TIRANË- Një vendim i Këshillit Drejtues të RTSH që ka skualifikuar nga gara 8 kandidatët për drejtorin e RTSH po shoqërohet me kritika nga shoqatat e pavarura të gazetarëve por edhe nga politika, si rrallë herë në një linjë, si mazhoranca edhe opozita. Kryetarja e Komisionit të Medias, Ina Zhupa në një postim në Facebook, shkruan se Këshilli Drejtues i RTSH po ‘shpik’ rregulla duke përjashtuar nga gara kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore.
Deputetja demokrate, Zhupa shkruan se Këshilli Drejtues i RTSH me çmendurinë e radhës po shkel ligjin, pasi vendimi për përjashtimin e tyre nuk bazohet në asnjë dispozitë ligjore. Sipas saj, Këshilli Drejtues nuk mund t’i largojë nga gara kandidatët që plotësojnë kriteret, mjafton që mos ti votojë ata për drejtor.
“Çmenduria e Këshillit Drejtues së RTSH, skualifikon nga gara kandidatët që plotësojnë kriteret! Këshilli Drejtues shpik rregulla që nuk ekzistojnë, skualifikon 8 kandidat që plotësojnë çdo kriter ligjor duke shkelur ligjin.
Nuk ekziston në ligj votim për tu futur apo jo në votim!!! Thjesht garë dhe votim për të zgjedhur drejtorin mes atyre që plotësojnë kriteret ligjore!
Ku e kanë gjetur në ligj metodën e skualifikimit kur plotëson kriteret ligjore? Skualifikimi është kur nuk plotëson kriteret, ndryshe je në garë.
Me vendim antiligjor skualifikohen:
Laureta Roshi
Kliton Rama
Floriana Paskali
Eni Vasili
Harilla Koçi
Enrik Mehmeti
Flamur Buçpapaj
Ermal Hoxha
Të 8 duhet të jenë në garë sipas ligjit bashkë me dyshen Polo- Shpuza që kaluan “votimin”.
Çdo anëtar i Këshillit në të drejtën e vet mund të votojë një kandidat kë preferon sipas platformës dhe aftësive por s’ka asnjë të drejtë skualifikuese nga gara kur plotësohen kriteret ligjore. Thjesht mos e voto për drejtor!
Ligji i njeh të drejtën e zgjedhjes me votë të fituesit, jo të skualifikimit me votë të atyre që plotësojnë kriteret ligjore. Fjala bie, si mund të skualifikosh nga gara Eni Vasilin? Çfarë kriteri ligjor nuk plotëson? Marr Enin se është figurë më e njohur publike por secili nga 8 të skualifikuarit vlen e njëjta logjikë.
Nëse rryma brenda Këshillit kanë frikë nga vota e fshehtë gjatë garës dhe nxjerrin metoda skualifikuese extraligjore ky është problem serioz për garën dhe ligjshmërinë e RTSH”, shkruan Zhupa.
Të njëjtën dakordësi ka ndarë edhe nënkryetarja e Komisionit për Mediat dhe deputetja socialiste, Evis Kushi, e cila thotë se Këshillit Drejtues i RTSH duhet të kthejë menjëherë situatën në normalitet dhe të lejojë garën e hapur, transparente e meritokratike. Në të kundërt, Kushi shkruan se Kuvendit do t’i duhej të ndërhynte në mbrojtje të lirisë dhe garës, me masa drastike.
“Nuk ndodh shpesh të jem dakord me kolegen Ina Zhupa, por pasi jam njohur me zhvillimet në RTSH nuk i heq dot asnjë presje reagimit të saj. I bëj thirrje Këshillit Drejtues të kthejë menjëherë situatën në normalitet dhe të lejojë garën e hapur, transparente e meritokratike. E kundërta do të ishte vetëasgjësim i Këshillit dhe Parlamenti do të detyrohej të ndërhynte në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës së garës, duke marrë masa drastike që ne nuk i dëshirojmë”, shkruan Kushi.
Votimi i anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH, u krye pa diskutuar mbi kriteret që plotëson ose jo secili kandidat, ndërsa një veprim rrezikon ta shpallë procesin të paligjshëm, lidhet me votën online të një anëtari nga Vietnami, duke thyer rregullin e votimit të fshehtë. Në shkelje të parimit të barazisë, 5 kandidatë nuk u përfshinë fare në votim, Laureta Roshi, Floriana Paskali, Harilla Koçi, Enrik Mehmeti, Flamur Buçpapak.
