Gazmend Leka: Ibrahim Kodra
më kërkoi ta varrosin në Ishëm

Gazmend Leka: Ibrahim Kodra<br />më kërkoi ta varrosin në Ishëm
TIRANË - Na ndajnë vetëm pak ditë nga zhvarrosja e eshtrave të Ibrahim Kodrës nga Ishmi, sipas një vendimi të fundit të Ministrisë së Kulturës. Banorët e Ishmit prej dy ditësh kanë vijuar protesta për të mos e larguar piktorin e madh nga vendi i Lindjes. Zëvendësministri i Kulturës Zef Çuni shkon në Ishëm që t’i sqarojë protestuesit, ndërkohë që këto protesta janë quajtur të ligjshme nga artistët të njohur.

Ndërsa Ministria e Kulturës e justifikon vendimin se vetë piktori ka lënë testament e do të varroset te Kodra e Liqenit, nuk na e bënë transparent testamentin sipas premtimit të Zef Çunit. Këshilltarja për median e quan “një veprim të paligjshëm publikimin e tij”, pasi sipas saj në MK e ka çuar fondacioni Ibrahim Kodra bashkë me kërkesën për lëvizjen e eshtrave të piktorit nga vendlindja.  Ndërsa janë hapur shumë probleme të panjohura me akte ligjore.

Ende nuk po bëhet e qartë se çfarë është e ligjshme, dhe çfarë, ende pjesa më e madhe dyshojnë nëse e ka thënë fjalë për fjalë Ibrahim Kodra në testament se dëshironte një varrim në Tiranë dhe tek Kodrat e Liqenit. Shumica nga ata që e kanë njohur e biseduar me të, janë shprehur se ai ka dëshiruar të prehet në Ishëm të Durrësit. Piktori i njohur Gazmend Leka ka biseduar vetë me Ibrahim Kodrën dhe rrëfen dëshirën e tij të shprehur kur ishte gjallë në vitet 2000-2001.
 
Zoti Leka, problemi i zhvarrosjes së Ibrahim Kodrës ka sesnsibilizuar gjithë banorët e Ishmit. Ju si piktor mendoni se “lëndohet” një dëshirë e mjeshtrit Kodra. Si e vlerësoni marrëdhënien e tij me vendlindjen në art, duke iu referuar simbolikës së veprave të tij?
-Sot në mëngjes e dëgjova lajmin dhe të them të drejtën m’u duk e habitshme, pasi m’u kujtua, që vite më parë, kur është varrosur trupi i tij në Ishëm, Ministri i Kulturës z.Bujar Leskaj u shpreh në fjalën e rastit, se ishte një dëshire përfundimtare e Kodrës të prehej në vendlindjen e tij. Askush nuk dyshon se vendlindja e Kodrës është Ishmi. E përcolla si për një amanet të fundit të piktorit. Një amanet që ma kish shprehur dikur.

Nuk di nëse kanë gjetur një amanet tjetër pas 10 vjetësh, një amanet të zverdhur kimikisht sirtarëve të dikujt, i cili ka 10 vjet që ka heshtur dhe tashti e nxjerr si një “AS “ nën mëngë. Nuk e kam parë të shkruar në kartë dhe çdokush mund të pretendojë se ruan të vërtetën... Por, përtej këtij dokumenti, unë do të arsyetoja ndryshe.

Së pari, është më e drejtë që Kodra të prehet në vendin e tij të lindjes, ku banesa e tij e fundit të kthehet në një vend pelegrinazhi për këtë piktor të vlerësuar si “Nderi i Kombit”. Banesa e tij e fundit do jetë një vend i vizitueshëm për ne shqiptaret dhe të huajt. Vetë Ishmi, në këtë mënyrë do të zërë një vend të respektuar në hartën e historisë shpirtërore të Shqipërisë.

Së dyti, pretendimi për ta rivarrosur në kodrat e liqenit pranë vëllezërve Frashëri nuk më duket i drejtë, ashtu si nuk m’u duk i drejtë edhe rivarrimi i Konicës pranë Rilindësve të mëdhenj. Tre vëllezërit Frashëri tashmë janë një institucion dhe për veçoritë e misionit që ata kryen është e vështirë t’u qasësh një figurë tjetër, sado e madhe që të jetë ajo. “Shtatin” e KODRES e ka edhe V.MIJO, S.KACELI, N.ZAJMI, K.KODHELI etj, të cilët flenë të qetë diku ne varrezat e thjeshta popullore me gjithë kontributin e madh që dhanë për artin shqiptar. Do ishte një “gabim “ nëse do të pretendohej t’i rivarrosnin pranë vëllezërve Frashëri.

