TIRANË - Afati për dorëzimin e kandidaturave për tu bërë pjesë në garën për drejtuesin e ri të PD, ka skaduar në 12:00. Dera përfundimisht i është mbyllur Ervin Salianjit, aplikimi i të cilit nuk u pranua. Teksa vetë ndodhej në Londër, ai dërgoi përfaqësues në selinë blu, të cilët arritën vetëm t’i hidhnin dokumentet në recepsion, pasi çdo derë tjetër në seli ishte e kyçur e asnjë figurë e PD nuk ndodhej aty.

I njëjti fat ishte dhe për Evi Kokalarin dhe Alesia Balliun, aplikimi i asnjërës prej tyre nuk u pranua. Të tre këta i kanë dorëzuar dhe në rrugë elektronike, por nuk duket se këto përpjekje do të kenë një rezultat.

I vetmi aplikim i pranuar është ai i mjekes Mejreme Sela, ndërsa e vetmja kandidaturë e zyrtarizuar është ajo e Sali Berishës. Ky i fundit e përgatiti dokumentacionin e tij përpara se të publikonte dje udhëzimin për kandidatët e më pas u nis i qetë drejt Kroacisë.

Udhëzimi i firmosur më datë 18 mars, e thotë qartë: nuk mund të kandidojnë ata persona të dënuar me vendim të formës së prerë. Përveç “vetëpërjashtimit”, kjo është një tjetër garanci e Berishës për të mos lejuar Salianjin të bëhet pjesë në garë.

Sali Berisha thotë se Evi Kokalari nuk mund të jetë pjesë e garës pasi nuk është anëtare e Partisë Demokratike, një prej kritereve bazë. I njëjti argument vlen dhe për Alesia Balliun.

“Kriteret për kandidatët për Kryetar të PDSH-së janë:
Anëtar i Partisë Demokratike, figurë me profil shumë të lartë publik dhe politik, me angazhim politik dhe elektoral të paktën 10-vjeçar në Partinë Demokratike;
Të ketë eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar/rajonal në betejat politike të Partisë Demokratike, për kauza qytetare dhe politike;
Të plotësojë kriteret e zgjedhshmërisë sipas ligjit nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:12
Aplikimi nuk u pranua në seli, Kokalari publikon letrën për kandidimin: PD ka futur kritere të reja, janë antikushtetuese! U firmosën nga Vokshi

Evi Kokalari ka bërë një tjetër postim në rrjetet sociale pasi vetëm pak kohë më parë publikoi fotot ku tregonte se dokumentacionin ia kishte dërguar në rrugë elektronike në adresë jo vetëm të Sali Berishës, por edhe të djalit të tij Shkëlzenit, Albana Vokshit, Ivi Kasos, Nokës.

Ndërkohë kësaj radhe ajo ka publikuar “Letrën e Interesit” dërguar PD-së me aplikimin. Në deklaratë Kokalari nënvizon se për këtë garë PD-ja ka futur kritere të reja, duke përfshirë kërkesën e kontributit 10-vjeçar dhe aktivitetit zgjedhor. Më tej ajo thotë se ato janë antikushtetuese dhe janë firmosur nga Albana Vokshi.

Deklarata e plotë:

Më poshtë gjeni “Letrën e Interesit” dërguar PD-së me aplikimin.

_______________

Dorëzimi Zyrtar i Kandidaturës për Kryetare të Partisë Demokratike të Shqipërisë – Dorëzuar Nën Protestë.

I nderuar Z. Berisha,

Të nderuar anëtarë të KOKOA,

Po ju drejtohem për të dorëzuar zyrtarisht kandidaturën time për pozicionin e Kryetares së Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Ky dorëzim vjen pas letrës të mëparshme zyrtare të dërguar nga avokati im, Ron Coleman, më 19 Mars 2026. Si një nga themelueset e “Komisionit të Rithemelimi” e regjistruar zyrtarisht në dokumentet e depozituara në Gjykatën e Tiranës, kam luajtur një rol vendimtar në ndërtimin e mbështetjes popullore dhe institucionale që bëri të mundur rikthimin e Partisë Demokratike nga udhëheqja e Lulzim Bashës tek ajo e Sali Berishës.

Dorëzoj këtë aplikim nën protestë të fortë. Partia ka futur së fundmi kritere të reja për këtë garë, duke përfshirë kërkesën e kontributit 10-vjeçar dhe aktivitetit zgjedhor, të cilat janë antikushtetuese. Këto ndryshime duken se janë hartuar posaçërisht për të diskualifikuar një nga themeluesit e Rithemelimit, personalisht mua. Kam plotësuar tashmë 5 vjet kontribute direkte në Parti dhe kam mbajtur mbështetje dhe angazhim të vazhdueshëm gjatë viteve para 2021.

Sa i përket opinionit publik të Sekretarit të Partisë se unë nuk jam anëtare e saj, ju lutem të kuptoni se emri im në dokumentet e Gjykatës së Tiranës si një nga themelueset e Rithemelimit është prova e qartë dhe e mjaftueshme e anëtarësisë sime. Kjo anëtarësi lind automatikisht. Përveçse nëse mund të provoni se e rikthyet Partinë vetëm me meritën tuaj personale, gjë që nuk mund ta bëni, sepse pa kontributin tim, ju nuk kishit asnjë shans.

Personalisht nuk i pranoj këto rregulla të rishkruara, të cilat bien në kundërshtim me statutin ekzistues të Partisë dhe parimet e drejtësisë dhe demokracisë së brendshme. Dorëzimi i këtij aplikimi nuk përbën pranim ose pajtim me këto ndryshime rregullash. Kohëzgjatja e këtij procesi tregon qartë natyrën e tij të padrejtë.

Kriteret e reja u shpallën publikisht një muaj mbas shpalljes së garës, dhe me më pak se 24 orë afat për reagim, një fakt edhe më i rëndë duke pasur parasysh se udhëheqja e Partisë e di shumë mirë që unë ndodhem aktualisht në Shtetet e Bashkuara. Kjo lë praktikisht zero mundësi reale për përgatitje ose dorëzim të duhur, sidomos për dikë që kontribuon nga larg.

Kontributet e mia politike tejkalojnë larg pragun e ri 10-vjeçar. Lidhjet ndërkombëtare dhe marrëdhënjet që kam ndërtuar me Partinë Republikane në Shtetet e Bashkuara kalojnë më shumë se një dekadë. Janë pikërisht këto lidhje afat-gjate që mundësuan ndihmën që unë ju dhashë juve në vitin 2021.

Për më tepër, kam dhënë kontribute të rëndësishme politike nëpërmjet pjesëmarrjes sime aktive në disa fushata kongresionale në SHBA. Kam qenë Delegate Alternative e Partisë Republikane të Shtetit të New York-ut në Konventën Kombëtare Republikane (RNC) të vitit 2024 – një fakt lehtësisht i verifikueshëm. Nëse kam qenë e kualifikuar për RNC-në, Partinë Republikane, atëherë jam më se e kualifikuar për të udhëhequr opozitën drejt fitores në Shqipëri.

Në dritën e ndryshimeve të pritshme të statutit të Partisë që po lejojnë udhëheqësit që duhet të kishin dhënë dorëheqjen por refuzojnë dhe po futen në garë, duhet të bëhen dispozita të barabarta për të siguruar që themeluesit dhe kontribuesit kryesorë të lëvizjes Rithemelimi të kenë të njëjtën të drejtë.

Duhet të theksoj gjithashtu se kriteret e reja u firmosën nga Znj. Albana Vokshi, e cila vetë nuk ka asnjë rekord fitoreje në zgjedhje të brendshme apo kombëtare, nuk është zgjedhur kurrë me votë të lirë Kryetare e Forumit të Gruas apo anëtare e Kryesisë, dhe mban vendin e deputetes vetëm nëpërmjet listave të mbyllura të emëruara, e jo nëpërmjet votës direkte. Kontributet e saj të kufizuara në Parti, përtej manovrimeve dhe manipulimeve të brendshme, ngrenë pyetje serioze mbi autoritetin e saj për të vendosur kritere diskualifikuese ndaj kontribuesve realë dhe kyç të fitores kundër Lulzim Bashës. Ky aplikim selektiv dhe jokonsistent i standardeve e bën të pavlefshëm legjitimitetin e procesit aktual.

Kjo letër interesi/kërkese shërben si dorëzimi im zyrtar i kandidaturës duke përmbushur kriteret që janë publikuar nga ju vetë. Bashkangjitur, ju lutem gjeni formularin e plotësuar si dhe CV-në.  Jam e gatshme të paraqes çdo dokumentacion shtesë, duke përfshirë referenca nga personalitete të politikës Amerikane.

Mbetem thellësisht e përkushtuar ndaj Partisë Demokratike që pret akoma të Rithemelohet, dhe pres që ky dorëzim të regjistrohet dhe të trajtohet siç duhet.

Nën protestë të plotë,

Evi Kokalari

Themeluese e Foltores,

Bashkë - themeluese e Komisioni i Përkohshëm të Rithemelimit

Ora 11:35
Aplikimi nuk u pranua në seli, Kokalari nuk heq dorë: Përveç Berishës, ia kam çuar kandidaturën me email dhe Shkëlzenit, Vokshit, Nokës, Kasos e Bozdos

Pasi aplikimi iu refuzua në selinë blu, Evi Kokalari e ka dërguar dokumentacionin në rrugë elektronike në adresë jo vetëm të Sali Berishës, por edhe të djalit të tij Shkëlzenit, Albana Vokshit, Ivi Kasos, flamur Nokës dhe Eno Bozdos.

Postimi i Evi Kokalarit

Po e bëj publike që të mos ketë debate nga PD-ja kur të vijë momenti për gjykatë, SPAK apo DASH.

Është ora 11:25 e mëngjesit në Tiranë  dhe aplikimi, pasi është refuzuar në seli, është nisur me DHL, me email për Berishën, si dhe përmes ËhatsApp dhe Telegram te Shkëlzen Berisha, Albana Vokshi, Sali Berisha, Ivi Kaso, Flamur Noka dhe Eno Bozdo.

Uroj që media t’i pasqyrojë këto detaje me orët përkatëse, në mënyrë që të mos ketë debate mbi dorëzimin e aplikimit.

Ora 11:30
PD s’i pranoi kandidaturën, Report Tv zbardh platformën me 10 pika të Salianjit! Ish-deputeti: Berisha barrë për partinë, të bëjë një hap pas, u izolua nga ndërkombëtarët

1776615990_ervinsalianji.jpg

Përfaqësuesi i Ervin Salianjit nuk u lejua të dorëzojë në PD dosjen me dokumentet për kandidimin në garën për kryetarin. Orest Berberi e la dosjen në recepsionin e PD si një gjest simbolik, ndërsa pritet që kandidaturën ta dorëzojnë edhe përmes emailit. Report Tv ka arritur të zbardhë platformën e Salianjit me 10 pika për reformimin e PD-së, ndërsa në dokumentet për kandidaturën e tij ai thekson se Partia duhet të lerë pas të shkuarën dhe të shohë drejt së ardhmes. Salianji tregohet i drejtëpërdrejtë me Berishën, kur shkruan se koha e tij ka mbaruar dhe është një barrë për partinë. Sipas Salianjit, Berisha duhet të bëjë një hap pas pasi është i izoluar nderkombetarisht dhe i pafuqishëm për të frymëzuar dhe për të mobilizuar.

LETRA E PLOTË E SALIANJIT PËR KANDIDIMIN

Partia Demokratike duhet t’i rikthehet vlerave të saj themeluese.

Ajo duhet të bëhet promotore e lirisë, promotore e cilësisë, promotore e përgjegjësisë, promotore e ndryshimit, promotore e shtetit të së drejtës, promotore e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe garante e Partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës..

Duke bërë këtë kapërcim cilësor ajo do të hapet, do të modernizohet,, do të fitojë.

Kjo është pritshmëria e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve që presin të bashkohen rreth saj: Partia Demokratike duhet sjellë rotacionin duke fituar kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme.

Ajo duhet të frymëzojë ndryshimin dhe të çoj mbi 800.000 votues në kutitë e votimit në mbështetje të saj dhe forcave opozitare.

Partia Demokratike duhet të shohë veten sërish si një parti masash dhe jo parti individi. Nëse kjo nuk ndodh ajo do tkurret, do zvogëlohet, dhe do rrezikojë të shuhet.

Demokratët, dhe veçanërisht përfaqësuesit e tyre që nuk reagojnë, i, kanë bërë llogaritë gabim me kohën dhe me ndërgjegjen. Fati i Partisë Demokratike është i lidhur ngushtë me fatin e Shqipërisë. Përgjegjësia historike do të peshojë si gur i rëndë në kurrizin e të gjithë atyre që do të heshtin apo shmangen.

Kjo platformë nis nga një bindje e qartë: Shqipëria nuk meriton të mbetet më në tranzicion. Shqipëria do të lërë pas tranzicionin ditën që ajo të nënshkruajë aktin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe ky akt duhet të firmoset nga Partia Demokratike.

Ky akt nuk do të firmoset as nga Edi Rama dhe as nga Sali Berisha.

