SPECIALE/ Fatos Kongoli u jep ‘leksion’ politikanëve shqiptarë: Nuk e kanë konceptin e edukatës demokratike, jetojmë në një realitet të korruptuar

Për më shumë se 3 dekada, pas viteve ’90 me ndryshimin e sistemit realiteti ekonomik, social dhe ai politik është shënjuar nga një mori ngjarjesh që pasojnë njëra-tjetrën.

Po të kalonim në një skanim retrospektiv fjalët kyçe mbizotëruese vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit janë: krizë, pandemi, protesta, sulme, politikë, zgjedhje, konflikte, etj.

Si shkrimtar, si qytetar por edhe si një intelektual që i njeh mirë dhe i ka jetuar dy epokat e historisë së Shqipërisë, në një intervistë të veçantë për Report Tv,  Fatos Kongoli rrëfen se si ka ardhur për të ky skanim i realitetit social në këndvështrimin e njeriut të letrave.

“Kanë ndodhur shumë, shumë gjëra. Unë gjatë kësaj periudhe kam shkruar një varg librash dhe jam përpjekur që ta ndjek këtë realitet dora dorës dhe ta pasqyroj në librat e mi. Unë gjithçka e kam shkruar në librat e mi”, shprehet Kongoli.

“Demokracia” për Kongolin është një formim edukues dhe mënyrë jetese të cilën politika shqiptare në më shumë se 30 vite tranzicioni paskomunist nuk ka ditur ta njohë si koncept, aq më tepër ta ushqejë apo përcjellë si mision në kulturën e një vendi demokratik.

“Kam frikë se nuk kemi koncepte të qarta për demokracinë. Demokracia me sa di unë është një mënyrë jetese dhe ne jemi shumë larg kësaj mënyre jetese demokratike, jemi shumë larg. Pas viteve ’90 është një epokë tjetër, që ka tiparet e veta, por përderisa kemi hyrë në atë të ashtëquajturën demokraci”, thotë Kongoli.

Përmes argumenteve shpesh herë therës, Kongoli fshikullon klasën politike drejtuese shqiptare e cila sipas tij është e vetëmjaftueshme në botën e saj, aq sa nuk arrin të shoh dot përtej këtij izolimi duke e bërë shoqërinë të jetojë prej kohësh në një realitet të korruptuar e parrugëdalje.

Vëzhgues i hershëm i zhvillimeve të realitetit shqiptar për Kongolin, politika është i vetmi terren, të cilin nuk i ka mbetur më asfarë pritshmërie apo kurioziteti, pasi ajo çfarë i ka falur është zhgënjimi dhe mosbesimi ndaj klasave të ndryshme politike drejtuese në vend.

“Fatkeqësisht ne nuk kemi asnjë edukatë demokratike dhe kjo në të gjitha pikëpamjet. Vetë realiteti shqiptar është tepër agresiv dhe politikanët janë produkt i këtij vendi. Shoqëria është e trembur, e frikur. Njerëzit janë shumë të trembuar sepse rrezikojnë shumë. Ekziston frika. Njerëzit kanë frikë. Ky është realiteti shqiptar fatkeqësisht. Politika është një terren që nuk mund të orientohem. Unë nuk kam besim tek klasa politike shqiptare, nuk u besoj më absolutisht, atyre. Mendoj, që edhe njerëzit e thjeshtë kanë të njëjtin mendim, nuk u besojnë më politikanëve sepse janë vetëm mashtrues”, vijon ai.  

Sipas Kongolit sistemi i përfaqësimit demokratik të vendit tonë ndër vite nuk ka qenë funksional pasi realiteti shqiptar prodhon vazhdimisht cikle politike, ku kriza dhe politika është aq agresive sa arrin deri në skaj.

“Terreni im është letërsia, por mund të them. Mund të them që klasa politike në Shqipëri në këto vite të poskomunizmit, është përgjegjëse e katrahurës që është bërë në Shqipëri pasi kanë dhënë ndihmesën e tyre të gjitha krahët. Ky është mendimi im. Jetojmë në realitet të korruptuar, ku ekziston një korrupsion kapilar… Unë nuk kam asnjë respekt për klasën tonë politike, absolutisht. Nuk kam asnjë dëshirë të merrem me politikanët tanë. Ata jetojnë në botën e tyre. Njerëzit mund t’i mashtrojnë, mund t’i marrin votën por askush nuk u beson”, tha shkrimtari.

Një periudhë e errët e zymtë e cila e gjeti shoqërinë në të gjithë botën të papërgatitur për shkrimtarin ishte dhe pandemia e COVID-19, të cilën në veprën e tij të fundit e ka quajtur një “Stinë Pandemie” e së keqes.

“Është një periudhë e zymtë shumë, që e ka shëmtuar shumë jetën duke e bërë të zymtë. S’bën dot asgjë, nuk e dimë sa do zgjasë kjo zymtësi e tmerrshme. Dhe njëherëpërnjëherë nuk duket asnjë dritë në fund të tunelit. Në librin tim ‘Stinë Pandemie’ unë rimarr personazhet e një romani tim të suksesshëm ‘I Humbur’” pas 30 vitesh duke i vendosur në një epokë tjetër. Në libër unë kam pasqyruar atë realitet që kam parë vetë”, thekson Kongoli.

I përkthyer në disa gjuhë të huaja, Fatos Kongoli është një nga emrat e shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe ku ndër veprat e tij më të suksesshme janë  “Lëkura e qenit”, “Endrra e Demokleut”, “Te porta e Shën Pjetrit”, “Jetë në kuti shkrepëseje”, “Iluzione në Sirtar” etj., të cilët janë vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare.

SI.E./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 03/02/2022 03:08

    Faleminderit zoti Kongoli. Per kete leksion mbi etiken. Jo me larg se javen qe shkoi Veliaj deshmoi pikerisht sesa bukur e shpreh eritiken. Sidomos, eksperiencen me te madhe e ka perftuar nga etikisti mbare boteror,Edi Rama. Kur etika e shef me sy Ramen, ja fut vrapit ne drejtim te paditur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari