Alex Ferguson te Manchester United si dhe ka marrë pjesë në Kupën e Botës tre herë me Iranin dhe një herë me Portugalinë. Në karrierën e tij ka drejtuar edhe Sportingun e Lisbonës, Emiratet, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut, Kolumbinë, Egjiptin, Katarin dhe së fundmi Omanin.

Gana është përfshirë në Grupin L për Kupën e Botës 2026 së bashku me Anglinë, Panamanë dhe Kroacinë. Fushata e tyre fillon kundër Panamasë në Toronto më 17 qershor, përpara se të përballen me Anglinë në Boston më 23 qershor dhe Kroacinë më 27 qershor.