Me pak fjalë, qytarët shqiptarë, ngado që të kthejnë kanalin e televizionit të tyre, duhet të dëgjojnë atë që ju thotë Rama, Berisha apo Meta, dhe jo realisht atë që vlerësojnë gazetarët apo editorët se është i rëndësishëm në një lajm.
Partitë politike, ndihen komode nga një urdhër i tillë që vjen në kundërshtim të plotë me parimin e lirisë së fjalës, të shprehjes, dhe lirisë së gazetarëve në shkrimin e raportimin e lajmit. Ndërkohë që gazetarët, duhet të kishin dhënë ulërimën, për këtë përdhunim që u bëhet zanatit të tyre.
Kushdo që ka një diplomë gazetari në xhep, do të duhet të ndihet i turpëruar nga marrja e një materiali të gatshëm e transmetimi i saj si të ishte një njoftim i zyrave të shtypit, pa u thelluar në analizë, apo pa bërë intervista që të nxjerrin të vërtetat e mashtrimet e partive politike apo programeve të tyre elektorale.
Ndoshta duhet të përfshihemi në një shembull konkret: fjala vjen nga ndonjë miting, zyra e shtypit e PD apo kryeministrit, do të mendonte se për popullin do të ishte shumë më mirë që gjatë një mitingu elektoral të dëgjohej shprehja e kryeministrit Berisha: “Rama është një i sëmurë psiqik, është i biri i të atit. Ti more zotëri, me bllokmenët e tu, nuk mund ti imponohesh këtij populli, ndaj shqiptarët do të vazhdojnë Përpara”. Kaq do të jetë sinkroni, dhe ju duhet ta shihni në lajmet e TCH, Klan, A1Report, OraNews, VizionPlus, ABC News etj.
Ashtu sikurse nga Rama, zyra e shtypit mund të zgjidhte sinkronin e Edi Ramës: “kryeministri plak, që vërtitet nga një miting te tjetri me jelek antiplumb, duhet të kuptojë se kush i ka përndjekur shqiptarët, unë apo ky zotëria që ka qenë në Partinë e Punës në 25 vjet”. E këtë sinkron, duke përfshirë edhe vendin se ku bëhet deklarata, duhet ta japin e transmetojnë të gjithë.
Katër vite më parë, TCH ndërmori një hap dhe një vendim të guximshëm duke i thënë “stop” parimit të pranimit të kasetave të montuara në selitë e partive politike. Këto të fundit, perfeksionuan medodologjinë e punës së tyre. Duke e ditur se media shqiptare ka vështirësitë e veta financiare, krijuan të ashtuquajturat “regji e përbashkët”, pra një regji e vendosur pranë selive të partive, dhe prej andej vendoset linku për të transmetuar direkt çdo lloj aktiviteti. E ndërkohë që partitë politike perfeksionojnë metodologjinë e manipulimit të medias e publikut, media, e cila gjendet e papërgatitur, detyrohet të pranojë realitetin, që në fakt, e fut atë në një tjetër hulli të mungesës së profesionalizimit.
Ndoshta ka ardhur koha të thuhet “stop” dhe gazetarët të bëjnë detyrën e tyre, ndërkohë që politikanët duhet të bëjnë të tyren. Jemi vërtet në fushatë elektorale, por axhendën e mediave, nuk mund ta bëjnë partitë politike. Partitë politike mund të komandojnë strukturat e tyre, ndërkohë që median duhet ta lënë të lirë, jashtë ndikimeve që e çojnë disa hapa pas sa i përket profesionalizmit. Thënë më ndryshe, media ka bërë përparime në teknologjinë digitale, por në aspektin profesional të personelit dhe punëtorëve mediatik, duket se jemi kapur të papërgatitur.
Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për lajmin, por edhe për debatet televizive. Gazetarët, duhet të koordinojnë me zëdhënësat e zyrave të shtypit të forcave kryesore politike, që këta të fundit të japin emrat e politikanëve që duhet të jenë në emision. Dhe fjala vjen, te opinioni i Klan, u pa se ishin emisione të dështuara ato të debateve mes kandidatëve për Lezhën apo Korçën, ndërkohë që sipas gjithë gjasave dhe diskutimeve, duhet të kishte të tjera tema të debatueshme. Partitë politike kanë arritur deri aty sa të thonë se nuk u pëlqen tema e opinionit në studion e Klan, TCh, A1Report apo OraNeës. Dhe të vendosin vetë për temën e emisionit, apo edhe për të ftuarit. Madje, partitë politike nuk japin emrat e politikanëve që duhet të hyjnë në studio, nëse nuk marrin vesh se kush do të jetë nga pala tjetër. Drejtuesit dhe stafet e emisioneve politike, janë duke vuajtur “ngërçin” e lojës kukamfshehti duke pranuar apriori verdiktin e forcave politike.
Stop. Ka ardhur koha ti themi stop kësaj praktike mediokre të manipulimit të medias. Nuk është fare e rëndësishme nëse x televizion mbështet rrotacionin, e “Y” televizion kërkon vazhdimësinë. Kjo lloj praktike e manipulimit të medias na përfshin të gjithëve, na shkëput nga misioni që kemi, dhe na kthen në vegla në duart e politikës. Gazetaria shqiptare ka emra kurajozë, ka njerëz me përvojë më shumë se 20 vjeçare në fushën e medias, ka njerëz të përgatitur, të trajnuar, ka njerëz të aftë që do të mund të thonë ndal. Në mënyrë publike do t’u kërkoja kolegëve Arizaj, Bushati, Shkullaku, Balla, Fevziu, Baze, Stefani, Nano, Dervishi, Rakipi, Sulo, Lela, Nazarko, Tela, Çili, Malltezi, Rrozhani, Dervishi, Çipa, Meço, Picari, Minxhozi, Abilekaj e shumë e shumë kolegë që kemi vite që përpiqemi në industrinë e medias, të dalim me një qëndrim publik, për të shpëtuar nga kurthi ku duan të na fusin partitë politike. Ndoshta media shqiptare ende nuk është në fazën më të mirë të saj, por në mënyrë të kohëpaskohshme, kemi deklaruar se pushteti i katërt është në pararojë të zhvillimit të vendit, dhe pararojë në përpjekjet për kapërcimin e këtij tranzicioni të vështirë.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)