Kjo është një marrëveshje politike, që kërkon edhe ratifikim nga Kuvendi, ndërkohë që Greqia, nga ana e saj, duhet të miratojë marrëveshjen dypalëshe, në një proces më vete. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha u shpreh se “gazsjellësi ndryshon në mënyrën më thelbësore bashkëpunimin, por, mbi të gjitha, ndryshon jetesën e shqiptarëve.
"Ai përbën një zhvillim historik në marrëdhëniet mes vendeve. Shqipëria ka disa avantazhe të mëdha, sepse nuk është vetëm një pikë e thjeshtë tranziti, por ajo dispononin depo natyrore të mëdha për depozitimin e gazit dhe ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një qendër e fuqishme e shpërndarjes së gazit drejt Gadishullit Apenin dhe Ballkanit. Do të bëhet i mundur ndërtimi i një rrjeti gazifikimi për të gjitha zonat e vendit, për të garantuar gaz për ngrohje dhe gatim me koston më të ulët se në çdo vend tjetër”, tha ai.
“Kjo marrëveshje miratohet në parim dhe përfshin një punë intensive disavjeçare. Ajo mundëson që në pranverën e vitit të ardhshëm të bëhen hapat përfundimtarë. Investimi përfshin 2 miliardë euro dhe qeveria angazhohet për të zhdukur çdo pengesë burokratike për të qartësuar çdo problem pronësie që në vend gazsjellësi të ndërtohet në një kohë rekord, që të inaugurohet në prag të mandatit tjetër të vitit 2017”, u shpreh kreu i Ekzekutivit, duke paralajmëruar fitoren e mazhorancës edhe në vitin 2013.
PULIA KUNDER PROCESIT
Kohët e fundit, rajoni i Puljas në Italinë Jugore ka bllokuar procesin, duke dhënë mendim negativ për kalimin e tubacionit dhe infrastrukturës depozituese të gazit në këtë zonë, për aryse se dëmton mjedisin dhe turizmin. Qeveria italiane ende nuk ka dhënë një mendim përfundimtar.
Në territorin shqiptar TAP do të përshkojë 204 km on shore (tokë) dhe 110 km offshore (det). Ai mbërrin në kufirin grek–shqiptar ndërmjet fshatrave Miras (Alb) dhe Polyanemo (Gr), thuhet në projektin që i është dorëzuar qeverisë shqiptare.
KU KALON GAZJELLESIT
Në Shqipëri gazsjellësi do të kalojë përmes zonave bujqësore, terreneve malore dhe kodrinore për të cilat TAP tashmë ka bërë vlerësimin e ndikimeve të mundshme dhe në vartësi ka modifikuar rrugëkalimin dhe projektimin. Drejtues të Entit Rregullator thonë se paraprakisht është menduar që në Fier të ndërtohet një stacion tjetër kompresorësh, përfshirë edhe matësit fiskalë etj. Pjesa në vijim prej 4 km kalon përmes zonës fushore drejt Adriatikut dhe më tej në Itali. Realizimi i këtij objektivi mund ta kthejë Fierin në rajonin më të rëndësishëm në vend dhe jo pa qëllim, duke pasur parasysh zonat naftëmbajtëse aty dhe burimet e vogla të gazit.
Tregu kryesor i gazit që do të transportohet prej këtij tubacioni është ai italian, megjithatë në aplikim është shprehur interes dhe vëmendje ndaj krijimit të mundësive për furnizim me gaz të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Projekti ka një kosto të vlerësuar prej 3,7 miliardë eurosh, për pjesën e Shqipërisë, kurse punimet për ndërtimin e tij parashikohen të fillojnë në vitin 2014 në mënyrë që tubacioni të jetë gati për shfrytëzim në 2017-n, i cili është edhe viti i fillimit të prodhimit të fazës së dytë të vendburimit Shah Deniz 2. Tubacioni është projektuar në mënyrë të tillë që kapaciteti i tij transportues të mund të zgjerohet nga 10 deri në 20 miliardë metër kub gaz në vit.
(sg/gk/shqiptarja.com)