Partia Demokratike duhet të lërë pas të shkuarën dhe të shohë drejt të ardhmes. Sali Berisha është lideri historik i Partisë Demokratike. Ai është udhëheqësi i ndryshimeve në vitin 1990, ai është udhëheqës i fitoreve të Partisë Demokratike dhe këto merita do t’i njihen përjetësisht.

Por koha e tij ka mbaruar. Ai sot ai është një barrë për Partinë Demokratike dhe të gjithë popullin opozitar. Por koha e tij ka tejkaluar. Ai sot është një barrë për Partinë Demokratike dhe të gjithë popullin opozitar. Ai sot është i vjeteruar, i vonuar, i izoluar nderkombetarisht dhe i pafuqishëm për të frymëzuar dhe për të mobilizuar per shkak te mosmbajtjes se premtimeve dhe konsumimit prej pushtetit te panderprere prej 36 vitesh.

Ai pengon bashkimin e shqiptarëve me PD në emër të rotacionit.

Ai pengon bashkimin e të gjithë forcave opozitare nën udhëheqjen e Partisë Demokratike.

Sali Berisha duhet të bëj një hap pas dhe të ndihmojë Partinë Demokratike të rimëkëmbet, ripërtërihet dhe të fitojë.

Vizioni i Partisë Demokratike për Shqipërinë duhet të jetë një vend që funksionon mbi standarde europiane, ku qytetari ndjen siguri, drejtësi dhe mundësi reale për të ndërtuar jetën e tij. Ku familja qëndron në qendër të çdo vendimarrje. Një Shqipëri normale, me një shtet të vogël e të përgjegjshëm që garanton e përkujdeset për shtetasit e tij.

Integrimi europian nuk duhet të trajtohet si slogan politik, por si një proces përmbajtësor dhe kulturor që prek çdo sektor, nga ekonomia, te drejtësia, administrata publike, tek të drejtat e njeriut dhe demokracia..

Partia Demokratike duhet të jetë fuqia që e çon vendin drejt këtij standardi, me përfaqësim cilësor, me politika konkrete, dhe me besueshmëri ndërkombëtare.

Për ta bërë këtë ajo duhet të ndryshojë.

Nga ndryshimi i Partisë Demokratike kalon kursi i ri i Shqipërisë.

Unë kësaj përgjegjësie nuk i shmangem. Kandidimi im është një vetëdije se gjithçka është thënë më lart është e vërtetë,, i bindur se ky vendim i vështirë, por i drejtë është rruga e vetme për ndryshimin e Partisë Demokratike dhe ardhjen saj në pushtet.

10 pika për një kontratë e re për Shqipërinë

“Rikthimi i Besimit – Fuqizimi i së Djathtës – Fitorja e Shqipërisë”

1. Mandati i Kryetarit të Partisë Demokratike

Partia Demokratike duhet të garantojë identitetin e saj si Parti Masash. Kryetari i Partisë Demokratike ka përgjegjësinë kryesore për rezultatin zgjedhor të Partisë Demokratike.

-Kryetari i Partisë është kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike.

-Në çdo rast kur ai vendos ta delegojë këtë përgjegjësi, ai duhet të marrë miratimin e organit më të lartë vendimarrës të Partisë Demokratike. • Kryetari i Partisë zgjidhet me parimin një anëtar – një votë një herë në 4 vite

-Kryetari i Partisë nuk lejohet të ketë më shumë se 2 mandate. -Përjashtim nga ky rast është kur kryetari është Kryeministër.

Nëse Kryetari i Partisë humbet zgjedhjet duke qenë në detyrën e Kryeministrit atij i mbaron mandati menjëherë, pa të drejtë rikandidimi. – Kjo normë është e detyrueshme edhe nëse kryetari nuk e ka ushtruar mandatin e dytë.

2. Hapja e Partisë, përfaqësimi dhe listat e kandidatëve për deputet

Kriza e besimit ndaj politikës dhe në këtë rast Partisë Demokratike lidhet drejtpërdrejt me mungesën e transparencës në vendimarrje, me mungesën e përfaqësimit dhe mungesën e shanseve të barabarta.

Partia Demokratike duhet të shndërrohet në një organizatë politike moderne, ku vendimmarrja nuk është e centralizuar, por e shpërndarë dhe e konsultuar sipas përgjegjësive të drejtuesve dhe anëtarëve të saj.

Partia Demokratike duhet të bëhet magnet për ekspertët dhe profesionistët, duke ndërtuar një elitë politike që jo vetëm fiton zgjedhje, por bind se mund të qeverisë me kompetencë.

