Gazmend Leka: Piktura është portreti im i plotë ndër vite

Gazmend Leka: Piktura është portreti im i plotë ndër vite

Kur përgjatë shekujve, molla që e kafshoi gruaja e parë e njerëzimit, Eva, po tretej deri në farën më të fundit me gjithë ngarkesën e saj narrative e simbolike - piktori Gazmend Leka e rikrijoi simbolin e saj nga e para.

Të bukurën e dheut Mollë..., të parën e frutave të kopshtit të Edenit - herë mollë, e herë grua - ai e çliroi nga pesha qindrashekullore e mëkatit, duke e kthyer në ngjarje.

Katër vjet më parë, ekspozita “Molla” e çelur në galerinë FAB në Tiranë, ishte vërtetë një ngjarje artistike për artdashësit dhe kritikët e artit. Në këtë ekspozitë piktori na rrëfente: “E perceptoja mollën si një objekt-simbol, që e ka shoqëruar njeriun gjithë jetën, deri në ditët e sotme. Kurrë nuk kam ndeshur një frut, që të jetë përgojuar më shumë sesa molla. Përgojuar, në të mirë e në të keq.”  

Dhe vërtetë: ngjarja apo ngjarjet, përmbysja apo përmbysjet, revolucioni, shpërthimi, ndodhin në telajon e Gazmend Lekës sapo ai nis monologjet e para përballë saj.

Me kalimin e ditëve, në studion e artistit nuk do të vonojë të ketë një ngjarje tjetër, një “Po ndodh!”. Monologu përballë telajos vjen e bëhet më dramatik. Mitet, legjendat, filozofia nisin të shkrihen fare, të prekin dritën burimore të muzës dhe të ngjizen me të përditshmen në pikturën e Gazmend Lekës.

Pra, fill pas efektit të pashlyer të ekspozitës “Molla”, Gazmend Leka tri vite më parë, në vitin 2018,  u kthye para artdashësve të kryeqytetit me një tjetër ekspozitë “Lutja”, që na ftonte të kuptonin magjinë e krijimit. “Lutja” vinte si një ftesë në brendësinë e studios së piktorit, ku meditimet e thella tronditëse fshiheshin prapa telajove të përmbysura dhe ku autori lutej në heshtje për suksesin dhe përjetësinë.

E ja kështu, çdo cikël piktorik i Gazmend Lekës sikundër edhe “Black Box”; “Natura Morta” e “Totemi” tronditin, duke na detyruar ta kapërcejmë instiktin, sepse përtej instiktit vjen krijimi vet.

Në pikturat e krijuara në një klimë Exupéry-ane, të parëlindura në një në vetmi të dlirë, përfshihen edhe ndjesitë tona; e mbështillen këto ndjesi me një rezonancë kozmike, që të lë pa fjalë, ashtu sikur yjet që na detyrojnë të qëndrojmë me kokën ngritur nga qielli; edhe pse ato pikëza drite të para nga toka nuk janë ato objekte vetë që fshihen aq larg, por vetëm një imazh iluzionar. Por në vërtetësinë dhe ekzistencën e tyre ato janë thjesht të paarritshme, të papërsëritshme, sikur edhe të paprekshme...!

Kështu na vjen edhe piktura e Gazmend Lekës, si një  udhëtim "i vetmuar", tërësisht origjinale në stil, në koncept, në ngjyrë, në figurë.

E krijuar si e asnjë tjetri, e shijuar si tek asnjë tjetër.

Iu riktheva këtyre cikleve piktorike ndërsa Gazmend Leka këto ditë ndihej si në një prag feste të madhe. Ai ka udhëtuar drejt Shkodrës, për të çelur ekspozitën e tij personale me pesë cikle piktorike, me 43 vepra arti. Nuk bëhej fjalë më për surpriza, që kurrë nuk kanë munguar. Ekzaltimi i publikut ishte i pritshëm si në çdo ekspozitë të tij, po nuk do të mungonte kureshtja; se përse piktori kishte mbartur pothuajse të gjithë opusin e krijimtarisë së dekadave të fundit për t’ua rrëfyer qytetarëve të Shkodrës. E kjo kureshtja do të na zbulonte se piktori i kthente një borxh të madh Shkodrës, një borxh të vyer, që vetëm ai ia ndjente peshën, sepse ky ishte një borxh ndjesish, e si i tillë i pamatshëm. Duke rrëfyer për këto ndjesi, Gazmend Leka në një intervistë për “Shqiptarja.com” rrëfen disa sekrete të krijimtarisë së tij, që e bëjnë pikturën edhe më të përkorë, e definitivisht origjinale

 

Intervista

Në fjalën tuaj mësuam edhe motivin e ekspozitës së çelur në Shkodër. Por dihet që krijimtaria juaj është e ngjizur në dhjetëra cikle dhe kolona tematike. Pse përzgjodhët për qytetin e Shkodrës vepra pikërisht nga këto 5 cikle: “Black Box”, “Lutja”, “Molla”, “Natura Morta” e “Totemi”?

-Kur drejtori i Galerise së Shkodres, Fatmir Juka, më ftoi për të çelur një ekspozitë personale në qytetin e Shkodrës, përveçse më erdhi mirë, pasi në atë qytet nuk isha prezantuar me një ekspozitë të plotë, u stepa pak, sepse nuk dija mirë gjendjen e veprave që ndodheshin në studio. Pas çdo ekspozite që kam çelur në Tiranë apo në vende të tjera, shumë vepra janë bërë pjesë e koleksioneve të ndryshme, e koleksionisteve që e ndjekin me vëmendje krijimtarinë time ndër vite. U nisa në Shkodër të shihja galerinë. Ishin pesë salla, ku mund të ekspozoheshin pa frikë piktura edhe të dimensioneve të mëdha, sikurse i kam unë. Mora planimetrinë e saj dhe bëra një shpërndarje të pikturave në projekt. Ishte e mjaftueshme për 43 vepra. Publiku shkodran, më ka ndjekur ndër vite nga intervistat në median e shkruar dhe vizive, por kurrë realisht në qytetin e tyre, prandaj unë mendova të çoj vepra nga ciklet  ndër vite për të patur një ide më të qartë për udhëtimin tim artistik. Ciklet e viteve të fundit, kanë një lidhje të ngushtë me njëra tjetrën dhe kjo ma lehtësonte projektin e ekspozitës. Janë piktura që në thelb mund të konsiderohen si një ditar personal figurativ. Është e njëjta temë, por me emra pagëzimi të ndryshëm. Çdo sallë strehoi një cikël, dhe në këtë mënyrë munda të organizoja një ekspozitë, ndoshta më të madhen në jetën time artistike, pas ekspozitës “Simbolon” dhe ekspozitës personale në Paris dy vjet më parë.                                      

Sa lidhje kanë veprat me udhëtimin tuaj artistik dhe individualitetin krijues?

Vepra ime jam unë. Është portreti im i plotë ndër vite. Janë tema të cilat më trondisin në thelb të qenies. Edhe pse kanë tituj të ndryshëm, në esencëë janë e njëjta gjë, pasi janë i njëjti shqetësim që më shoqëron në gjithë jetën time. Është i njëjti problem që reflektohet në pikturën time. Tema e pikturës sime është e lidhur shume ngushte me energjinë që mbretëron në vendin tonë. Nuk është një pasqyrim i drejtëpërdrejtë, por një energji e impostuar në një vepër arti. Është një transfigurim.

Përgjithësisht piktorët e sotëm bëjnë edhe vepra ku nuk u shmangen dot ndikimeve të kolosëve të artit. Tek ju ndihet një udhëtim "i vetmuar" tërësisht origjinal në stil, në koncept, në ngjyrë e figurë. Si ia ke dalë pa u ndikuar si shumë të tjerë?

