'Gënjeshtarët e vegjël” të Fatos Kongolit, një dhuratë e bukur për lexuesin'

'Gënjeshtarët e vegjël” të  Fatos Kongolit, një dhuratë e bukur për lexuesin'

Fatos Kongoli merr Çmimin “Romani mē i mirë” për “Gënjeshtarë të vegjël” në Panairin e Fierit

Shkrimtari i mirënjohur dhe i talentuar, Fatos Kongoli, vjen sot para lexuesit me një roman të ri, të titulluar “Gënjeshtarë të vegjël”, botuar prej Shtëpisë Botuese “TOENA”.  Qysh në faqet e para, nisur edhe nga titulli i romanit, shkrimtari të intrigon dhe ta nxit leximin për t’i zbuluar këta gënjeshtarë të vegjël. Me një formë dhe me një përmbajtje të veçantë ky roman të mban të tensionuar nga faqja e parë deri tek e fundit; e teksa lexon përpara teje parakalojnë këta gënjeshtarë të vegjël dhe, të më fali autori i romanit, sepse pasi  mbaron romanin, i thua vetes pse gënjeshtarë të vegjël, ndërkohë që shumë syresh janë të mëdhenj. Është e kuptueshme, i quan të vegjël falë shpirtgjerësisë së artistit, sepse shkrimtari është edhe artist, e kështu   edhe Fatos Kongoli, të cilin e kemi sot midis nesh. Me gënjeshtarë personifikohet, për shembull, bosi i Kompanisë Luga, Kudret Luga, kompani ku punon protagonisti i veprës, Alpi, por edhe ish - bashkënxënësi i tij në fshatin N, sot shef në këtë kompani, Fatjoni, për të ardhur tek ish e dashura, njëkohësisht ish -kolegia e punës së Alpit,  Ema.

Do ta quaja gënjeshtare të vogël vetëm dashurinë me Rovenën, për të cilën do të flasim pak më pas. Togfjalëshi shumë i goditur “gënjeshtarë të vegjël” edhe pse  përsëritet pak në roman mbart një peshë të madhe në zhvillimin e ngjarjeve dhe kështu mund ta cilësojmë si fjalën çelës të romanit. Si e thashë pak rreshta më parë shpirti i artistit, e ka me shumicë brenda vetes tolerancën. Kjo e justifikon pse i quan kështu këta njerëz, që pas viteve 90-të, shembull bosi i Kompanisë “Luga”, bëri pasuri duke vjedhur  pasurinë e popullit dhe konkretisht shtypshkronjën e fshehur X, që do të përdorej në raste të veçanta, por nuk mjaftohet me kaq sepse pas viteve 90-të  e në vazhdim do të përfaqësojë popullin e zonës si deputet i saj. Një tjetër i tillë është edhe moshatari dhe bashkëfshatari i Alpit, Fatjoni, që i shtyrë nga egoizmi, smira, por edhe nga dashuria ose më saktë nga simpatia për të njëjtën vajzë,  por në mënyrë krejt të ndryshme, i pari për epsh, ndërsa Alpi me shpirt e me zemër. Fatjoni, tashmë i ngritur në detyrë,  gjen rastin ta godasë shokun; të shpifë e të trillojë fakte joreale, ndihmuar edhe nga ish e dashura e Alpit, Ema, për të cilën dashuria  nuk është vlerë, nuk është ndjenjë, por vetëm send nga i cili mund të nxjerrësh përfitime dhe me çdo çmim.

Faqet e para të romanit hapen me Emën dhe ne futemi në një enigmë apo si të thuash në një botë të mistershme.