Hapja nuk është vetëm proces formal, por kulturë politike: përfshirje reale, debat i brendshëm dhe respekt për mendimin ndryshe.

Vetëm një parti e dyrve të hapura mund të rikthejë energjinë e humbur dhe të mobilizojë elektoratin. Partia Demokratike duhet të ruajë strukturën e vendimarrjes së saj nëpëmjet anëtarësisë, por për të fituar ajo duhet gjithashtu të garantojë kuotat e përfaqësimit për gruan, të rinjtë si dhe intelektualët apo personalitete me peshë në shoqëri.

Këta të fundit duhet të jenë përgjegjësi eskluzive e Kryetarit të Partisë i cili ka përgjegjësinë kryesore të rezultatit zgjedhor.

Listat e hapura 100%

Mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve.

-20% të listave shumëemërore kuotë eskluzive e kryetarit (Intelektualë, Shoqëri Civile, profesionistë, njerë me reputacion në zona zgjedhore)

- 80% e listës shumëemërore e propozuar dhe e miratuar nga anëtarësia

Kuotat e përfaqësimit.

* 40% Femra

-30% e listës nën 35 vjeç

-10% të kandidatëve nga diaspora

Shënim: subjekt i kuotave janë 100% të listave shumëemërore

3. Përfaqësimi ideologjik si bosht i programit elektoral: vlerat dhe morali i së djathtës si nevojë historike për Shqipërinë

Identiteti politik i Partisë Demokratike duhet të jetë i qartë dhe i qëndrueshëm. Kjo nënkupton rikthim te vlerat e së djathtës tradicionale: mbrojtja e pronës private, ekonomia e tregut, roli i kufizuar i shtetit dhe respekti për traditën dhe familjen.

E djathta si ideologji përfaqëson besimin tek liria individuale dhe përgjegjësia. Ajo ndërtohet mbi bindjen se zhvillimi i qëndrueshëm vjen nga iniciativa private, puna e ndershme dhe konkurrenca e lirë, duke krijuar hapësira reale për sipërmarrjen, inovacionin dhe suksesin personal.

Partia Demokratike duhet të jetë promotore se saj, duke mbrojtur pa ekuivoke në diskurin e saj pubik pronën private, familjen si bërthamë të shoqërisë dhe identitetin kombëtar si vlerë që duhet ruajtur dhe forcuar.

Partia Demokratike duhet të jetë zëri që përfaqëson nevojën për rolin e kufizuar, por efektiv të shtetit në jetën e qytetarëve. Një shtet që garanton rendin, drejtësinë dhe shërbimet bazë, pa u bërë pengesë për energjinë krijuese të individit. Në programin e saj elektoral PD duhet t’i brendësojë këto parime, të integrojë lirinë nga nevoja si përgjegjësi shtetërore, duke i dhënë çdo qytetari mundësinë të ushtrojë përgjegjësitë e tij e kësisoj të ketë mundësinë të ndërtojë vetë të ardhmen e tij.

Mbi të gjitha Partia Demokratike duhet të artikulojë qartë se zgjidhjet e mëdha për Shqipërinë kalojnë nga mbështetja për familjen.

Garantimi strehimit nga shteti për çiftet e reja, mbështetja e lindshmërisë, statusi i veçantë për nënën me garanci të forta financiare janë totalisht në pajtueshmëri me moralin e së djathtës.

Duke bërë këtë ajo do përfaqësojë të djathtën historike, pronarët, sipërmarrësit, diasporën dhe të gjithë shqiptarët që sot në shumicë duan ndryshimim.

Vetëm duke qenë e qartë në identitetin e saj, Partia Demokratike mund të krijojë besim dhe të diferencohet në skenën politike.

4. Forumi i Gruas dhe FRPD: shtylla të suksesit elektoral të Partisë Demokratike

Forumi i gruas dhe FRPD janë dy shtylla të rëndësishme të suksesit elektoral të Partisë Demokratike.

Sipas të dhënave numerike rreth 220.000 të rinj nën 30 vjeç nuk e kanë ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e fundit. Forumi Rinor i Partisë Demokratike duhet të jetë struktura më e mbështetur e PD.

