Lajmi se Zana Çela do të jetë drejtoresha e re e Përgjithshme të Radio-Televizionit Publik Shqiptar ka ‘marrë dhenë’ prej disa ditësh.
Por si është e vërteta?
Vetë Çela ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale (Facebook), duke hedhur poshtë këto lajme mbi emërimin e saj.
Prej një viti e gjysmë Çela drejton Agjencinë Kombëtare të Turizmit, teksa sqaron se lajmet për emërimin e saj në pozicionin e Drejtoreshës së Përgjithshmë të Radio-Televizionit Publik Shqiptar, janë të pa vërteta.
“Megjithatë, dua të sqaroj se kjo nuk është e vërtetë. Aktualisht, prej më shumë se një viti e gjysmë, unë drejtoj Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe jam plotësisht e përkushtuar në promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik. Jemi në kulmin e projekteve të rëndësishme që shërbejnë për të rritur vizibilitetin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, dhe ky mision mbetet fokusi im kryesor”, shkruan Çela ndër të tjera në reagimin e saj, duke i dhënë fund edhe spekulimeve apo thashethemeve që qarkullojnë si në media, apo edhe në rrjete sociale e më gjerë.
Ajo vlerëson dëshirën e fansave të saj për ta parë përsëri në projekte televizive, duke marrë parasysh edhe përvojën e saj në këtë fushë, por thekson se “është plotësisht e angazhuar në një tjetër rol të rëndësishëm për Shqipërinë”.
Postimi i plotë i Zana Çelës:
“Ju falenderoj sinqerisht për interesin dhe për dëshirën që shprehni për të më parë në pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të Radio-Televizionit Publik Shqiptar. Është gjithmonë nder dhe kënaqësi të lexoj vlerësimet tuaja për punën dhe përvojën time në fushën e televizionit dhe kulturës.
Megjithatë, dua të sqaroj se kjo nuk është e vërtetë. Aktualisht, prej më shumë se një viti e gjysmë, unë drejtoj Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe jam plotësisht e përkushtuar në promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik. Jemi në kulmin e projekteve të rëndësishme që shërbejnë për të rritur vizibilitetin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, dhe ky mision mbetet fokusi im kryesor.
E mirëkuptoj dëshirën e fansave për të më parë sërish në projekte televizive, duke marrë parasysh përvojën time në këtë fushë, por sot jam plotësisht e angazhuar në një tjetër rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë.
Ju falënderoj të gjithëve për konsideratën. Me respekt dhe mirënjohje, Zana Çela!”.