Në vendet me traditë të gjatë demokratike, përgjithësisht, temat apo topikat e ligjërimit përcaktohen nga leximi i tekstit që shkruan publiku poshtë, në të cilat vendin e parë e zënë problemet ekonomike, pastaj me radhë, perspektivat e zhvillimit, siguria kombëtare, problemet sociale që kanë në themel të drejtat e njeriut dhe respektimin e shtresave të paragjykuara apo të grupeve që ndjehen ndryshe, problemet e racës, ngjyrës së lëkurës dhe natyrisht edhe të fesë.
Nëse do të mbanim në vështrim diferencat që kanë rajonet e ndryshme të globit, do të dallonim se Europa ka të tjera topika nga pjesa tjetër e botës, ashtu si Ballkani të tjera nga ato të Lindjes së Mesme.
Në Ballkan një topikë e vazhdueshme dhe gjithnjë aktive është ajo që nxjerr në reliev shqetësimet etnike dhe problemet e ridefinimit të kufijve, duke i shtuar kësaj edhe problematikën e pranimit të tjetrit dhe kthimin e hapësirës së përbashkët në Ballkan nga një vend ndeshjesh e betejash për të përjashtuar tjetrin në një vend bashkëpunimi për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në një botë pa kufij, siç ka ndodhur në Europën e pas luftërave të shekullit të kaluar.
Mirëpo, nëse një vështrim i kujdesshëm merr në analizë ligjërimin publik në Shqipëri, i cili, në një masë të madhe zotërohet nga të folmet e politikanëve, nga konferencat e shtypit të partive politike apo nga hapësirat e deformuara që u japin tv-të kombëtare dhe të tjera medie debateve politike, do të vërejë se ligjërimi politik në Shqipëri ka vetëm një topikë, pra ka vetëm një temë dhe kjo është: demonizimi i qeverisë dhe sidomos i kreut të saj, Edi Rama.
Në luftën politike që bën opozita bie në sy përdorimi i vetëm një mjeti: deklaratës dhe sulmit verbal. Portreti që do të vizatohet me anë të deklarateve dhe sulmeve verbale është vizatuar me linja të trasha nga Sali Berisha, i cili kujdeset që luftën e tij me Edi Ramën ta mbajë vazhdimisht në nivel personal dhe të përdorë në vizatimin e tij epitetet dhe metaforat më të forta në mënyrë që ai t’u paraqitet shqiptarëve si figura më e errët në politikë dhe si njeriu me cenet më të këqija në jetën private e publike.
Pjesa tjetër e opozitës shkon dhe më tej. Ajo ka zgjedhur strategjinë që çdo akt apo çdo punë që nis dhe kryen qeveria e drejtuar ngë Edi Rama ta paraqesë si një krim, si një vjedhje, si një punë të kryer nga mafia. Sali Berisha dhe opozita për të realizuar këtë qëllim i kanë marrë mjetet e ligjërimit nga arsenali i zemërimit dhe inatit, i urrejtjes dhe fobisë që ka njeriu ndaj një personi të vetëm të cilin do ta asgjësojë në ligjërim.
Duke e paraqitur në këtë formë Edi Ramën dhe duke demonizuar çdo punë të qeverisë, opozita dhe Lulëzim Basha kryesisht i vetofrohen publikut si e kundërta e këtij modeli dhe e ftojnë atë që të urrejë Edi Ramën dhe të dashurojë Lulzim Bashën. Ndërkaq si akte ligjërimore opozita dhe sidomos Lulëzim Basha përdorin gënjeshtrën dhe fiksionin.
Gënjeshtra është një akt ligjërimor i ligjshëm dhe në pragmatikë studiohet bashkë me trillimin. Të dyja, edhe gënjeshtra edhe trillimi tregojnë një gjë të pavërtetë.
Te gënjeshtra folësi e di që po thotë një të pavërtetë dhe me anë të një strategjie inferenciale i kërkon bashkëbiseduesit që ta besojë si të vërtetë atë që ai i kumton.
Te trillimi autorët e dinë që po tregojnë një gjë që nuk ka ndodhur, pra një të pavërtetë, dhe i kërkojnë edhe publikut që ta besojë si të tillë. Efekti që duan të arrijnë te trillimi është i ndryshëm nga ai që kërkohet të arrihet te gënjshtra.
Le të marrim dy temat e fundit që po diskutohen nga opozita. Siç e kam përmendur edhe në një shkrim të mëparshëm, Lulzim Basha kur flet për taksat e biznesit nuk tregon të vërtetën, ai ndërton akte ligjërimore të gënjeshtërta dhe i fton bashkëbiseduesit që t’i besojnë të pavërtetat e tij si të njëmendta.