Një telefonatë... Nga kush? Nga ajo që nuk e priste dhe që zinte vendin e fundit në numrat e tij të telefonit. Kishte gjashtë muaj që nuk i kish telefonuar. I kërkonte ndihmë.. Për çfarë dhe pse? Pse në këtë orë të vonë të natës? Dhe ku në shtëpinë e Orest Diamantit, profesorit shtatëdhjetëvjeçar, mikut të tij, me të cilin e lidhnin bindjet e përbashkëta , erudicioni, dashuria për artin dhe muzikën. Por përvoja e këshilloi të mos e besonte. Në të kaluarën sa herë  mbetej keq  ajo e kërkonte shpëtimin tek ai dhe ai e linte veten të gënjehej për t’u zhgënjyer më pas. Po ç’e lidhte atë vajzë me profesorin e moshuar?  Enigma rritet, tensioni shtohet. Orest Diamanti ka vdekur. Rrethanat e vdekjes të paqarta, por enigma pse Ema ndodhet aty është e qartë. : Alpi mërmëriti: Ajo ka fjetur me Orestin, është e pacipë, krejt e pacipë. Kishte luajtur një teatër të rrezikshëm që do ta rëndonte Alpin. Për as më shumë e as më pak, por vetëm për t’ia grabitur sendet me vlerë të ndjerit Orest, që sipas Alpit, kudo që të ndodhet në Ferr apo në Parajsë do të thoshte: Mos e besoni Emën, ajo gënjen. Unë s’kam vdekur. Pasoja ishte fatale për Alpin. Ema rrëmbeu sendet me vlerë të tij, ndërsa Alpi do të vuante një kalvar pasojash prej  veprimeve të saj.   

Romani  ka subjekt të  thyer. Hapet me një skenë vdekjeje për të vazhduar më pas me vetërrëfimin e personazhit kryesor, Alpit, i cili bën një autobiografi për jetën e tij dhe për familjen e tij në fshatin N: vjen nga një familje me prejardhje fshatare, me babanë mësues, që vazhdimisht përpiqet që djali i tij të jetë dikush, por me meritë. Familja e tij është arsimdashëse, vlerë që ia kanë përcjellë edhe të birit. Është një vetërrëfim që  do të pasohet nga kujtime të shumta,  por dhe nga kureshtja rreth një personazhi,  jetës së saj dhe familjes së saj, Violës. Shumë vite  më parë, fati e kish çuar këtë familje qytetare të jetonte e të punonte në atë fshat, i ati si mjek e ëma mësuese, ndërsa vajza mësonte në të njëjtën shkollë dhe klasë me Albin. Jetonin  në  pallatin e kuadrove, afër shtëpisë së Alpit. Vitet kaluan shpejt dhe rrugët e jetës u ndanë. Ajo do të banonte në Tiranë, ndërsa ai në fshat. Ndonëse për Violën Tirana ishte dëshirë, për  Alpin mundin dhe dëshpërim, sepse u largua motivi më i fuqishëm i jetës në atë fshat.  Kujtimet nuk harroheshin, por përkundrazi, bëheshin më të fuqishme, deri në absurditet: A do të hapeshin dritat e apartamentit të saj....... por më kot. Dashurinë për të e mbante me kujtime, të cilat e shoqëruan edhe gjatë kohës kur ishte student në Tiranë dhe në vazhdim pasi u caktua me punë po në Tiranë. Rendte në kërkim të saj, të imazhit dhe shëmbëlltyrës së saj. Edhe pse ajo është diku tjetër, larg tij Alpi plot optimizëm do të shprehet:

Mos u lodh kot të këmbëngulësh për të më mbushur mendjen se ti nuk je Viola. Do të vijë një ditë, shpresoj, e ne më në fund do të shihemi, do të jemi përballë njëri- tjetrit, çfarë emri që të kesh.

 Shkrimtari e ndërpret rrëfimin për të na çuar në të tjera rrëfime, por të një lloji tjetër: në formë ditari. Ditar i shkurtër, që ngërthen episode nga jeta  e përditshme e Albit në punë, ku ndeshet me padrejtësitë e bosit të tij, Kudret Lugës, deputetit të Zonës dhe që herë -herë kërkon të largohet prej andej. Por shkrimtari ka ditur të mos e shoh realitetin vetëm zi dhe për këtë ai me shumë mjeshtëri ka ditur të bëjë dallimin mes  dy ish- shokëve nga fshati, njeri që hiqet qytetar, “me nder qytetar” thotë shkrimtari, dhe që jeton pandershëm dhe tjetri, që s’ka nevojë për “mender qytetar”, babai i Albit, që jeton aty në fshatin e tij, dhe jo keq, por me punë të ndershme. Po kështu hiqen paralele edhe ndërmjet ish dy shokëve: Albit dhe Fatjonit, njeri fisnik dhe i ndershëm, por i mungon guximi për t’u përballur me intrigat, xhelozitë dhe ambiciet që i ka me shumicë Fatjoni.

