Gent Rushi: Ju rrëfej  risitë e
festivalit të Jazz në Shqipëri

Gent Rushi: Ju rrëfej  risitë e<br />festivalit të Jazz në Shqipëri
Gent Rushi, drejtori artistik i festivalit Ndërkombëtar JAZZ in Albania flet për risitë e festivalit dhe pjesëmarrjen e më shumë grupeve nga Shqipëria në edicionin e pestë të këtij festivali. Grupet nga Shqipëria kanë relativisht një moshë shumë të re. është diçka që artisti i njohur i muzikës jazz Gent Rushi do ta quante edhe si një shenjë rilindjeje të kësaj muzike në vendin tonë. Duke diskutuar me drejtorin artistik të këtij festivali e kujtojmë atë se Shqipëria mund të ketë një prapambetje në këtë zhanër muzike, edhe për faktin se jazz u ndal arbitrarisht në vendin tonë në vitet ’70. Artisti nuk e justifikon këtë vonesë.

“Vite ’70 janë shumë larg dhe ne kemi më shumë se 20 vjet të kaluara që t’i themi vetes se çfarë kemi bërë pas viteve ’90. Janë vite që tregojnë se ka arritje, edhe pse me vështirësi. Nuk do ta justifikoja këtë prapambetje me regjimin, sesa me një gjë që ka të bëjë me vetë njerëzit. Në vitet ‘70 bashkë me atë urinë në stomakët e tyre erdhi dhe çoroditja mendore. Nuk mund t’ia vëmë fajin për gjithçka komunizmit. Edhe Kuba ka qenë vend komunist, por jazz-i kuban është me patentë në botë”, thotë Gent Rushi, ndër të tjera.
 
 Kujtojmë se ju keni qenë herë organizator dhe herë pjesëmarrës i Festivalit Ndërkombëtar JAZZ in Albania. Çfarë është arritur në edicionin e tij të pestë?
 
-Në vitet ’90, ku e filluam nga e para këtë festival nuk ishte e lehtë, se të zhvillosh e t’i japësh jetë një festivali nuk është gjë e vogël dhe këto përvoja kanë shërbyer për të evoluar jo vetëm, jazz, por edhe muzikantët më të mirë në Shqipëri, skena e jazz është më e mira për të performuar ata që kanë vërtetë talent.
Kështu që ky festival në edicionin e pestë e ka marrë rrugën e vet dhe ka krijuar këtë fizionomi dhe nuk kemi menduar që të mbahet vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera, dhe kjo është diçka edhe më shumë pozitive, sepse rrethet kanë akoma një vakum, pothuajse janë në nivelin zero.
 
Në Shqipëri ka shumë drejtues që përpiqen të mbajnë në këmbë festivale të fushave të shumta të artit dhe kjo nuk është e lehtë, çfarë ju motivon në rastin tuaj?
 -Përpjekja jonë si artistë, bashkë me menaxherët e festivalit bëhet edhe për faktin se ky festival ka një mesazh, që është për të promovuar vlera dhe për të na bërë të qartë që edhe në Shqipëri ka artistë që janë koherentë.
 
Cila është risia e këtij edicioni?
 
-Muzika në gjuhën origjinale dhe globale, që gjuha e jazz është një element që duhet përcjell në mbarë botën. Pra siç kemi ne “Margjelën” apo këngë popullore të përkthyera në muzikën jazz, të atilla ka në gjithë botën. Dhe festivali synon për të bërë një promovim më të gjerë dhe qëllimi është më shumë se global. Pra arrihet ai globalizim që s’bëhet nga ana politike e institucionale. Me muzikën bëhet shumë thjesht globalizimi i muzikës, para se të arrijë ta bëjë politika, ne artistët mund ta bëjmë shumë thjesht. Unë do të thosha se risi nuk janë vetëm kompozimet e pjesëmarrësve, ata vijnë me kompozimet e tyre, por edhe fakti se mosha mesatare e pjesëmarrësve nga Shqipëria është nga 22-25 vjeç dhe janë këta të rinj që marrim inisiativë për të performuar. Shqipëria nuk ka vetëm një grup, ka tre grupe këtë vit kjo ishte një nga risitë, që Shqipëria ndryshe nga vitet e tjera merr pjesë me një numër goxha të madh përfaqësues dhe vjen me grupin më të madh pjesëmarrës, aty ku dhe unë marr pjesë, por këtë herë unë jam thjesht si muzikant i këtij grupi.

Tjetër risi është se ka një larmi personalitetesh muzikore. Stili është po ai jazz, por ka si të thuash një martesë stilesh, një larmi që eksperimenton me stilet ëord muzik, muzikë etnike dhe klasike. Janë të gjitha stilet e muzikës moderne. Pra do të jetë një festival që edhe në pikëpamje muzikore është gjithëpërfshirës. Me rëndësi nuk janë këtu vetëm pjesëmarrësit më të mirë nga disa vende të botës, por fakti që pjesëmarrësit nga Shqipëria performojnë për herë të parë në këtë skenë. Në çdo vit në skenën e këtij festivali nuk bëhen kurrë dy grupe që përsëriten. Kjo është shumë pozitive, sepse gjithmonë vjen muzikë më e mirë dhe më e mirë dhe stafi organizativ bëhet më selektiv në muzikën që sjell.
 
 
,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,
 
 
Shfaqet nga 19-22 korrik/ Festivali Jazz in Albania 2016 vjen me kompozime origjinale
 Grupe muzikore të ardhura nga Austria, Turqia, Izraeli, Holanda, Zvicra, Shqipëria, etj do të jenë pjesë e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar Xhaz Albania. Duke nisur nga dita e martë, më 19 korrik, deri më 22 korrik festivali i xhazit do të mbahet te Resorti Stela në orën 20.oo.

Risi e edicionit të pestë të këtij festivali janë kompozimet origjinale, pohon drejtori artistik i festivalit Genti Rushi, i cili shton ndër të tjera se “Unë do të thosha se risi nuk janë vetëm kompozimet e pjesëmarrësve, ata vijnë me kompozimet e tyre, por edhe fakti se mosha mesatare e pjesëmarrësve nga Shqipëria është nga 22-25 vjeç dhe janë këta të rinj”. Menaxheri i festivalit Valter Xoxa u shpreh për mediat se ky është një event artistik i rëndësishëm për kryeqytetin, i mbështetur edhe nga kryebashkiaku Erjon Veliaj, duke theksuar se “Festivali synon për të bërë një promovim më të gjerë dhe që të arrihet ai globalizim që s’behet dot nga ana politike e institucionale. Me muzikën bëhet shumë thjesht globalizimi i muzikës”, tha Xoxa.

Në edicionin e pestë të Festivalit Jazz Albania do të ketë kompozime nga përfaqësuesi italian i festivalit Tommaso Troncon Quintet. Bashkë me grupin Shalosh që vjen nga Izraeli në festival do të performojnë grupi i Gani Jakupit me artistë sapnjollë, trioja turke Mavi Jol, një trio e njohur zvicerane dhe Andi Kongo nga Shqipëria. Merr pjesë edhe artistja e njohur Irmie Vesselsky, që do të përfaqësojë Austrinë në festivalin e Xhazit. Ajo do të performojë një kombinim midis jazzit dhe muzikës klasike. Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar Xhaz Albania shfaqet falas për publikun dhe do të shfaqet dhe në rrethet Shkodër, Durrës, Fier e Sarandë.

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë