Piktori në Shkodër, Gazmend Leka: Shqipëria ka gjithë këto halle, por nuk më gjunjëzojnë si artist

Piktori Gazmend Leka ka çelur në Galerinë e Arteve në Shkodër ekspozitën e parë personale. Janë 43 vepra në pikturë, të cilat u përkasin cikleve “Black box”, “Molla”, “Lutja”,  “Natura Morta” dhe “Totemi”. Në veprat e ekspozuara në pesë salla publiku shkodran përgjatë një muaji do të njihet me të gjitha etapat artistike, që ka kaluar Leka.  Ndërsa, piktori e cilëson këtë ekspozitë, që ndodh për herë të parë në Shkodër, si një ndër më të rëndësishmet në jetën e tij, për shkak të përmasave, që ka  

 “Është e para herë, që vij në Shkodër me një ekspozitë personale. Kur më ftuan për të bërë një ekspozitë në Shkodër e prita me shumë gëzim. Kam qenë dy herë për të parë sallën edhe m’u duk shumë e madhe. Fillimisht e pata të vështirë, nëse do të arrija të rendisja punët, të krijoja një frazë me këto vepra që më kanë ngelur”, shprehet ndër të tjera piktori Gazmend Leka.

Piktori e cilëson Shkodrën, jo si qytet me vlera për artin, por si kryeqytet të artit shqiptar, i cili ka qenë kështu ndër shekuj.

“Shkodrën gjatë fëmijërisë sime, nuk është se e kam vizituar fare, por në moshë madhore. Megjithatë,  kokë kam krijuar një ide për Shkodrën time, që e kisha krijuar që në fëmijërinë time. Shkodrën shpirtërore tek unë e kanë ndërtuar disa mjeshtra, si Mjeda, Pashko Vaso, poezitë e Migjenit, Gjergj Fishta më vonë. Kur kam qenë liceist shkoja që të shikoja Zef Kolombin, Kol Idromenon, Simon Rrotën. Kisha një kënaqësi shumë më të veçantë, kujtoja diçka që nuk e kisha në Tiranë. Pak gjëra që kisha parë nga Marubët më tronditën. Edhe ende më tingëllon në vesh muzika e Çesk Zadesë, Tonin Harapit, edhe shumë artistëve të skenës, siç ka qenë Loro Kovaçi, Marie Logoreci, Tinka Kurti etj”, shton më tej piktori.

Artisti tregon edhe se si ndikon gjendja aktuale në vend në krijimtarinë e tij artistike.

 “Asnjëherë nuk ngatërrohem që gjithë realitetin që shoh ta sjell një më një në veprën time, por gjithë energjinë që shoh jashtë e kthej në një vepër arti. Kjo të mërzit nga lumenjtë që po gërryejnë shtratin, prerja e pyjeve,  sharjet në rrugë apo në parlament, por këtë artist, të gjithë këtë energji negative, mundohem që ta kthej në veprën time, si një energji, që në fund të fundit, është energjia e Shqipërisë sot. Në veprën time gjen më shumë tema, që kanë në qendër njeriun, figura dhe simbole. Unë mundohem që të ruaj personalitetin tim, që nuk e tradhtoj asnjëherë. Kështu që mendoj se Shqipëria edhe me këto probleme e halle, mua nuk më gjunjëzon”.

Ekspozita e piktorit Gazmend Leka do të qëndrojë hapur për publikun në Shkodër deri më datë 10 qershor.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi