Gent Gazheli: Ku ka gabuar
Lulzim Basha me Tiranën

Gent Gazheli: Ku ka gabuar<br />Lulzim Basha me Tiranën
TIRANE- Gent Gazheli është në ekipin që sot po merret gjerësisht me zgjedhjet në kryeqytet. E gjen sa në terren, pranë zonës së Medresesë, aq edhe në selinë e Partisë Socialiste duke u kujdesur për të mbajtur të forta financat e një partie në opozitë. Kohët e fundit, shumë i angazhuar edhe për Konventën e fundit të PS, ashtu edhe në takimet e Edi Ramës jashtë vendit. Ka qëndruar gjithmonë “në hije”, por jo në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. I diplomuar për ekonomi në vitin 1995, i përket atij brezi të rinjsh që vitet ’90 të tranzicionit të saponisur e gjetën në vitet e fundit të gjimnazit.

E mandej filloi menjëherë shkollën e lartë, për të vendosur përfundimisht se edhe ai mund të ishte pjesë e ndryshimit. Sot në ekipin e Këshilltarëve bashkiakë të Tiranës, ngre zërin për problemet ekonomike, aq sa edhe për vendimmarrje politike. 41 vjeçari, në një intervistë për shqiptarja.com tregon sesi po përpiqen të ndryshojnë meskinitetin që ofron kryetari i Bashkisë Lulzim Basha për Tiranën. Duke ardhur nga një familje tiranase me rrënjë të thella, tregon dhe për impaktin që kanë politikat lokale, por edhe ato të keqqeverisjes, tek qytetarët, për të cilët, shpreh besimin se në 23 qershor, do ti bashkohen Rilindjes.


Si keshilltar i së majtës në Këshillin Bashkiak në kryeqytet, keni bërë një bilanc të punëve deri tani: çfarë keni arritur të "nxirrni në dritë" sipas një shprehjeje popullore? Sa projekte i keni kthyer bashkisë dhe sa të tjera i keni vlerësuar pozitivisht?
Si këshilltar i grupit socialist në Këshillin Bashkiak jam përpjekur që çdo vendimmarrje në këtë këshill, të ketë një baze morale dhe të ndikojë për mirë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Tiranës. Kam votuar pa hezitim kundër çdo projekt-vendimi që ka pasur për qëllim keqpërdorimin e fondeve publike nga ana e administratës së Bashkisë së Tiranës, çdo vendim jo transparent në lidhje me hartimin e politikave ekonomike dhe zbatimin joeficent të tyre, si dhe kam votuar pro çdo vendimi që ka patur lidhje me politikat sociale në kryeqytet.

Nëse thuhet kështu, kjo do të thotë se keni shembuj konkretë të abuzimit me fondet publike, ç’ka do të thotë se kjo kërkon angazhim konkret edhe për ndjekje penale. Sa e keni zbatuar këtë gjë?
Ne Këshilltarët që përfaqësojmë të majtën në Këshillin Bashkiak, rast pas rasti i kemi bërë të ditura abuzimet në këtë këshill. Pikë së pari, mungesa e transparencës, edhe për projekte që duhet të realizohen në kohë, por që kanë ardhur tek ne si një feadback në momentin e fundit, është një lloj abuzimi. Kemi ngritur zërin në mënyrë të herëpashershme edhe për projekte të ndryshme, që sikurse e kemi parë dhe janë denoncuar nga media, (madje edhe nga vetë gazeta shqiptarja.com) kanë qenë projekte për mënyra përfitimi të pandershëm për zyrtarë të bashkisë apo njerëz rreth tyre. Nuk mund të harrojmë mungesën e transparencës për dy vite me radhë përshembull për zbukurimin e qytetit në prag të fundvitit, apo për dekorin festiv të realizuar edhe për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë vitin e kaluar.

Pas denoncimit të opozitës, Bashkia u detyrua të heqë ca çarçafë të bardhë që kishin përdhosur stemën e simbolet tona kombëtare, të varura në Teatrin e Operas dhe Baletit. Po sa ishin fondet e nxjerra për këtë projekt? Kush i menaxhoi këto fonde? Pse nuk u bë transparenca? Për këtë kemi ngritur zërin dhe kemi bërë denoncimet përkatëse. Të kalojmë te projekti klientelist madje edhe familjar i kioskave në pedonalen e Tiranës, i konsideruar si projekti “kioskat e kunatit” duke shkatërruar një vepër me vlerë e një mjedis shlodhës të ndërtuar në kohën kur në krye të bashkisë ishte zoti Rama.
Pse të mos flasim për sheshin qendror të kryeqytetit, i cili në mënyrë harbute e brenda një nate u prish, për të sjellë një tjetër vepër të shëmtuar në qendër. Kush do të mbajë përgjegjësi për fondet e harxhuara? Sigurisht, zyrtarët e bashkisë do të mbajnë përgjegjësi për të gjitha këto projekte abuzimi, e për më tepër, llogaridhënia nuk do të mbetet vetëm në këshillin Bashkiak. Pas 23 qershorit, llogaridhënia do të shtrihet te pushtetarët vendorë e qendrorë, ata që kanë mbështetur projekte të tilla klienteliste dhe korruptive.

Çështja e planit të ri të qytetit, është kthyer në një mollë sherri mes jush dhe zyrtarëve demokratë: zhdukja e parqeve të gjelbra, ndërtesave shumëkatëshe etj etj. Si mendoni të ndryshoni këtë realitet përderisa pala tjetër i ka votat e nevojshme?
Grupi ynë i këshilltarëve të majtë ka mbajtur qëndrim politik kundër planit urbanistik. Në daljet tona publike ne kemi bërë me dije arsyet përse ky koncept i hartimit të këtij plani, është totalisht i parealizueshëm. Lajmi i keq për qytetarët është se përfundimisht parqet dhe lulishtet janë të dënuara. Mbi gjelbërimin e sotëm, do të ngrihen pallate shumëkatëshe, ndërtesa që do të marrin frymën e kryeqytetit. Betonizimi duket se është “motoja” e zyrtarëve të sotëm të Bashkisë. Ne e kemi deklaruar prej kohësh, se për këtë plan që e konsiderojmë totalisht të parealizueshëm, do të mbledhim firmat, dhe në bashkëpunim me shoqërinë civile, pse jo, të kërkojmë edhe hapa të mëtejshme duke vendosur edhe qytetarët e Tiranës të shprehen.

Iku koha e dëgjesave publike që qytetarët të thonë fjalën e tyre sesi e duan qytetin. Iku koha e parrullave dhe reklamimeve të tipit “Tirana e qytetari është i pari”. Tashmë, duket se kryetari i Bashkisë, ka vendosur që të mos ketë asnjë lidhje me Tiranën, e jo më me qytetarët. Duke mbetur te plani rregullues i qytetit, ai është shoqëruar nga një raport vlerësimi mjedisor i formuluar nga Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së kryeministrit. Më thoni, a duhet më shumë për të thënë sesa shumë klientelizëm dhe interesa në dëm të qytetarëve, ka ky plan? Ne kemi vërejtur se ka një densitet të lartë të ndërtimeve, ka mungesa të zonave dhe sipërfaqeve të gjelbra; ky plan nuk bën gjë tjetër veçse shkakton një kaos akoma më të madh sesa vetë Basha e ka krijuar tani me qarkullimin rrugor në kryeqytet; ka mungesa të zonave sportive, kreative, këndeve të ndryshme për moshat e treta dhe për fëmijët. E gjithë kjo mënyrë përpunimi, hartimi dhe kërkese të aplikimit të këtij plani, e shdërron qytetin tonë në një vend ku atraksioni turistik mungon.

Pse e akuzoni Lulzim Bashën sikur nuk ka bërë asnjë punë? Shumë nga rrugët e qytetit kanë filluar të ndryshojnë dhe mesa vënë re qytetarët ka përmirësime të dukshme në disa lagje...
Këtë e konstatoni ju. Mirë është të pyeten qytetarët. Zoti Lulzim Basha ka dështuar në mirëmenaxhimin e kryeqytetit. Në vitin e dytë të punës në karrigen e kryetarit të Bashkisë, Zoti Basha ka një meritë: në Tiranë qeveriset keq dhe vidhet shumë. Tirana po lëngon. 600 ditë mbas vjedhjes së mandatit të kryetarit, Tirana nuk është më e pastër, Tirana nuk është më e gjelbërt, Tirana nuk ka infrastrukture rrugore, siguri dhe standard ushqimor më të mirë se gati dy vjet më parë. Zyrtarët e rinj të bashkisë nuk kanë asnjë vizion në rregullimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve; kanë marrë në dorë një pjesë të minibashkive, por kanë centralizuar pushtetin.
Nën moton “të tjera themi e të tjera bëjmë” pjesa më e madhe e projekteve janë të lidhura drejtpërsëdrejti me interesa të individëve që duan të përfitojnë jo vetëm nga fondet publike, por edhe në dëm të interesave të qytetarëve. Për dy vjet në krye të bashkisë, Lulzim Basha do t’i mbahen mend ndoshta vetëm rradhët e gjata që krijoi përpara bashkisë në atë që e konsideroi si hapje të zyrave dhe pritje me popullin për të bërë ndonjë foto.

Por vetëm kaq. Interesat klienteliste janë shtrirë në shtimin e kateve pa leje nëpër pallate, në rifillimin e kioskëzimit sidomos në zonat periferike për të synuar më pas qendrën e qytetit; në shkarkimet pa kriter nga puna deri në dhunë fizike ndaj punonjësve; në një polici bashkiake, që në vend të merret me punët e qytetit, merret me komunitetin rom, duke ushtruar dhunë, e duke e çuar situatën në alarmante për të qenë edhe pjesë e raporteve ndërkombëtare; në vendosje gjobash e shtim karroatrecësh në rrugët e Tiranës; në shtimin e bllokimit të trotuareve me anë të karrigeve e tavolinave të kafeneve dhe kaos edhe në zonat e mbrojtura. E ç’mund të presësh nga një kryetar bashkie që edhe një objekt të rëndësishëm kulture siç është Pallati i Brigadave e shkatërron (murin rrethues) pa pasur një leje ndërtimi...e të gjitha këto me një moto të qartë: sot drejtoj unë, e do vjedh sa dua unë!


A mendoni në ndonjë aleancë të mundshme me këshilltarët e LSI në këshillin Bashkiak për çështje të planit urbanistik?
Çështja e planit urbanistik ka kaluar me vendim të Këshillit Bashkiak në dhjetor 2012, këshilltaret e LSI e kanë votuar pro atë.

Kjo është një gjë e ditur: e kishim fjalën për ndonjë aleancë që të mund të diskutohet pa shkuar në veprime radikale të votës së qytetarëve...
Tani nuk kemi çfarë diskutojmë më për këtë pjesë. Do të ishte mirë sikur palët të kishin diskutuar më parë me transparencë dhe me një vendimmarrje të përbashkët. Duhet thënë se Tirana nuk është e Lulzim Bashës. Këshilltarët në parlamentin e qytetit janë ndarë në mënyrë të barabartë. Edhe ne përfaqësojmë interesat e qytetarëve të Tiranës. Do të ishte shumë herë më mirë nëse zoti Basha do të dëgjonte zërin e gjithë qytetarëve të Tiranës, ashtu sikurse edhe premtoi.

Sa i përfshirë jeni në strukturat politike në PS?
Unë i përkas familjes socialiste. Jam anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, si dhe kryefinancier i PS. Eshtë një kontribut disa vjeçar. Mendoj dhe besoj se një forcë progresiste si e majta, do të mund të ndryshojë realitetin në vend. Ne i përkasim një brezi të ri që mendojmë se Shqipëria duhet të ndryshojë ashtu sikurse ndryshuam Tiranën.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për “kolorit” siç mund ta kemi dëgjuar shpesh. Bëhet fjalë për ndryshim rrënjësor në mënyrën sesi konceptohej qyteti, sesi qyteti dhe qytetarët duhet ti përshtateshin zhvillimeve të reja urbane; sesi Tirana kthehej në një kryeqendër, në qytetin e parë që çdo i huaj që vinte nga jashtë, dëshironte ta vizitonte. Kjo gjë, ndryshoi me Edi Ramën. Në këtë kuptim, socialistët besojnë se vetëm me kryeministër Edi Ramën do të mund të arrijnë edhe ndryshimet në gjithë Shqipërinë. Për këtë strukturat politike të PS, por edhe modelet e qeverisjes vendore që janë nën drejtimin e socialistëve ndryshojnë si nata me ditën me atë të kundërshtarëve tanë politikë.