-E qëndis bukur pyetjen, kur më flet për një udhëtim të “vetmuar” dhe origjinal. Ështëë e para herë që më drejtohen direkt me këtë pyetje, gati retorike. Duket për një çast që e kam kryer përsosmërisht shfaqen tek sytë e tjerë, jashtë studios sime dhe të falënderoj! Për çdokënd, kjo do të ishte një përkëdheli e madhe dhe një shpërblim që i kthehet një artisti për gjithë “mundimin” që ka bërë, deri në mbërritje. Udhëtimi gjithmonë e për çdokënd është i vetmuar. I shëmbëllen udhëtimit të Odisesë që tenton të zaptojë territore dhe pas 10 vjetësh të rizaptojë territorin e tij intim, duke u kthyer në qendrën e tij. Sigurisht, që gjatë udhës sime kam patur mbështetje tek shumë artiste, qysh në atelietë e Liceut dhe të Akademisë me të cilët jam ushqyer, por kurrë nuk e kam harruar, se e vërteta ime është e ngjashme me ta, por edhe e ndryshme. Gjithë kohës kam qenë i vemendëshëm që në gjithë zhurmën e madhe apo harmoninë e mrekullueshme, unë të dëgjoja tingullin tim të papërsëritshëm. Të mos hutohesha, por të përktheja energjinë që është me tepri në vendin tonë. Ishte dhe është një dashuri e madhe pa kushte, një punë e palodhshme larg familjes dhe qejfeve të përditëshme për të trupëzuar qenien time.

Veprat e secilit cikël të kësaj ekspozite kanë një lidhje konceptuale mes tyre, apo janë të pavarura?

Veprat, janë si fjalë jo servile nga njeri cikël tek tjetri, por unë u mundova që me këto fjal,ë të krijoja një frazë me tingëllim të qartë dhe besoj se ja kam dalë.

Jemi kurioz të dimë dy nga momentet magjike të punës suaj. Ç’ndodh me ju me kohën tuaj kur e nis një vepër, ku bën prekjen e parë të penelit dhe ç’ndodh në momentin kur sapo e ke përfunduar?

Të dy momentet besoj se janë shumë të rëndësishëm për krijuesin. Piktura, si çdo krijim është një organizëm i gjallë. Duhet të dish t’i afrohesh e për më tepër  të udhëtosh me të. Është kapricoze dhe kurrë nuk tenton të të bindet. Ka jetën e saj. Prekja e parë me telajon e bardhë, është shumë emocionuese. Ke të bësh me një të panjohur që me ndrojë duhet t’i afrohesh, që të të bindet dhe të bashkëbisedojë me ty. Kam shumë emocion kur vendos penelin e parë. Shpesh, më kthehet në ankth. Nxitoj që imazhi mos të më tretet. Nuk e filloj pikturën me një projekt të qartë, pasi dua që duke e rritur atë, të rritem dhe unë. Kam një imazh të turbullt dhe ashtu e lë, që të më joshë si një mirazh. Ndërsa peneli i fundit, nuk është imi tërësisht. Piktura kur do të ndalojë, nuk të lë ta prekesh më. Ti e sheh, do ta prekesh, por ajo te pengon dhe ti bën pakt me veten që ti bindesh. E kthen mbrapsht dhe të nesërmen kur e risheh, bindesh që ai ishte momenti i fundit kur dialogu me të ka shteruar. 

Sa ekspozita keni bërë gjatë gjithë jetës suaj dhe kur dhe ku do të jetë ekspozita pasardhëse? 

Kam bërë mbi 160 ekspozita personale dhe në grup, në Shqipëri, Amerikë, Francë, Itali, Gjermani, Kinë, Poloni, Greqi, etj. Shumë vepra të mija janë pjesë e koleksioneve të ndryshme në shumë vende të botës. Çdo vit kam ekspozuar dhe ndërkohë jam duke përgatitur ekspozitën e radhës. Do ta prezantoj në galerinë FAB, që sot është një ndër galeritë më të rëndësishme në Shqipëri. Kam mundur të realizoj deri më tash 23.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi