ITALI - Klubi i Lazios ka nisur të ndërtojë skuadrën për sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit të ri, Gennaro Gattuso. Teksa pritet vetëm zyrtarizimi i teknikut italian, drejtuesit bardhekaltër po punojnë për të përforcuar repartin sulmues dhe jo vetëm.
Sipas raportimeve të së përditshmes italiane 'La Repubblica', sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Broja, është një nga emrat që po ndiqet me interes nga Lazio. Sulmuesi shqiptar pritet të ndryshojë ambient gjatë merkatos verore, pas rënies së klubit të tij anglez në Championship.
Kartoni i Brojës vlerësohet rreth 12 milionë euro, megjithatë një transferim i mundshëm mund të realizohet edhe nëpërmjet formulës së huazimit. Profili i sulmuesit shqiptar pëlqehet nga Gattuso, i cili e konsideron atë një alternativë të vlefshme për repartin e avancuar.
Ndërkohë, Lazio po monitoron edhe situatën e Sebastiano Esposito, duke mbajtur të hapura disa pista për sulmin.
Nuk është hera e parë që emri i Brojës lidhet me një kalim në elitën e futbollit italian. Në sezonet e fundit, interes për të kanë shfaqur edhe klube të rëndësishme si Milani dhe Napoli.
Komente