Mirëpo, kur ishte përballë gazetares Ornela Liperi në emisionin «Zonë e Lirë», gazetarja e njohur e nxorri zbuluar dhe ai nuk diti të mbrohet nga artikulimi i të pavërtetave në lidhje me taksimin e biznesit të vogël dhe taksave të bashkisë.
Ndërsa në rastin e inceneratorëve, Lulëzim Basha po ndërton një film që ka në themel trillimin. Teksti që ka ndërtuar Lulëzim Basha për inceneratorët nuk mbështetet në atë që ka ndodhur realisht në Shqipëri, por ngrihet i gjithi mbi një metaforë dhe mbi një trillim.
Atij i mjafton ideja fikse se ai që i ka ndërtuar këto është Edi Rama dhe qeveria e tij dhe me qenë se këtë portret ai e ka vizatuar më parë ashtu siç i vizatonte ligjërimi komunist kapitalistët dhe botën e egër të krimit mafioz në vendet xhungël të krimit dhe të mafies, pra për të gjitha këto arsye inceneratorët dhe shefi i qeverisë vizatohen me ngjyrat që përmenda më sipër.
Për të realizuar këtë fiksion, Lulzim Basha nuk mbështetet mbi dokumente, por mbi perceptimin dhe mbi emocionet e tij negative.
Në të dyja rastet, si gënjeshtra ashtu dhe trillimi iu drejtohen publikut dhe ashtu siç thoshte Jauss, publiku është autori i tretë, në kuptimin që thënia quhet e kryer atëhere kur lexuesi apo dëgjuesi e ka mbyllur atë duke zbërthyer kodin, duke e kuptuar dhe duke bërë verifikimin gjuhësor dhe jogjuhësor.
Në rastin e parë, pra në përballjen me gazetaren Ornela Liperi, publiku e pa që Lulzim Basha gënjente. Në këtë rast pjesa e paanshme e publikut ose ai që quhet elektorati gri, zhgënjehet, militantët që besojnë se lideri nuk gabon asnjëherë e marrin këtë gëneshtër si një fitore dhe e nxisin liderin që të gënjejë sa më shumë, pra të thotë të pavërteta që e fundosin kundërshtarin sepse efekti që prodhohet tek ata është si dehja që nga gota e katërt ose e pestë kalon në ekstazë dhe lideri bëhet gati si një i ardhur nga Zoti.
Në rastin e dytë, publiku që dëgjon Lulzim Bashën që rrëfen apo që projekton filmin e inceneratorëve, nuk është shumë i interesuar të dijë për abuzimin ose jo me ato vepra. Ai sheh që inceneratorët janë ndërtuar.
Banorët e Elbasanit që kanë vuajtur në mënyrë kriminale nga djegia e plehrave, fjala vjen, nuk u intereson shumë se kush ka vjedhur e kush është i ndershëm. Ata kanë shpëtuar nga një krim të cilin qeveria e Berishës për dy mandate nuk e zgjidhi dot.
Po ashtu ajo që ka bërë Veliaj në Sharrë është një realitet që nuk mund të nxihet nga asnjë fiksion. Në anën tjetër, dokumentacioni që botoi AKMU-ja për ecurinë e procedurave për ndërtimin e inceneratorëve në Shqipëri, më së shumti na tregon që ka dy të vërteta, të cilat do të gjykohen nga drejtësia nëse ajo do të vendosë t’i marrë në shqyrtim apo jo.
Si përfundim. Opozita, për fat të keq, nuk ka strategji komunikacionale dhe e ka mbështetur atë vetëm në denigrimin personal të Edi Ramës. Duke e mbajtur luftën politike vetëm në rrafshin personal, opozita gjithnjë e më shumë largohet nga publiku dhe mbetet vetëm frymëzim për militantët agresivë të cilët kanë si ushqim jo faktet dhe të vërtetën, por metaforat e luftës që e paraqesin kundërshtarin me ngjyrat më të errëta.
Ata kanë nevojë të shohin vazhdimisht filma trillues horror që e paraqesin kundërshtarin si monstër nga i cili do të na shpëtojë Lulzim Basha.
Kjo strategji e vjetër dhe amatore jo vetëm që nuk frymëzon njeri, por edhe ata të pakënaqur me qeverinë, largohen nga opozita, ndërsa ata që për arsye personale nuk e durojnë Ramën, identifikohen përherë e më shumë me militantët e asaj partie.
hartim passke be o ilir, si me qene ne klasen e 4.
Përgjigju