Të sprovuar e të lodhur nga pushteti e korrupsioni prej tetë vitesh, ashtu sikurse e keni konstatuar ju, por edhe ne, nuk dinë të bëjnë gjë tjetër përveçse të përfitojnë e të vjedhin edhe programin e kundërshtarëve politikë. Na vjen mirë që duan të aplikojnë një gjë të tillë, por janë shumë të vonuar. Shqiptarët do dinë se kujt tia besojnë votën në zgjedhjet e 23 qershorit. Dhe këtë do ta bëjnë me Partinë Socialiste.


Le të flasim për njësinë që jeni duke mbuluar deri tani, tek Medreseja. Në zgjedhjet e fundit të pushtetit vendor, nuk dolët aq mirë në këtë njësi. E si tirans “denbabaden” si familje, por i ri në moshë, çfarë keni arritur të realizoni në këtë zonë? A mundeni ju të ndryshoni realitetin në atë zonë? Cilët janë kundërshtarët përballë?
Si djalë i lindur dhe rritur në Tiranë, me një mbiemër për të cilin jam krenar, ndiej detyrimin moral dhe shpirtëror për të ndryshuar realitetin e zymtë në të cilin është zhytur sot qyteti im, dhe për më tepër, zona nga e cila kam prejardhjen.

Zona në fjalë, ka familje tironse autoktone, ashtu si dhe të ardhur në pjesën informale tek Bregu i Lumit. Ne do ta ndryshojmë realitetin në këtë zone, qytetarët e zhgënjyer do të na besojnë me votën e tyre. Viti 2013 është viti i ndryshimit. Ndonjëherë këto shprehje duken si slogane, por le të mos e shohim kështu për një moment. Jemi duke bredhur zonë më zonë, shtëpi më shtëpi, derë më derë. Jemi duke diskutuar me qytetarët. Le të flasim për Bregun e Lumit. Që nga koha kur Edi Rama u ndërtoi rrugën në postin e kryebashkiakut derisa ia vodhën mandatin para dy viteve, asgjë nuk është bërë për ata banorë. Ne po punojmë me konceptin e integrimit të tyre, duke e kthyer atë zonë që ne të gjithë i themi “informale” në një zonë të integruar. Sigurisht, kjo është çështje e pushtetit vendor. Por kjo nuk do të thotë se kur nesër PS të marrë pushtetin nuk do të shohë me prioritet zonat më në vështirësi, të cilat kanë nevojë për politika sociale, arsimore e shëndetësore, për punësim e zhvillim.

E të ndalemi te ata, tiranasit denbabaden siç thoni ju. Çfarë është bërë në gjithë këto vite në një problem të mprehtë që ata kanë pasur: çështjen e pronave. Pothuajse asgjë. Në tetë vjet, kjo qeveri, e cila nën moton e kthimit të pronës private erdhi në pushtet (përveç të tjerave) vetëm sa ka gënjyer gjithë këtë shtresë të tiranasve të vjetër. Unë kujdesem për këtë njësi, por jam e sigurt që në çdo njësi po punohet njëlloj që gjithë qytetarët të ndjejnë respektin e shtetit karshi tyre, të ndjejnë se edhe ata me votën e tyre do të jenë pjesë e rëndësishme e ndryshimit, pjesë e rëndësishme e Rilindjes.

Filluat njefarë kohe takimet me bizneset e vogla. Duket se e keni lënë këtë proces. Pse?
Jo, nuk është e vërtetë, ky proces është i vazhdueshëm. Partia Socialiste u ka premtuar atyre se do të heqim taksën e biznesit të vogël. Ne do ta mbajmë premtimin tonë dhe do ta bejmë realitet atë në datë 23 qershor 2013. Dhe për këtë mendoni sesa shëmtuar filloi të kopjojë takimet tona pala kundërshtare. Sapo ne të gjithë, dolëm biznes më biznes për të marrë mendimet e tyre, e për t’i përfshirë në shumicë në programin tonë të ri qeverisës, deputetë të PD të zgjedhur në Tiranë, tre javë pasi e kishim ndërmarrë këtë aksion, filluan të kopjojnë shëmtuar. Madje, shumë biznese i përzunë pa i pritur. Sepse përveçse nuk e toleronin dot rritjen e taksave, nuk toleronin dot fenomenin se gjithkush po vinte për të kërkuar votë, apo për të bërë “karshillëk”.

