Përpara ligjit thuhet se të gjithë janë të barabartë, por bizneset shqiptare vijojnë të sfidojnë hapur ligjet. Edhe pse tregu aktualisht ndodhet mes ‘krizës së mungesës së punonjësve’, sjellja e bizneseve nuk ndryshon, herë duke nëndeklaruar pagat e shpesh duke mos u paguar fare sigurimet.  

Ndryshe nga sa e parashikon Ligji për sigurimin e detyrueshëm që punëdhënësi është përgjegjës për të paguar kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit, jo të gjithë e respektojnë. Shifrat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tregojnë se vjet vlera e kontributeve të papaguara nga bizneset u rrit me afro 20 milionë euro në raport me vitin paraardhës.

Në total janë rreth 245 milionë euro kontribute që bizneset shqiptare nuk i kanë paguar nga 225 milionë që ishte vlera në fund të vitit 2023. Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një të punësuar paguhen 27.9% të pagës bruto mujore. Afati ligjor për të kryer pagesat është brenda datës 20 të muajit ose pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik, jo më vonë se datat: 20 Prill, 20 Korrik, 20 Tetor, 20 Janar.

Mungesa e sigurimeve përveç se i privon qytetarët nga shërbimet shëndetësore falas, nga ana tjetër edhe i varfëron të ardhmen qytetarëve, pasi ka ndikim direkt në vlerën e pensionit.

Për të përfituar pension duhet të kesh minimalisht 15 vite pune të siguruara, ndërsa për të marrë pagesën e plotë sot duhet të kesh 38 vite e 8 muaj punë, dhe do të rriten gradualisht deri në 40 vite punë brenda 2029-ës.

Për shkak të mungesës së pagesës së sigurimeve që automatikisht ul vitet e punës, sot mbi 50% e pensionistëve marrin pagesë të pjesshme. Dëmi tjetër po ju vjen nga nëndeklarimi i pagave, që ka sjellë më pak sigurime të paguara për punonjësit dhe për pasojë pension më të ulët në të ardhmen.

Kjo situatë me mosdeklarimin e sigurimeve vjen në një kohë kur tetorin e kaluar nisi një fushatë anti informalitet, ku u identifikuan mbi 143 mijë punonjës me paga të nëndeklaruara nga bizneset nga industria përpunuese e deri tek mediat, ndërsa kontrollet vijojnë edhe këtë vit të përqendruara në turizëm, ndërtim e tregti.