 

Të rinjtë përfaqësojnë potencialin më të madh të pashfrytëzuar.. Për shumë vite, ata janë trajtuar si mbështetje periferike, si fasada për takime dhe asnjëherë si aktorë vendimmarrës. Kjo platformë synon përfaqësimin e tyre dhe një ndryshim rrënjësor::

-të rinjtë do të përfaqësojnë peshën e mesazhit politik të Partisë Demokratike

-të rinjtë do përfaqësojnë 30% të listave shumëemërore të Partisë Demokratike

-të rinjtë nuk do lejohen të bëjnë fasadën e takimeve,

* Mandati i Kryetarit të FRPD do jetë 5 vjeçar pa të drejtë rikandidimi

Nëse situata për FRPD është problematike, në rastin e Forumit të Gruas është dramatike. Në zgjedhjet e fundit raporti i votueses femër mes Partisë Demokratike dhe Partinë Socialiste është 1 me 4. Pra vetëm 25% të femrave kanë votuar për koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike.

Rritja e kuotës së përfaqësimit në 40% duhet të shoqërohet me ndryshime drastike dhe mbështetjen e fuqishme për Forumin e Gruas. Aktualisht ky forum është jo përfaqësues dhe i padenjë për emrin e Partisë Demokratike.

Kjo platformë vendos si prioritet identifikimin dhe promovimin e vajzave dhe grave me integritet, profesionalizëm dhe peshë

5. Fuqizimi i degëve dhe decentralizimi i buxhetit të Partisë Demokratike Fuqizimi i degëve dhe decentralizimi i buxhetit përbëjnë një shtyllë thelbësore për rritjen elektorale të Partisë Demokratike.

Ky parim i bënë degët më funksionale dhe synon të shtojë vendimmarrjen dhe përgjegjësitë, duke u dhënë degëve lokale më shumë autonomi në identifikimin e prioriteteve, organizimin e aktiviteteve dhe ndërtimin e marrëdhënieve me komunitetin.

Një strukturë e tillë rrit përgjegjshmërinë, transparencën dhe efikasitetin, pasi çdo degë bëhet drejtpërdrejt përgjegjëse për rezultatet e saj.

Në thelb, ky model forcon demokracinë e brendshme të partisë, rrit pjesëmarrjen e anëtarësisë dhe e bën Partinë Demokratike më konkurruese dhe më të besueshme në sytë e qytetarëve

Pajtueshmëri mes mandatit të kryetarit të Degës me kandidaturën për deputet, Kryetar Bashkie apo çdo organ tjetër përfaqësues.

* Buxhetim i degëve lokale nga qendra bazuar në peshën e popullatës së përfaqësuar

* Autonomi financiare dhe organizative për strukturat lokale.

Buxhet transparent dhe i votuar nga anëtarësia.

6- Struktura e Partisë Demokratike: Meritë dhe përgjegjësi.

Vendosja e meritokracisë si standard dhe e përgjegjshmërisë si normë funksionimi e kthen Partinë Demokratike në një organizatë moderne, efikase dhe të denjë për të udhëhequr. Të gjithë duhet të bëjnë një hap pas në rast se rezultati zgjedhor nuk është ai i synuari dhe të gjithl duhet të shpërblehen nëse arrijnë rezultatin. Të gjitha këto duhet të reflektohen në Statut.

-Tërheqje pa të drejtë kandidimi për çdo kryetar Dege, grupseksioni apo seksioni me rezultar më të dobët se zgjedhjet e mëparshme

-Rimandatim automatik për çdo kryetar dege, grupseksioni, apo seksioni që arrin rezultat më të mirë se zgjedhjet e mëparshme

7- Modernizimi dhe struktura e komunikimit politik: nga partia e protestës tek partia qeverisëse.

Partia Demokratike duhet të kalojë nga një model komunikimi i ndërtuar mbi reagimin dhe protestën, në një arkitekturë moderne komunikimi që prodhon vizion, besim dhe zgjidhje konkrete për qytetarët. Protesta është mjet, por qeverisja është qëllim. Dhe për të arritur këtë, duhet të ndryshojmë mënyrën si flasim, si organizohemi dhe si ndërtojmë narrativën tonë politike.

Komunikimi ynë duhet të jetë i unifikuar, strategjik dhe i orientuar drejt rezultateve. Nuk mjafton të denoncojmë problemet duhet të artikulojmë alternativa të qarta, të matshme dhe të besueshme. Çdo zë i Partisë Demokratike, nga qendra në degë, duhet të flasë me të njëjtën gjuhë: gjuhën e programit, të përgjegjësisë dhe të qeverisjes. Kjo kërkon një strukturë të re komunikimi, të profesionalizuar, që ndërton mesazhe të qarta, përdor inteligjencën e të dhënave dhe angazhon qytetarët në kohë reale.

Në epokën digjitale, beteja politike fitohet edhe në hapësirën e perceptimit. Prandaj, modernizimi i komunikimit do të thotë investim në teknologji, në media të reja dhe në ndërtimin e një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Nuk komunikojmë vetëm për të reaguar ndaj kundërshtarit, por për të udhëhequr debatin publik dhe për të vendosur agjendën politike të vendit.

Nga partia e protestës, ne duhet të bëhemi partia e alternativës. Nga zëri i pakënaqësisë, në zërin e shpresës. Nga reagimi, në vizion. Ky është transformimi që kërkon koha dhe ky është rrugëtimi që do ta bëjë Partinë Demokratike një forcë të besueshme qeverisëse, gati për të marrë përgjegjësinë dhe për të ndërtuar të ardhmen që qytetarët meritojnë.

E vërteta është arma e opozitës, dhe asgjë më të fuqishme nuk ka në komunikim politik se e vërteta.

8. Bashkimi në diversitet dhe bashkimi i opozitës si rruga e vetme për rotacionin

Sot, më shumë se kurrë, është e qartë se rotacioni politik nuk është thjesht një ambicie, por një domosdoshmëri për demokracinë. Dhe kjo nuk mund të arrihet me një opozitë të fragmentuar, të ndarë dhe të përçarë. Bashkimi i opozitës nuk është zgjedhje taktike por është kushti i vetëm për të rikthyer balancën politike dhe për t’i dhënë qytetarëve një alternativë reale qeverisëse. Koha e ndasive të vogla duhet të marrë fund. Interesi i përbashkët, largimi i një modeli të konsumuar qeverisës dhe ndërtimi i një alternative të re, duhet të qëndrojë mbi çdo interes personal apo partiak. Bashkimi nuk do të thotë uniformitet, por koordinim, respekt reciprok dhe ndarje e qartë rolesh mbi bazën e kontributit dhe peshës reale politike.

Pranimi i të ndryshmit dhe I fraksionit jo vetëm normë në PD por duhet të edukohet gjithashtu.

Një opozitë e bashkuar krijon energji, besim dhe mobilizim shoqëror. Ajo rrit pjesëmarrjen, maksimizon votën dhe shmang shpërndarjen e saj, duke e kthyer çdo votë në forcë për ndryshim. Në këtë kuptim, bashkimi është jo vetëm strategji elektorale, por edhe akt përgjegjësie ndaj qytetarëve që presin ndryshim.

9. Shteti i së drejtës: mbështetje për SPAK

Mbështetje për SPAK nuk është thjesht një qëndrim politik, por një angazhim i qartë për të çuar përpara luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. SPAK duhet të ketë jo vetëm mbështetje deklarative, por garanci reale për pavarësinë, burimet dhe mbrojtjen nga çdo presion politik. Çdo tentativë për ta dobësuar apo delegjitimuar këtë institucion është një hap pas për shtetin e së drejtës dhe për besimin e qytetarëve tek drejtësia. Ne duhet të jemi të qartë: askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht funksionit apo pushtetit që mban.

Mbështetja për SPAK është një mesazh për qytetarët se koha e pandëshkueshmërisë po merr fund dhe se drejtësia po bëhet realitet. Është gjithashtu një mesazh për partnerët ndërkombëtarë se Shqipëria është e vendosur të ndërtojë institucione të forta dhe të besueshme dhe Partia Demokratike këtë angazhim e ka prioritet.

SPAK ka delegjitimuar Qeverisjen e Edi Ramës. I ka prerë krahët atij dhe Partia Demokratike së bashku me opozitën duhet ta mbështesin

10. PD protagoniste e integrimit europian dhe në partneritet të ngushtë me SH.B.A

Partia Demokratike ka qenë dhe duhet të mbetet forca udhëheqëse e rrugëtimit europian të Shqipërisë, duke e vendosur integrimin në Bashkimi Europian si një prioritet kombëtar të panegociueshëm. Ky proces nuk është thjesht një objektiv diplomatik, por një projekt transformues për shtetin, ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. PD duhet të jetë garant i reformave të thella që afrojnë Shqipërinë me standardet europiane: sundimi i ligjit, ekonomia e lirë, institucionet e forta dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve.

Në të njëjtën kohë, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një gur themeli i sigurisë, demokracisë dhe zhvillimit të vendit. Marrëdhënia me SHBA nuk është vetëm historike, por edhe jetike për të ardhmen tonë, në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar dhe sfiduese. PD duhet të thellojë këtë partneritet përmes bashkëpunimit në fushën e sigurisë, drejtësisë, zhvillimit ekonomik dhe konsolidimit demokratik. Një Parti Demokratike e fortë dhe e modernizuar është garancia më e mirë që Shqipëria të ecë me ritëm të shpejtë drejt Europës dhe të mbetet një aleat i besueshëm i SHBA-ve. Ky është vizioni ynë: një Shqipëri plotësisht e integruar në familjen europiane dhe e ankoruar fort në aleancën euroatlantike, ku liria, demokracia dhe prosperiteti janë realitet për çdo qytetar.

Ora 11:14
Gara për kreun e PD/ Alesia Balliu dërgon përfaqësuesin në selinë blu: Askush s'merr përsipër ta pranojë kërkesën për kandidim! Berishë frikacaku

1776870358_berishaalesiaballiu.jpg

Alesia Balliu thotë se askush në selinë e Partisë Demokratike nuk pranon që t'i marrë në dorëzim përfaqësuesit të saj kërkesën për kandidim në zgjedhjet për kreun e PD-së. 

Balliu i drejtohet Sali Berishës duke e quajtur frikacak dhe i thotë se "gjithmonë ka një moshë të koritesh por ti zgjodhe moshën më të keqe".

Përveçse fizikisht nëpërmjet përfaqësuesit të saj, Balliu ka dorëzuar kërkesën edhe nëpërmjet emailit. 

Postimi i plotë i Alesia Balliut:

Berishë Frikacaku!

Berishë burrat në veri nuk i shmangen garës dhe nuk i druhen përballjes përkundrazi, e kërkojnë atë.

Por sot, ajo që po ndodh brenda Partisë Demokratike është zhgënjyese.

Kam dorëzuar një kërkesë zyrtare për të hyrë në garën për kreun e PD-së, dhe askush nuk po e merr përsipër ta pranojë.

Ky nuk është thjesht një refuzim është një tregues i qartë i mungesës së transparencës dhe garës së ndershme.

Berishë gjithmonë ka një moshë të koritesh por ti zgjodhe moshën më të keqe.

PD do ju kthehet demokratëve mos e harro kurrë, nuk do e gëzosh atë parti Sali Berisha.

Ora 10:54
Gara për kreun e PD/ Përballë Berishës vetëm një mjeke, Mereme Sela dorëzon kërkesën për kandidim (VIDEO)

Ndërsa në orën 12:00 të ditës së sotme skadon afati për dorëzimin e kërkesës për kandidimin në garën për kreun e Partisë Demokratike, në ambientet e selisë blu është paraqitur një kandidate e papërfolur më herët si pjesëmarrëse në zgjedhje.

Ajo është Merema Sela, mjeke në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Sela ka mbërritur në selinë blu për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin në zgjedhjet brenda partiake.

Ora 10:54
Gara për kreun e PD/ Përfaqësuesi i Alesia Balliut mbërrin në selinë blu për të dorëzuar kërkesën për kandidim

Ashtu siç e paralajmëroi mbrëmë në studion e “Repolitix” në Report Tv, Alesia Balliu ka dorëzuar ditën e sotme në selinë blu kërkesën për kandidim në garën për kreun e Partisë Demokratike, nëpërmjet një përfaqësuesi të saj.

Ora 10:02
Gara për kreun e PD/ Evi Kokalarit nuk i pranohet dokumentacioni në zarf, roja i PD i kthen pas avokatin te dera! Aktivistja: Do e çoj me email

1774983072_evikokalari.jpg

Evi Kokalarit nuk i është lejuar të dorëzojë aplikimin për tu bërë pjesë e garës për zgjedhjen e kreut të ri të Partisë Demokratike. Avokati i saj nuk është lejuar të hyjë brenda në selinë blu teksa roja i ka thënë shprehimisht “Nuk pranojmë zarfe”.

Afati për dorëzimin e dokumentacionit është deri në mesditë, ndërsa Kokalari thotë se do ta nisë aplikimin me DHL, via texk dhe email. Postimin ajo e mbyll me fjalën “Kllounë”.

Postimi i Evi Kokalarit

Ne orën 9:30 AM, avokati im në Tiranë ka shkuar në selinë e PD-së për të dorëzuar dosjen e aplikimit dhe roja nuk e ka lënë të hyjë brenda, por i ka komunikuar, pasi ka folur me dikë brenda, që: “nuk pranojmë zarfe.”

Ndërkohë, avokati ua ka bërë të qartë që është aplikimi im.

Do ta nisim me DHL dhe do t’ua dërgojmë atyre që duhet, via text dhe email përpara afatit të skadencës.

Clowns!!!