Largimi i Ilir Prodës nga drejtimi i Policisë së Shtetit më 1 mars hapi zyrtarisht garën për zgjedhjen e kryepolicit të ri, një proces që tashmë ka hyrë në fazën më vendimtare. Pas filtrit të aplikimeve dhe verifikimeve ligjore, këtë të martë në Ministrinë e Brendshme u zhvillua “testi final” për 14 kandidatët e mbetur në garë. Dy aplikante gra u skualifikuan që në nisje, pasi ligji kërkon që kandidatët të jenë pjesë e strukturave të policisë.
Intervistimet nisën sipas rendit alfabetik me drejtorin aktual të Policisë së Durrësit, Afrim Tafa, një emër i ri në nivelet e larta drejtuese, por i përfolur për një ngjitje të shpejtë. Pas tij, në garë u paraqitën Alfred Çepe dhe Arjanit Arapi, ndërsa një nga emrat më të fortë, Elidon Çela, drejtues i Policisë së Vlorës, prezantoi platformën e tij për postin më të lartë. Lista vijoi me figura me peshë në radhët e bluve si Gentian Berberi i Shkodrës, Gentjan Shehaj dhe ish-drejtori i Policisë Kriminale, Idajet Faskaj. Për intervistë erdhir Lorenc Panganika, ish-drejtor i Tiranës dhe Fierit, i konsideruar pretendent seriozë, ndjekur nga kreu aktual i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati. Në garë hynë gjithashtu edhe Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi dhe Saimir Boshnjaku, ky i fundit i larguar së fundmi nga drejtimi i Kufirit dhe Migracionit. Në fund të listës, por jo më pak të rëndësishëm, u paraqitën Skënder Hita, drejtues i Policisë së Fierit, dhe Tonin Vocaj, ish-drejtor i Policisë Kriminale dhe i Tiranës, të dy emra me peshë që shihen si kandidatë potencialë për finalen.
Komisioni i posaçëm, i përbërë nga zv.ministrja e Brendshme Silva Caka, sekretarja e Përgjithshme Kledia Ngjela dhe kreu i AMP-së Eduart Merkaj, ka në dispozicion 48 orë për të pikëzuar kandidatët. Deri më 26 mars, ata do t’i dorëzojnë ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, listën me tre më të vlerësuarit. Megjithatë, vendimi final mbetet në dorë të ministrit, i cili mund të përzgjedhë cilindo prej 3 kandidatëve më të pikëzuar me një relacion argumentues për t’ia propozuar Këshillit të Ministrave, pavarësisht renditjes. Procesi u zhvillua nën vëmendje të lartë diplomatike. Gjatë ditës, në Ministrinë e Brendshme u pa edhe e ngarkuara me punë e SHBA-së, Nensi VanHorn, ndërsa në orët e drekës mbërriti edhe ambasadori britanik, duke shtuar interesin dhe peshën ndërkombëtare mbi këtë garë kyçe për drejtimin e Policisë së Shtetit.
Komente













C'rendesi ka prania e ambasadoreve?! Hyn politika ne fund dhe me nje shqelm i shkallmon te gjitha.
PërgjigjuSa turp, edhe ne zgjedhjen e shefit te policise duhet te jete i pranishem ambasadori britanik, cohu Enver jo se ishe ndonje burre i mire por se paku ishe i pavarur, askush nuk fuste hundet ne nomenklaturen e shtetit
Përgjigju