TIRANË Ministria e Mjedisit do të ndryshojë legjislacionin, në mënyrë që parametrat e ndotësve të ambientit në vendin tonë të jenë të njëjtë me ata të BE-së. Aktualisht normat e ndotësve ambientalë në vendin tonë janë thuajse dy herë më të larta se atë të BE-së.

Situata e rënduar mjedisore në vendin tonë është pranuar edhe nga zëvendësministrja Olijana Ifti, e cila ka kërkuar angazhimine të gjithëve për ta përmirësuar ambientin që na rrethon.


Gjatë një takimi të mbajtur sot mes Ministrisë së Mjedisit dhe Delegacionit të BE-së, Zv ministrja Olijana Ifti deklaroi se projektiligji do të rihabilitojë problematikat e ndotjes së ajrit në vend.


“Nëse do të kërkonim për një përgjigje të situatës aktuale mbi cilësinë e ajrit,përgjigja do të gjendej tek çdo qytetar. Industria e rëndë, djegjet e gomave dhe shkarkimet e shumta ndosin ajrin duke paraqitur një situatë problematike dhe serioze.Projekt-ligji i ri do të bëjë të mundur që të gjithë operatorët që ndosin ajrin të ndalohen.Qeveria i detyrohet qytetarëve për rezultate konkrete, duke koordinuar veprimtarinë nëpërmjet pushteteve vendore dhe qëndrore”, u shpreh Zv ministrja Ifti.

"Menaxhimi i cilësisë së ajrit" ka qenë tema e takimit mes Ministrisë së Mjedisit dhe Delegacionit të Bashkimit Europian, në kuadër të projektit të Asistencës teknike për Forcimin e Kapacitetit të Ministrisë së Mjedisit në Shqipëri për Hartimin dhe Detyrimin e Legjislacionit Mjedisor Kombëtar(SELEA).

Redaksia Online
(ak/Shqiptarja.com)