Gazetarët që u larguan nga jeta
në dy dekadat e fundit/Emrat

Gazetarët që u larguan nga jeta<br />në dy dekadat e fundit/Emrat
Në harkun kohor të 2 dekadave mjaft kolegë tanë të gazetarisë nuk janë mes nesh. Në më të shumtën e rasteve ata kanë ndërruar jetë për shkak të sëmundjeve të rënda të pashërueshme, por ka mes tyre edhe të vrarë në mënyrë enigmatike, ne vrasje që nuk janë zbardhur ende.

Më i fundit është miku dhe kolegu ynë Andrea Stefani, i cili sot më 8 dhjetor duhet të mbushte 58 vjeç, por u largua në mënyrë tragjike nga jeta për shkak të një sëmundjeje të rëndë.

Ikja e tyre e parakohshme ka lënë pas një boshllëk si në fushën e raportimit të lajmeve ashtu edhe të analizës. Ky boshllëk bëhet akoma më kumbues po të kihet parasysh edhe situata në të cilën ndodhet sot shtypi shqiptar, i cili gjithnjë e më pak po shkel në terren dhe gjithnjë e më shumë po bëhet skllav i lajmeve virtuale, të sipërfaqshme, me difekte të theksuara profesionalizmi, e në shumicën e rasteve të shpifjes pa fre.

Ali Ukaj
Ali Ukaj u vra në mesnatën e 28 korrikut të vitit 1997 në mënyrë misterioze, një vrasje ende e pazbuluar deri më tani. Ali Ukaj 27 vjeçar, me profesion gazetar, i konsideruar si një nga zëdhënësit e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një nga ideatorët e emblemës së UÇK-së. Ai u gjet i vrarë e madje i masakruar në një nga banesat e Tiranës. Prej 28 korrikut të vitit 1997 kanë kaluar 18 vjet ndërsa kjo vrasje mbetet e mbuluar me “dheun e zi” njësoj si trupi i Aliut që tash prehet në vendlindjen e tij në Lumbardh. Ali Ukaj ishte me profesion gazetar, punonte në të përditshmen “Gazeta Shqiptare” në Tiranë.
Për vrasjen e Ali Ukajt janë shkruar artikuj të ndryshëm që kanë tentuar të zbardhin vrasjen e tij, por deri më tani nuk është zbardhur asgjë.


Teodor KEKO
Në 20 gusht 2002, u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë në moshën 44-vjeçare një prej penave më therëse të letra shqipe dhe të publicistikës, Teodor Keko. Deri në fund të jetës ai mbeti një antikonformist, intelektual me kontribut të veçantë në proceset demokratike të vendit dhe një bohem i papërsëritshëm. Pas mbarimit të studimeve për Gjuhë e Letërsi, punon në organet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, fillimisht në gazetën “Drita” e më pas në revistën “Nëntori”. Gjatë këtyre viteve ai mbetet një nga bashkëpunëtorët më të afërt të shtypit të kohës, veçanërisht revistës “Hosteni” dhe gazetës “Zëri i Rinisë”, ku përmes penës së tij të hollë trajtoi probleme të mprehta të politikës kulturore dhe tema “tabu” për kohën. Në korrik të vitit 1990 thirret në takimin e ish-Presidentit Ramiz Alia me intelektualët e vendit. Po atij viti, në tetor, thirret në Konferencën e talenteve të reja në Korçë, ku shquhet edhe antikonformizmi i tij në diskutimin që më pas tërhoqi vëmendjen e qarqeve zyrtare. Në dhjetor bashkohet me Lëvizjen Demokratike.
Në vitin 1991 zgjidhet anëtar i këshillit botues të së parës gazetë opozitare në Shqipëri, gazetës “Rilindja Demokratike” dhe në të njëjtën kohë deputet i Partisë Demokratike. Shkrimet e tij të shumta gjatë këtyre viteve në gazetat “Rilindja Demokratike”, “Koha Jonë”, “Aleanca Demokratike”, “Poli i Qendrës”, “AKS”, “Albania” e “Korrieri” apo revistat “Spektër” e “XXL” si dhe fjalimet e mbajtura në parlamentin shqiptar gjatë dy legjislaturave që ai ishte deputet, shkrime e fjalime që kishin postulat kredon e tij “Ka ardhur demokracia dhe ne nuk jemi demokratë, apo nuk ka ardhur ende demokracia për ne demokratët”…, mbeten edhe sot modele të publicistikës dhe oratorisë si për guximin qytetar, thellësinë e mendimit ashtu dhe për forcën e fjalës. Në vitin 1996, i zhgënjyer largohet përfundimisht nga politika e drejtpërdrejtë dhe vendos të kontribuojë si intelektual, përmes fjalës në shtypin e shkruar. Keko do të mbahet mend gjatë jo vetëm për stilin e tij të të shkruarit, por edhe për natyrën polemizuese plot humor e sarkazëm. Një shkollë e vërtetë për çdo gazetar.

Agim Nezaj
Edhe Agim nezaj ishte një personazh i njohur i publicistikës shqiptare gjatë dy dekadave të fundit. Ai u nda nga jeta dje në moshën 54-vjeçare pas një sëmundje të rëndë. Pedagog dhe autor librash, Nezaj është i njohur për kontributin e dhënë për gazetarinë shqiptare. Ndarja e tij e parakohshme nga jeta është pritur me hidhërim nga miqtë dhe lexuesit. “Me ikjen e parakohshme të Agimit, gazetaria shqiptare, arti i komunikimit me publikun dhe institucionet tona shtetërore, ku u shqua për vite me radhë si një zëdhënës dhe këshilltar për shtyp i përkryer dhe jetëgjatë, humbën një nga personalitetet e spikatur, një nga pikat kryesore të referimit akademik dhe mbi të gjitha njerëzor, ndërsa ju, bashkëshortin, prindin dhe të afërmin tuaj më të shtrenjtë”, do të shprehej në mesazhin ngushëllues drejtuar familjes, Presidenti Bujar Nishani.

Andrea Stefani
Një humbje mjaft e rëndë për gazetarinë ishte edhe ndarja nga jeta e analistit të njohur Andrea Stefani. Ai ndërroi jetë pasi vuante prej muajsh nga një sëmundje e rëndë. Dimensionit të tij si gazetar i bashkëngjitet edhe aktivizmi i theksuar veçanërisht në përpjekjet qytetare kundër korrupsionit dhe dominimit autoritarist të shtetit. Stefani ka qenë kryeredaktori themelues i së përditshmes “Shekulli” dhe për shumë vite drejtues i programit investigativ antikorrupsion “Hapur”. Për më shumë se 10 vjet është mjaft i pranishëm në debatet e përjavshme televizive. Është autor i librit publicistik “Albanistan”. Me ikjen e Stefanit gazetaria serioze shqiptare humbi një nga penat e saj më të vyera dhe një nga polemizuesit më të guximshëm në arenën e debatit politik.

Agron Bala
Jo pak hidhërim në botën e gazetarisë shkaktoi edhe largimi nga jeta i gazetari të njohur Agron Bala. Ai prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë, prej së cilës nuk arriti të shpëtonte. Kontributi i tij në gazetari daton që në fillim vitet ’90. Ai ka punuar në disa radio e televizione. Përvoja e tij më e gjatë ka qenë në Radio Televizionin Shqiptar, ndërkohë që ka dhënë kontribut edhe si pedagog në Universitetin e Tiranës.

Zef Lleshi
Me një përvojë gati 30 vjeçare për gazetarinë ishte një humbje edhe ikja nga jeta e gazetarit Zef Lleshi. Ai vuante prej muajsh nga një smëundje e rënd. Lleshi ka punuar në disa media dhe është shquar për mënyrën serioze të të shkruarit dhe të argumentuarit të femomeneve me natyrë politike dhe ekonomike. Ikja e Lleshi zbehu realisht koloritin e zërave në fushën e gazetarisë që ishin të përkushtuar në këtë profesion.

Kreshnik Zeqaj
Kreshkik Zeqaj është një ndër gazetarët me moshën më të re që u nda nga jeta si pasojë e një goditje në zemër në moshën 27-vjeçare. Kreshniku ka ndërruar jetë në Londër aty ku jetonte prej kohësh me vëllanë e tij. Në Shqipëri Zeqaj punoi për mediat më në zë ndër të cilat A1 Report ,”News24″ e Abc News, ku krijoi respektin dhe përkushtimin për punën ashtu sikurse e njohin dhe kolegët gazetarë. “Një humbje që në start”, do ta komentonin kolegët largimin e tij nga jeta./JavaNews

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar