Adis Salla, kryetar i bashkisë së Cërrikut, mori pjesë në një takim të Partisë Socialiste në Selanik, dhe më pas, këtë aktivitet e postoi në faqen zyrtare të bashkisë. Kjo ka mjaftuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të nisë procedurat për gjobitjen e tij. Procesi shkaktoi debate mes Sekretares së Përgjithshme të Bashkisë Cërrik dhe Komisionerit Ilirjan Celibashi.
“Shkoi për të ndërgjegjësuar votuesit që të regjistrohen. Jemi në siklet, kemi takime të tjera në fundjavë në Itali”, tha përfaqësuesja e bashkisë.
“Ta ndajë mendjen, është kryetar bashkie, apo aktivist partie. Nëse shkon si kryetar bashkie, duhet të ftojë votues të të gjitha palëve. Ai mund të shkojë si aktivist partie, por të mos përfshijë bashkinë. Nëse ai nuk e di se çfarë detyrash ka si kryetar bashkie, atëherë është rëndë situata”, u përgjigj Celibashi.
Regjistrimi i emigrantëve shkaktoi debate edhe tek Komisioni Rregullator, ku disa anëtarë dhe partitë politike, kërkuan që KQZ të kontaktojë të gjithë ata që kanë aplikuar gabim e tu tregojë si ta bëjnë mirë kërkesën.
“ Nuk po ofroni ndihmë në kohë reale për zgjedhësit që kanë probleme. Nuk i keni kontaktuar e tu thoni: ti e ke kartën e identitetit, fotografoje nga ana e pasme, duhet ta kishit bërë konkretisht me secilin. Si ka mundësi që ai numri vetëm rritet aty i refuzimet? Po si ka mundësi që ta kenë fajin vetëm emigrantët e jo ne? Ne duhet të marrim masa për ta ndihmuar procesin. A i merrni ju në telefon?”, tha Muharrem Çakaj, anëtar.
“Nuk i marrim ne në telefon, vetëm përgjigjemi. Janë 16 persona. Janë 5 në turn që ndihmojnë zgjedhësit në linjën e ndihmës”, u përgjigj Jona Josifi, Drejtore e Votimit nga Jashtë.
“Procesi nuk është i thjeshtë, nuk është i lehtë. Të shihet mundësia për lehtësim”, u shpreh Franc Nuri, përfaqësues i PD
“Përgjigjja e refuzimit nuk mund të jetë e thatë, arsyeja konkrete duhet tu shkojë konkretisht. Duhet një politikë më e afërt e operatorëve me qytetarët që refuzohen”, tha përfaqësuesja ligjore e PS, Elena Xhina.
Deri më tani, pranë KQZ-së janë paraqitur 66 mijë kërkesa, nga të cilat janë pranuar vetëm 41 mijë të tilla, dhe janë refuzuar 24 mijë aplikime. Më shumë se 1/3 nuk ja ka dalë me sukses të regjistrohet.