Një sulm izraelit me dron në Rripin e Gazës ka vrarë një prej zyrtarëve më të lartë të sigurisë së Hamasit, ndërsa katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Brendshme dhe e Sigurisë Kombëtare e Gazës, e cila identifikoi viktimën si Gjeneral Brigade Naim Abu Nahl, 50 vjeç drejtor i Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Hamasit.
Sipas autoriteteve lokale, Abu Nahl po ecte në rrugë në momentin kur u godit nga droni. Nga sulmi u plagosën edhe katër persona, mes tyre një grua palestineze, të cilët u transportuan për ndihmë mjekësore në Kompleksin Mjekësor al-Shifa.
Zona ku ndodhi goditja raportohet se është e populluar nga persona të zhvendosur, të cilët janë strehuar në këtë pjesë të Gazës.
Hamasi e ka dënuar vrasjen, duke e cilësuar atë si krim lufte dhe duke akuzuar Izraelin se synon të krijojë një "gjendje kaosi" në Rripin e Gazës.
“Ne pohojmë se këto vrasje frikacake nuk do të arrijnë të thyejnë vullnetin e popullit tonë, as nuk do t’i pengojnë forcat tona të sigurisë dhe të policisë të kryejnë detyrën e tyre kombëtare në mbrojtjen e frontit të brendshëm dhe në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit”, thuhet në deklaratën e grupit.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Gazës pretendon se vrasja e zyrtarit të lartë vjen në një kohë kur Shërbimi i Sigurisë së Brendshme kishte shënuar përparime në goditjen e grupeve që i cilëson si "banda që bashkëpunojnë me pushtuesin dhe veprojnë në zona nën kontrollin ushtarak izraelit".
Nga ana tjetër, ushtria izraelite dhe shërbimi i sigurisë Shin Bet konfirmuan përmes një deklarate të përbashkët se kishin kryer një sulm ndaj një figure të lartë të Hamasit, por pa bërë fillimisht publik identitetin e saj. Autoritetet izraelite njoftuan se detaje të tjera do të publikohen më vonë.
Transmetuesi publik izraelit Kan raportoi më pas se objektivi i sulmit ishte pikërisht Naim Abu Nahl. Duke iu referuar burimeve izraelite, media bëri të ditur se ai kishte marrë drejtimin e Shërbimit të Sigurisë së Brendshme pas arrestimit të paraardhësit të tij, Moein al-Arbeid, gjatë një operacioni special izraelit në muajin shtator. Ky i fundit raportohet se vijon të mbahet në paraburgim në Izrael.







Komente
Komento