Duket sikur qyteti ka mbetur në Otranto, ndërsa në brigjet përballë, natyra, në gjendjen e saj primare. Në këtë qytet u organizua ceremonia e dhënies së çmimeve të gazetarisë në edicionin e 5-të të “La Caravella del Mediterraneo”. E veçanta? Këtë herë triumfuan gratë dhe vajzat. Reportazhe nga Iraku, Siria, Libani, Maroku. Histori njerëzore të sjella në shtypin e shkruar, në Tv dhe në ëeb përmes gazetarëve të kombësive të ndryshme.
GAZETARË TË MESDHEUT MBLIDHEN BASHKË
Në perëndim të Diellit, në një nga sheshet në portat e Kalasë, gazetarë, qytetarë e personalitete u ulën krah për krah për të dëgjuar fituesit e për të parë punën e gazetarëve në Mesdhe. Prej shumë vitesh Italia ka një rol këmbëngulës për të mbledhur e për të bashkëpunuar me vendet që lagen nga pellgu i Mesdheut. Krahina e Puljas ka dhe një funksionare të lartë për këtë, Silvia Godelli, mike veçanërisht e shqiptarëve.
Këtë vit, në vleresimet e dhëna, - si ato të “Caravella del Mediterraneo” dhe me fituesit e konkursit që bëhet paralelisht për shkrime dhe video të realizuara në rajon, - ra në sy këmbëngulja, guximi, profesionalizmi i vajzave reportere nga zona të nxehta si Siri, Egjipt, Irak, të cilat punojnë mes vështirësive të panumërta edhe në vende si Italia. Si për shembull fituesja e Çmimit të parë Laura Silva Battaglia, me një reportazh të mrekullueshëm realizuar mes grave të dhunuara irakene. Laura Silvia, është gazetare free lance, pra pa asnjë kontratë nga ndonjë televizion apo gazetë. E megjithatë, veshtirësitë ekonomike nuk e kanë penguar të realizojë një dokumentar të rëndësishëm dhe origjinal transmetuar nga RAI TRE.
Giuliana Sgrena, gazetarja dhe shkrimtarja e rrëmbyer në Irak në vitin 2005, nuk flet shumë në publik për veten. Në Otranto ajo ishte duke treguar përmes eksperiencës së saj, vlerën e jashtëzakonshme të jetës: “Unë jetoj çastin, nuk mund të bëj projekte për të ardhmen pas asaj që ndodhi”, u shpreh, “e vlerësoj më shumë jetën pas tmerrit të mbajtjes peng në Irak dhe çdo sekondë është shumë e shtrenjtë. Nuk mund të mos falenderoj një njeri që më shpëtoi dy herë, duke humbur jetën e tij: Nicola Calipari. Më shpëtoi nga pengmarrësit dhe më pas, me trupin e tij, më mbuloi nga plumbat e postobllokut amerikan”. Giuliana Sgrena është një grua e imët, por e fortë. Përcjell një modesti dhe dëshirë për të dëgjuar gazetarët më të rinj dhe preferon të mos japë mend përmes këshillave.
SHQIPËRIA NDËR MË TË VLERËSUARAT
Për Shqipërinë dhe shqiptarët u fol shumë në mbrëmjen e bukur organizuar në Otranto. Free and Fair Media Group, me Shqiptarja.com e A1Report u vlerësuan për përcjelljen e lajmeve që integrojnë me profesionalizëm realitetin shqiptar. Ndërsa regjisori Italian Daniele Vicari u vlerësua për “La nave Dolce”, dokumentarin që fokuson ikjen e shqiptarëve me Anijen Vlora. I pranishëm në aktivitet dhe Ilir Butka i TIFF, i cili ka një bashkëpunim serioz me krahinën e Puljas në fushën e artit të kinematografisë. Butka ka fituar çmimin “Caravella del Mediterraneo” në edicionin e parë, ndërsa gazetarja Elsa Demo, ka fituar konkursin e këtij çmimi, një vit më pas. Të gjithë ishin në një zë: Shqiptarët nuk janë më ata të Anijes Vlora; Sot në Itali shqiptarët janë nga Balerinë të parë në La Scala, mjekë, sportistë, por mbetet akoma shumë për të bërë.
Prokuratori i njohur antimafia Giuseppe Scelsi, dorëzoi çmimin Caravella për Free and Fair Media Group (çmim nën patronazhin e Presidentit të Republikës Italiane Giorgio Napolitano), duke vlerësuar rëndësinë e informacionit të lirë, të vërtetë dhe të drejtë për të gjithë Rajonin.
“La Caravella del Mediterraneo” është një çmim i rëndësishëm i gazetarisë së Mesdheut, i cili ka dhe përkujdesjen e veçantë të Presidentit Italian Napolitano. Sipas Tommso Forte-s, organizatorit të konkursit, gara është e hapur për të gjithë gazetarët, kameramanët e vendeve të Mesdheut dhe fluksi i pjesëmarrjes po rritet nga viti në vit.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.09.2013
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)