Mund të na thoni se pse socialistët anojnë nga taksa progresive? Dmth, për ta sqaruar më thjesht për ta kuptuar qytetarët. Pse shqiptarët do të jenë më mirë me ju nëse PS vjen nesër në pushtet?
Taksa e sheshtë ka rënduar ekonominë familjare të klasës së mesme, ka ulur punësimin, ka ulur investimet e brendshme dhe të huaja. Me ardhjen tonë në pushtet ne do të ndryshojmë modelin ekonomik. Sot një mësues taksohet trefish më tepër sesa do taksohet sipas modelit tonë.
Do të fillojë një epokë e re për sipërmarrjen, një marrëdhënie e re ligjore, etike e bazuar tek partneriteti dhe zbatimi i ligjit. Motorri i zhvillimit të shoqërisë është biznesi. Taksa e sheshtë ka rënuar biznesin e vogël, ka larguar investitoret e huaj, ka rritur korrupsionin dhe informalitetin. Do të jetë një proces reformash, por të jeni të sigurt se ne demokraci të gjithë e kalojnë një prove. Misioni jonë është një mision i mundur, dhe jo një mision i pamundur.

Po nëse PS humb pushtetin? Si do të menaxhohet situata?
Jam i sigurt që Partia Socialiste vjen në pushtet në 23 qershor 2013. Nuk ka asnjë shqiptar që beson këtë që thoni ju. Edhe më skeptikët, ata që dikur kanë besuar se Berisha do të qeveriste ndryshe, e kanë parë qartë se asgjë nuk ka ndryshuar gjatë qeverisjes së PD. Shikoni se ku është katandisur qeverisja e sotme: shikoni sesi krimi është bërë dominant në rrugët e Shqipërisë. Ndërsa realizojmë këtë intervistë, ju po e ndërprisni atë për shkak të një vrasjeje tjetër që ka ndodhur e përplasje me forcat e policisë.

Krimi po merr përditë jetë njerëzish e shteti është i pafuqishëm për të reaguar.
Le të flasim për ekonominë: shihni sesi vuan biznesi i madh. Shikoni rrugët e lëna përgjysëm sepse qeveria nuk ka para të paguajë. A e patë në fillim të janarit kur buxhetorët dhe pensionistët nuk merrnin dot lekët sepse arka e shtetit ishte bosh, ngaqë ishte menaxhuar keq. Shihni se ç’po ndodh me privatizimet e mëdha: cilat kanë qenë prioritetet e qeverisë dhe ku kanë përfunduar. Ku ka shkuar projekti i “Shqipërisë 1 euro” kur edhe ata pak investitorë të fuqishëm të huaj po e lënë përfundimisht Shqipërinë.

Po lënë një Shqipëri që është vend anëtar i NATO-s e ku duhet të kishte më shumë garanci se kudo tjetër. Por jo, po ndodh e kundërta. Kjo qeveri nuk ofron dot asnjë garanci se mund të ndërtojë shtetin, sepse është e bindur të mbajë forcërisht vetëm pushtetin.
Unë jam i bindur se ekipi i socialistëve dhe aleatëve të vet do të ndryshojnë këtë realitet. Ndaj për këtë arsye nuk ka asnjë iluzion nga askush se PS nuk i fiton dot zgjedhjet. Madje edhe vetë Berisha dhe deputetët e së djathtës, kanë filluar të besojnë se e kanë humbur pushtetetin.


Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 27 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

'Daily Express': Shqipëria, vendi i vogël evropian më i bukur se Greqia dhe Kroacia

'Daily Express': Shqipëria, vendi i vogël evropian më i bukur se Greqia dhe Kroacia