Tanimë është zyrtare, Gannaro Gattuso nuk është më trajner i kombëtares italiane të futbollit. Dështimi për herën e tretë radhazi për të dërguar të kaltrit në finalet e një Kupe Bote pas humbjes me penallti në Zenica të Bosnje Hercegovinës, ka shkaktuar 'tërmet' përtej Adriatikut.
Pas mesditës së djeshme, në mbledhjen e Bordit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), kreu i këtij institucioni, Gabriele Gravina dha dorëheqjen dhe fill pas tij edhe shefi i delegacionit të kombëtares së Italisë, legjenda e portës Gianluigi Buffon.
'Federata Italiane e Futbollit dhe Gennaro Ivan Gattuso kanë ndërprerë reciprokisht kontratën e trajnerit kalabrez me ekipin kombëtar italian të futbollit. FIGC falenderon Gattuson dhe të gjithë stafin e tij për përkushtimin dhe pasionin e tyre gjatë nëntë muajve të fundit dhe u uron atyre çdo sukses në karrierën e tyre të ardhshme'. njofton FIGC, që konfirmon edhe largimin e ndihmësve të Gattusos.
Tanimë FIGC ka zyrtarizuar se Gattuso është larguar, duke bërë kështu që gjithë zinxhiri drejtues i kombëtares së Italisë të pranojë dështimin dhe të mbajë përgjegjësi.
Vetë Gattuso është shprehur zemërthyer, por krenar për këtë përvojë. "Me zemër të thyer, pasi nuk arritëm të arrinim qëllimin që i vendosëm vetes, e konsideroj kohën time si trajner i ekipit kombëtar të mbaruar ", deklaroi Gattuso. "Fanella e kaltër është aseti më i çmuar në futboll, prandaj është e drejtë të lehtësohen vlerësimet teknike të ardhshme që nga fillimi. Do të doja të falenderoja presidentin Gabriele Gravina dhe Gianluigi Buffon, së bashku me të gjithë stafin e Federatës, për besimin dhe mbështetjen që më kanë treguar gjithmonë.
Ka qenë një nder të drejtoj ekipin kombëtar dhe e kam bërë këtë me një grup lojtarësh që kanë treguar angazhim dhe përkushtim ndaj fanellës. Por falenderimet më të mëdha shkojnë për tifozët, për të gjithë italianët që nuk kanë dështuar kurrë të tregojnë dashurinë dhe mbështetjen e tyre për ekipin kombëtar gjatë këtyre muajve. Gjithmonë me të kaltrit në zemrën time", shprehet ish-trajneri.
Gara për pasardhësin e Gattusos është duke u zhvilluar dhe kandidatët më të mundshëm për të udhëhequr rimëkëmbjen e Italisë janë aktualisht Roberto Mancini, Max Allegri, Simone Inzaghi dhe Antonio Conte.
Zgjedhjet e reja për kreun e FIGC do mbahen më 22 qershor në Romë, teksa do duhen vite, shumë ide dhe durim për ringritjen e futbollit italian në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Komente