Këshilli Drejtues i RTSH njoftoi një ditë më parë, 27 janar, se kishte që në fazën e dëgjesës të thirren vetëm dy kandidatët Jetmir Shpuza dhe Aurora Polo, aktualisht drejtoresha e komanduar e RTSH, ndërkohë 8 kandidatët e tjerë janë skualifikuar nga gara.
Nisur nga interesi publik dhe nevoja për transparencë mbi procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, ekspertët ligjorë bënë për RTSH-në një sqarim të procedurave dhe rrugës së ndjekur nga Këshilli Drejtues.
Kriteret dhe procedurat e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së përcaktohen në nenet 10 dhe 11 të Statutit të Radio Televizionit Shqiptar, miratuar me vendimin nr.98, datë 22.12.2016, të Kuvendit të Shqipërisë. Për shkak të vakancës së krijuar, në mbështetje të nenit 10 të Statutit, Këshilli Drejtues i RTSH, me vendimin e datës 06.01.2025, përcaktoi periudhën e aplikimit për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm, nga data 7 deri më 20 janar 2025.
Në mbështetje të nenit 11 të Statutit dhe vendimit të Këshillit Drejtues, kandidatët për postin e Drejtorit të Përgjithshëm dorëzuan në zarf të mbyllur te Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, dokumentacionin, sipas kritereve të shpallura, brenda 10 ditëve pas publikimit të tyre.
Në mbyllje të afatit rezultoi se kishin aplikuar 10 kandidatë, sipas procesverbalit të firmosur nga kryetari i Këshillit Drejtues. Me mbarimin e afatit të aplikimit, sipas nenit 11, pika 2, të Statutit, Këshilli Drejtues ka për detyrë të bëjë vlerësimin e kandidaturave të paraqitura në mbështetje të dokumentacionit të dorëzuar, të verifikojë dhe saktësojë vërtetësinë e tyre dhe, me votim të fshehtë, të vendosë përfshirjen e tyre në konkurrim, duke i renditur sipas rendit alfabetik të mbiemrit.
Këshilli Drejtues zhvilloi mbledhjen e tij, thirrur nga kryetari i KD, më 27 janar 2025. Gjatë kësaj mbledhjeje është diskutuar për kandidatët dhe plotësimin e kritereve (siç vërtetohet nga procesverbali) dhe janë marrë 3 vendime (bashkëlidhur vendimet nr.3, nr.4 dhe nr.5).
Këshilli Drejtues, me vendimin nr.3, datë 27.01.2025, vendosi në unanimitet ngritjen e komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët plotësojnë kriteret për konkurrim për pozicionin “Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së”. Ky komision përbëhej nga Dionis Papadhimitri, Ardita Reçi dhe Genc Përmeti.
Këshilli Drejtues, me vendimin nr. 4, datë 27.01.2025, vendosi në unanimitet mospërzgjedhjen e 5 kandidatëve për mungesë dokumentacioni për futjen në konkurrim, si: Laureta Roshi, Florina Paskali, Flamur Buçpapaj, Harilla Koçi dhe Enrik Mehmeti.
Këshilli Drejtues, me vendimin nr.5, datë 27.01.2025, vendosi përzgjedhjen e kandidatëve të cilët plotësojnë kriteret për konkurrim, me këtë rezultat votimi:
- Kliton Rama 4 pro/5 kundër
- Jetmir Shpuza 7 pro/2 kundër
- Ermal Hoxha 3pro/6 kundër Eni Vasili 4 pro/5 kundër
- Aurora Polo 7 pro/2 kundër
Sipas nenit 11, pika 3, të Statutit të RTSH, kandidatët që plotësojnë kriteret ftohen të paraqesin platformat e tyre para Këshillit Drejtues jo më vonë se 5 ditë nga data e përfundimit të afatit të aplikimit. Kandidatët kanë në dispozicion 15 minuta kohë për të paraqitur platformën e tyre dhe 15 minuta kohë për pyetje. Këshilli Drejtues, me vendimin nr.5, datë 27.01.2025, vendosi që në fazën e dëgjesës, si rezultat i votimit, të thirren: Jetmir Shpuza dhe Aurora Polo.
Në mbledhjen e Këshillit Drejtues u përcaktua dita e premte, datë 31 janar 2025, për zhvillimin e dëgjesave me kandidatët e thirrur./RTSH/