Kreu i kompanisë italiane Eni erdhi sot në Tiranë për të folur me kryeministrin Rama për projektet energjetike në Shqipëri, nga kërkimet për gaz te energjia e rinovueshme.

Në takimin e zhvilluar në Tiranë, CEO i kompanisë ENI, Claudio Descalzi, dhe kryeministri Edi Rama, u ndalën te aktivitetet që kompania po zhvillon dhe planifikon të zhvillojë në vend.

Një nga temat kryesore ishte kërkimi për gaz, veçanërisht leja për shfrytëzimin e bllokut të zonës naftëmbajtëse të Dumresë, e cila iu dha kompanisë në vitin 2019. Palët folën edhe për projektet që lidhen me kalimin drejt energjisë së pastër.

Në bisedë u përmendën edhe planet për energjinë e rinovueshme dhe interkonjeksionin Itali Shqipëri që do të nxisë eksportet e energjisë.

Kompania italiane ENI ka operuar në Shqipëri në fillim të viteve 90’ në dy blloqe në Detin Adriatik, por pa sukses në zbulimin e naftës e gazit, ndaj u largua në vitin 99’. Ajo u rikthye në Shqipëri në vitin 2019 me marrëveshjen për Dumrenë duke e parë vendin si pjesë të planeve të saj afatgjata në rajon.

Paralelisht me këto projekte, në vitin 2025, kompania nisi një investim në qytetin e Lushnjës për përdorimin e tokave djerrë për prodhimin e lëndës bujqësore për biopërpunim.