Së treti, është e turpshme që, sipas dëshmive të banorëve të Ishmit, tek varri i Kodrës shkojnë disa punëtorë të komunales, me një makinë varrimi, për ta zhvarrosur “NDERIN E KOMBIT“. Ngulen lopatat pa ceremoni zyrtare, pa pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës, Kryeministrit apo Ministres së Kulturës. “NDERI I KOMBIT“ tentohet të zhvarroset pa protokoll! Por ishin banorët e Ishmit që bënë rezistencë dhe nuk lejuan të ndodhte ky turp. Një jurist nga Ishmi, anëtar i shoqatës “Ibrahim Kodra“ më tregonte se këtë të drejtë e ka vetëm kryeministria dhe se veprimi i zhvarrimit mund të kryhet brenda një harku kohor prej 15 vjetësh. Nuk mund të bëhet me një shkresë të Ministrisë së Kulturës apo të  Bashkisë së Durrësit. Sipas kësaj dëshmie, veprimi është i paligjshëm.
 
Ka pasur pretendime nga organizatorët e këtij “zhvarrimi” se bëhet për shkak të mosmirëmbajtjes në Ishëm. Sa e justifikon kjo këtë zgjidhje të re?
-Dëgjova të thonë, se varrin e Kodrës duan ta lëvizin, pasi banorët e Ishmit e kanë lënë pas dore dhe nuk ja kanë ngenë të vënë as edhe lule në të. Qarkullon një thashethem i tillë. Kjo ndodh gjithmonë kur duan që të çfokusojnë një të vërtetë.

E çngjyrosin, e bëjnë gri e më pas e shesin për hiçmosgjë. Është qesharake të dëgjosh këtë pretendim, ndërkohë që po këta thashethemexhinj në ditën e 17 Janarit nuk e përkujtuan Heroin e Madh Shqiptar, Gjergj Kastriotin. Gazetat ishin plot portrete politikanësh atë ditë, ndërkohë që Shqipëria e ka për detyrim të nxjerrë një ligj, ku çdo 17 Janar të ulë flamurin kombëtar në gjysmë shtizë në kujtim të tij. Por, këtu nuk ka vesh kurrkush të dëgjojë, pasi dëgjojnë vetëm mërmërimën e tyre çdo mëngjes para pasqyrës në banjë kur rruhen.
 
Pothuajse të gjithë piktorët janë kundër një zhvendosjeje të tillë. Mendon se duhet bërë një apel apo një dialog miqësor me instancat më të larta për ta rishikuar edhe njëherë vendimin?
-Patjetër. Është e domosdoshme. Kur ndërmerren vendime të tilla është e udhës të testohet opinion publik, siç ndodh në vendet ku respektohet mendimi i bashkësisë. Kjo që ndodh tek ne është reagim feudal. Feudali i di të gjitha dhe bujkrobi duhet të mbyllë gojën me një çapë bukë që mos të bëjë zë.
 
Kur ka qenë takimi juaj i fundit me Kodrën. Çfarë kujtimesh e mesazhesh ka lënë ai për vendlindjen dhe Shqipërinë?
-Shprehem për Kodrën kështu, pasi kam edhe një detyrim moral ndaj tij. Shumë vite më parë në Milano, kur çelëm një ekspozitë me Prenjasin, Çulin dhe Osekun, ishte Kodra që mbajti fjalën e rastit. Erdhi duke u çapitur, pasi ishte sëmurë por, kur nisi të flasë, nuk çapiti më. Foli 45 minuta. Foli për Shqipërinë, artin shqiptar, pikturën shqiptare dhe për secilin nga ne që ekspozuam.

Foli me një dashuri mbresëlënëse. Me një italishte të pasur letrare foli për njerëzit e afërm dhe për vendin e tij, Ishmin, që kish mall ta rishihte. Më pas ndenjëm gjatë me të dhe biseduam po aq gjatë. Nga fundi m’u afrua e më tha: “-Gazi, kam dëshirë, që kur ta lë këtë botë të prehem në Ishmin tim! Dëshiroj të shoh në jetë të jetëve, kështjellat e Ishmit, Durrësin dhe Tiranën…


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Raporti i ISW: Ndalimi i përdorimit të armëve perëndimore nga SHBA në Rusi, po dëmton mbrojtjen e Kievit

Raporti i ISW: Ndalimi i përdorimit të armëve perëndimore nga SHBA në Rusi, po dëmton mbrojtjen e Kievit