Ditari përfshin vetëm  një muaj të vitit. Dhe vetëm muajin gusht. Padashur të lind pyetja pse muajin gusht?

Ndoshta për heroin kryesor të romanit është muaji i dëshiruar, i munguar, dhe i shumëpritur për ta takuar dhe shijuar Violën, dashurinë e hedhur vetëm në letër, në letra të padorëzuara, të grisura. Në ditar Alpi gjen hapësirën për ta hapur zemrën e mallosur për Violën, për dashurinë e parë dhe të vetmen, dashurinë prush që e mban gjallë. Rend pas saj  dhe papritur e gjen,  por malli nuk shuhet me dy-tri momente intime, dhe këto momente falë çiltërsisë së Violës. Është dashuri e pastër, e sinqertë, e shumëpritur, por që për  rrethana shëndetësore dhe për shkak të largimit të saj nuk dihet ç’ rrjedhë do të marrë. Për Alpin ka vetëm një rrugë: kthimi në fshatin e lindjes, të kontribuojë për të, larg jetës plot zhurmë dhe intriga të qytetit, pranë kujtimeve që lidhen me Violën:

Qysh atëherë kam rendur në kërkim të gjurmëve të tua, pa mundur të të gjej . As te Rovena, as te Ema. Nëse nesër apo pasnesër, apo kur të duash ti, do të më rishfaqesh, lus Zotin të kem përpara meje në mos Violën, shëmbëlltyrën e saj.

 Duke marrë shkas nga pasazhi që sapo lexuam  mund të them se boshtin e romanit e përbëjnë tri dashuritë e Alpit, secila shumë e ndryshme nga tjetra, dhe të pakrahasueshme me njëra-tjetrën.

Po nis jo me të parën,  por me dashurinë e dytë: me Rovenën. Për Alpin modeli i vetëm i dashurisë është vetëm Viola, imazhi i së cilës e ndjek kudo. Rend pas këtij imazhi dhe iu duk se dikush i shëmbëllen dhe kjo ishte Rovena, të cilën ia solli rasti të njihej në një klub nate. Mendoi se sado pak po ritakonte Violën, por u gabua. Rovena ishte një vajzë identitetin e së cilës nuk e mësoi kurrë, që dinte të dashuronte ashtu si ia sillte momenti, bënte atë që ndiente, ishte pa komplekse. Alpi e adhuronte për guximin, dhe zhdërvjelltësinë  me të cilën i jepej dashurisë, gjë që Albit i mungonte.  Nisi shpejt dhe mbaroi  shpejt. U zhduk s’di se ku. Alpi nuk e urreu, por as nuk e dashuroi. Ishte një gënjeshtër e vogël, nga ana e saj, por pa dëmtuar partnerin.

Dashuria e tretë e Albit është Ema. Edhe këtë herë kërkoi dashurinë e pastër dhe të vërtetë, por gjithnjë sipas shëmbëlltyrës Viola, por më kot. Provoi një dashuri gënjeshtare e të paskrupull që kurrsesi nuk mund të krahasohet me imazhin e Violës..

Dashuria e parë dhe e dëshiruara pafundësisht vetëm Viola, shëmbëlltyra e saj vetë Viola. Imazhi i saj vetë Viola. Pak platonike, por ai do të jetë gjithnjë në kërkim të saj. Ajo është diku larg, por edhe nëse kthehet një ditë Alpi është aty.

Romani është shkruar me një gjuhë të pastër, të zhdërvjelltë, ku spikat fjalori i pasur, dhe një sintaksë perfekte. Do të doja ta uroja edhe një herë Fatos Kongolin për këtë dhuratë të bukur që po i jep lexuesit shqiptar.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë