18 vite nga masakra e Gërdecit që i mori jetën 26 personave, familjarët e viktimave thonë se drejtësia ende nuk është vënë dhe kërkojnë që SPAK të mbërrijë te fajtorët e vërtetë, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu i cili po gjykohet në një proces të zvarritur sipas tyre, e deri te djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzeni. Në një ceremoni përkujtimore në Gërdec, për herë të parë mungoi për arsye shëndetësore, Zamira Durda gruaja e fortë që humbi djalin 7 vjeç, e që ka ndjekur çdo seancë në Gjykatën e Posaçme, pasi vuan nga një sëmundje e rëndë.

***

Për familjet që humbën njerëzit e zemrës në masakrën e Gërdecit, 15 marsi, nuk është thjesht një datë përkujtimore.

18 vite më pas, kjo ditë, i vë gishtin në plagën e hapur nga drejtësia që sipas familjarëve, ende nuk është vendosur për 26 jetët e humbura dhe plagosjen e qindra banorëve të tjerë nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve.

“Humba bashkëshorten time, la pas 2 fëmijë. Akoma nuk është vendosur drejtësi, kush është fajtor, a është gjetur fajtori. SPAK t’i shkojë deri në fund hetimeve”, tha një prej familjarëve të viktimave.

“Populli ua ka bërë gjyqin, ta zvarrisin sa të duan, është turpi i tyre. Të shohim drejtësinë me SPAK. Mu bë nipi 18 vjeç, i bie çdo brez të vuajë pasojat e brezit tjetër”, tha një grua e cila humbi bashkëshortin Besim Canga në masakrën e Gërdecit.

“Dikur u mblodh gjithë Shqipëria dhe u bë marshim nga Vora në Tiranë për drejtësi. Po qenë të bashkuar dy krahët politikë nuk jepet drejtësi”, tha Feruzan Durda që humbi djalin 7-vjeçar.

Sot, në fshatin rreth 20 kilometra nga Tirana, fabrika e ferrit nuk është më. Në gjurmët e saj, ende të dukshme edhe sot, një memorial, aty ku familjarët kryejnë homazh prej 18 vitesh tashmë. Pamjet me dron këtë 15 mars të 2026-ën, shfaqin edhe afërsinë që fabrika e demontimit të municioneve të kalibrave të mëdhenj, ka pasur me banesat.

1773580316_gerdeci.jpg

Foto me dron nga vendi ku ka qenë fabrika e demontimit të armëve

Fatmir Mediu i cili i shpëtoi gjykimit të parë falë imunitetit parlamentar, pas përpjekjeve disa vjeçare të familjarëve, po përballet sot me drejtësinë vetëm për shpërdorim detyre në procesin e rihapur në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, shtatorin e vitit 2021.

Familjarët nuk e fshehin irritim përballë pretendimit të Mediut, se procesi ndaj tij është politik, duke i kujtuar se vendimet dhe urdhrat e tij si ish-ministër i mbrojtjes i hapën rrugën demontimin e municioneve në afërsi të zonave të banuara nga një kompani private që nuk dispononte teknologjinë e nevojshme.

“Del Mediu dhe tallet, më ka vdekur motra, kam pasur nusen shtatzënë, fëmija në barkun e nënës ka vdekur. Mediu tallet me viktimat”, tha Shefki Sefa, i cili edhe ka punuar në fabrikën e demontimit.

Babë e bir, Feruzan dhe Geraldo Durda, të cilët humbën të voglin e shtëpisë Edisonin vetëm 7 vjeç, përgjegjësinë e shohin te ish-kryeministri Sali Berisha, dhe i biri, Shkëlzen Berisha.

“Mjaft fakte interesante kanë dalë deri te tabulatet telefonike që është folur me Shkëlzen Berishën. Deri të tabulatet ku Mediu merrte ekspertë në telefon dhe u thonte që duhet të çoni akoma më shumë municion. Fajtorët po dalin, në një proces të zvarritur, por që më në fund po gjykohet. Disa sekuenca gjyqësore po e nxjerrin pazëllin e plotë të Gërdecit”, shprehet Geraldo Durda.

“Me ato dokumente me ato dëshmi, ai ishte nisur që të vriste gjithë popullin këtu, kaq i pamëshirshëm ishte ai që e votuam për të na mbrojtur”, thotë Feruzan Durda.

Gruaja e cila për 17 vite rresht derdhi lot në këtë memorial në Gërdec, dhe ndoqi nga pas çdo hap të procesit për të ndëshkuar masakrën, Zamira Durda, këtë vit mungoi, pasi kaloi një gjendje të vështirë shëndetësore dhe mjekët i kanë rekomanduar të mos përjetojë emocione të forta.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:24
Masakra e Gërdecit/ Sot ‘fabrika e ferrit’ nuk ekziston, por gjurmët kanë mbetur (PAMJE ME DRON)

Sot, në fshatin rreth 20 kilometra nga Tirana, fabrika e ferrit nuk është më. Në gjurmët e saj, ende të dukshme edhe sot, një memorial, aty ku familjarët kryejnë homazh prej 18 vitesh tashmë. Pamjet me dron këtë 15 mars të 2026-ën, shfaqin edhe afërsinë që fabrika e demontimit të municioneve të kalibrave të mëdhenj, ka pasur me banesat.

Ora 12:45
Humbi vëllanë në masakrën e Gërdecit/ Geraldo Durda në lot: Nuk dorëzohemi derisa të ndëshkohen fajtorët, Shkëlzen Berisha del në tabulatet telefonike me Mediun

Zamira Durda, gruaja që nuk rresht së kërkuari drejtësi për djalin 7-vjeçar, Edisonin, që vdiq në masakrën e Gërdecit, këtë vit mungoi në homazhe për shkak të gjendjes shëndetësore. Por, thirrjen për drejtësi ia la djalit të saj Geraldo Durdës, i cili për mikrofonin e Report Tv thotë se nuk kanë ndërmend të dorëzohen derisa drejtësia të flasë dhe fajtorët e vërtetë të ndëshkohen.

Me lot në sy, ai kujton të vëllanë, i cili sot do të ishte 25 vjeç, por vdiq në fabrikën e demontimit të armëve bashkë me 25 persona të tjerë.

“Një drejtësi e vonuar dhe një drejtësi e munguar, ende vazhdon të mungojë për familjarët e viktimave të Gërdecit. 18 vite ne nuk jemi dorëzuar dhe nuk kemi ndërmend të dorëzohemi derisa drejtësia të flasë, derisa fajtorët të ndëshkohen për të dashurit tanë që humbën jetën”, thotë Geraldo Durda për Report Tv.

Drejtësisë i bën thirrje të shkojë deri te Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha, rolii të cilit kurrë nuk është zbardhur në këtë çështje, ndonëse emri i tij del në tabulatet telefonike me ish-ministrin e mbrojtjes të asaj kohe, Fatmir Mediun. Për këtë të fundit, Durda thotë se është i vetmi që ka përfituar politikisht nga çështja e Gërdecit.

“Ka një proces gjyqësor në GJKKO që po zhvillohet, ku mjaft fakte interesante kanë dalë deri te tabulatet telefonike që është folur me Shkëlzen Berishën.  Deri të tabulatet ku ish-ministri Mediu merrte ekspertë në telefon dhe u thonte që duhet të çoni akoma më shumë municion, këto janë në proceverbalet e gjyqit. Fajtorët po dalin, në një proces të zvarritur prej 18 vitesh, por që më në fund po gjykohet. Disa sekuenca gjyqësore po e nxjerrin pazëllin e plotë të Gërdecit. Shkëlzen Berisha është thirrur edhe si dëshmitar, nuk e dimë nëse dëshmia ka qenë e plotë, do shihet nëse mund të rithirret si dëshmitar nga ana e familjarëve të viktimave.

Nuk kam dijeni nëse djali i ish-kryeministrit është marrë në pyetje lidhur me fraksionin që po heton SPAK, ka një zgjerim të veprave penale që po hetohen. Shpresoj të shkohet edhe te djali i ish-kryeministrit nëse ka qenë fajtor.

I vetmi person që ka përfituar politikisht është Mediu, i cili me anë të Gërdecit bëhet pjesë e listave të mbyllura të PD. Nuk dua ta diskutoj më, është çështje politike apo jo, është fakt, janë vrarë 26 veta, janë shkatërruar 300 shtëpi, biznese, një fshat u hodh në erë dhe më flitet për politikë”, shprehet ai.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Ora 12:27
Humbi motrën në masakrën e Gërdecit, ish-punonjësi i fabrikës: Fatmir Mediu del e tallet me viktimat, ku është drejtësia?

Shefki Sefa, ish-punonjës i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, i cili ka humbur motrën, kërkon drejtësi. Sefa thotë se ish-ministri i Mbrojtjes Farmir Mediu është përgjegjësi kryesor dhe se ai tallet me jetët e humbura. Shefki Sefa thotë se nusja e tij në atë kohë ishte shtatzënë dhe se humbi fëmijën.

“Del Mediu dhe tallet, më ka vdekur motra, kam pasur nusen shtatzënë, fëmija në barkun e nënës ka vdekur. Mediu tallet me viktimat. Ne duam drejtësi, ku është drejtësia, pse nuk e zbardhin Gërdecin. Ku është Ylli Pinari, unë kam shkarkuar predhat, fishekë. Në momentin që ka vazhduar, kam punuar me Kosta Trebickën paketim fishekësh, a i pa Trebicka fishekët, a erdhi në Gërdec? Del Mediu dhe thotë çfarë kërkojnë viktimat e Gërdecit, drejtësi kërkojmë ne, ku është SPAK? Kam ngel me një vajzë 23 vjeçe. Ku është drejtësia, që nuk jep drejtësi? Nusja e Azem Hajdarit ka qenë prokurore që më ka nxjerrë nga salla e gjyqit, sepse kërkova të drejtën time në sallën e gjyqit, ku është shteti, ku është drejtësia”, tha Shefki Sefa.

Ora 12:22
Dëshmitarja e masakrës së Gërdecit: Isha në punë në momentin e shpërthimit, humba bashkëshortin! Gjendje lufte, nuk gjenim dot kufomat

Report Tv sjell dëshminë e një tjetër gruaje që jo vetëm punonte në fabrikën e vdekjes në Gërdec, por 18 vite më parë nga shpërthimi ajo humbi aty edhe bashkëshortin Besim Canga. Ditën e shpërthimit e kujton si një ditë lufte, ndërsa për Report Tv rrëfen se atë ditë e kujton si gjendje lufte dhe nuk dinin ku të gjenin kufomat e viktimave.

“Populli ua ka bërë gjyqin, ta zvarrisin sa të duan, është turpi i tyre. Të shohim drejtësinë me SPAK. Mu bë nipi 18 vjeç, i bie çdo brez të vuajë pasojat e brezit tjetër, se këto i ka mbytur korrupsioni, çdo ngjarje i mbivendoset njëra-tjetrës. Ata janë rehat në shtëpitë e veta, nuk kanë pse të vijnë këtu, ne vuajmë. Të të ikë një person i shtëpisë, ke gjithë problemet mbi supe, një grua. Isha në punë atë ditë, gjendje lufte, nuk dinim nga të shkonim e nga të gjeni kufomat. SPAK për të ngritur dinjitetin e tyre dhe si shqiptarë dhe si shtet, jo për ne, ata ikën nuk vijnë më, por me këto drejtësi e padrejtësi që bëhen nuk kemi gjë në terezi fare”, tha ajo.

Ora 12:17
18 vite nga masakra në Gërdec/ Feruzan Durda për Report Tv: Fatmir Mediu përgjegjësi kryesor, ishte nisur për të na zhdukur të gjithëve

Feruzan Durda, i cili humbi djalin 7 vjeç nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, kërkon drejtësi ndërsa thotë se ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, është përgjegjësi kryesor për atë masakër të ndodhur 18 vite më parë.

“Zamira është operuar në kokë. Ia ka prerë doktori, nuk duhet të dëgjojë fatkeqësi. Për momentin është me kimioterapi në shtëpi. Sa i përket procesit, jam i bindur që personi në fjalë po gjykohet, do ta marrë ndëshkimin e vet përtej atyre që ai del në media dhe flet për NATO, OKB nuk e di çfarë flet ai. Ka harrur të flasë vetëm për hënën. Harron ato të vetat se çfarë ka bërë. Me ato dokumente me ato dëshmi, ai ishte nisur që të vriste gjithë popullin këtu, kaq i pamëshirshëm ishte ai që e votuam për të na mbrojtur. Përgjegjës të tjerë ka shumë, por të gjithë kanë qenë nën urdhrat e ish-ministrit të Mbrojtjes. Ai i hoqi nga detyra të gjithë ushtarakët dhe pse mbrohet se thotë se kishte ushtarakë. Ushtarakët nuk kishin kompetenca për të vepruar. Të tjerët pastaj janë pasoja e ministrit. Ky nuk është ru për ne, por për qeveritarët. Dikur u mblodh gjithë Shqipëria dhe u bë marshim nga Vora ë Tiranë për drejtësi. Sot pa një gjë të keqe nuk ka mbështetje. Kjo tregon që populli sado të kërkojë drejtësi, po qenë të bashkuar dy krahët politikë nuk jepet drejtësi. Sido q të jetë vendimi ka institucione të tjera në botë që do të kërkojmë ato të drejta”, tha Feruzan Durda.

Ora 12:07
Masakra e Gërdecit, familjarët e viktimave për Report Tv: Ende s’ka drejtësi, SPAK t’i shkojë deri në fund hetimeve

Nga homazhet në Gërdec për 26 personat që u vranë në fabrikën e demontimit të armëve, një prej familjarëve të viktimave i bën thirrje SPAK të çojë deri në fund hetimet. Ai tregon për Report Tv se në shpërthimin e fabrikës në Gërdec, humbi bashkëshorten, e cila la pas dy fëmijë, por ende sot drejtësia nuk është vënë në vend.

“Humba bashkëshorten time. Jo akoma nuk është vendosur drejtësi, kush është fajtor, a është gjetur fajtori. Jeta është e njëjtë, bashkëshortja la pas 2 fëmijë. SPAK t’i shkojë deri në fund hetimeve”, tha një prej familjarëve të viktimave.

Ora 11:33
Masakra e Gërdecit/ Familjarët e viktimave deklaratë në 18-vjetorin e tragjedisë: Gjyqi i vonuar, Fatmir Mediu po favorizohet

Familjarët e 26 viktimave të masakrës së Gërdecit në fabrikën e demontimit të armëve, shprehin publikisht për të 18-in vit radhazi dhimbjen e tyre për fëmijët e humbur, për jetët e të cilëve ende pas kaq shumë vitesh nuk ka një përgjegjës. I vetmi që ka ‘hyrje-dalje’ në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion për këtë çështje, është ministri i Mbrojtjes i kohës, Fatmir Mediu, i cili akuzohet vetëm për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Mediu pretendon se atij po i bëhet një gjyq publik, pa fakte e prova që e implikojnë në jetët e humbura, ndërsa familjarët e viktimave flasin për një tjetër realitet tepër të dhimbshëm. Në deklaratë flitet për një proces ligjor komod që po zhvillohet ndaj Fatmir Mediut, për seanca të zvarritura, për kohë të pakufizuar në dispozicion për deklarime politike e pa një masë sigurie.

“Në shumë raste procesi është shtyrë për shkak të angazhimeve të tij politike jashtë vendit. Gjykata e ka trajtuar këtë situatë me një kujdes të veçantë ndaj të pandehurit, pa masa sigurie, me akomodim të vazhdueshëm të datave, kohëzgjatjes së seancave dhe kërkesave procedurale. Ky është një trajtim që i ngjan një procesi gjyqësor në një vend me standardet drejtësisë “norvegjeze”. Por ngjarja për të cilën bëhet fjalë nuk është aspak “norvegjeze”. Ajo është tragjedia e Gërdecit”, thuhet në deklaratë.

Thirrja e familjarëve të viktimave të Gërdecit është për shtyrjen përpara të këtij procesi gjyqësor kaq të domosdoshëm dhe njëkohësisht të vonuar.

Deklarata e plotë e familjarëve të viktimave të Gërdecit

Sot shënohen 18 vite nga tragjedia e Gërdecit, një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar shoqëria shqiptare në kohë paqeje. Për familjet tona kjo nuk është thjesht një datë përkujtimore. Është një kujtesë e përditshme e jetëve të humbura dhe e një drejtësie që ka marrë një rrugë tepër të gjatë për të mbërritur deri këtu.

Ndryshe nga sa pretendohet shpesh publikisht nga ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu, gjyqi që zhvillohet sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është një proces politik. Përkundrazi, historia e kësaj çështjeje tregon se pengesat ndaj drejtësisë kanë qenë të natyrës politike.

Akuza ndaj ish-ministrit është ngritur që në vitin 2009. Megjithatë, ajo nuk u gjykua për më shumë se një dekadë. Në atë kohë, çështja u mbyll pasi ai fitoi mandat deputeti dhe përfitoi nga imuniteti parlamentar, ndërsa organet e akuzës nuk ndërmorën veprime për vazhdimin e procedimit për vite të tëra.

Vetëm pas shumë përpjekjesh dhe debatesh juridike, pas kërkesave tona çështja u rikthye në tryezën e drejtësisë dhe sot po shqyrtohet në GJKKO. Edhe ky rikthim kërkoi vite të tjera pritjeje, pasi për rreth dy vite u desh që të gjitha shkallët e gjyqësorit të shpreheshin mbi vlefshmërinë e hapjes së procesit.

Pas rreth tre vitesh procesi vijon në gjykatë. Në pothuajse çdo seancë, i pandehuri e përdor sallën e gjyqit jo vetëm për qëndrime juridike, por më shumë për deklarime politike në interes të tij. Gjykata e ka lejuar vazhdimisht këtë praktikë, duke i dhënë kohë të pakufizuar.

Në shumë raste procesi është shtyrë për shkak të angazhimeve të tij politike jashtë vendit. Gjykata e ka trajtuar këtë situatë me një kujdes të veçantë ndaj të pandehurit, pa masa sigurie, me akomodim të vazhdueshëm të datave, kohëzgjatjes së seancave dhe kërkesave procedurale. Ky është një trajtim që i ngjan një procesi gjyqësor në një vend me standardet drejtësisë “norvegjeze”. Por ngjarja për të cilën bëhet fjalë nuk është aspak “norvegjeze”. Ajo është tragjedia e Gërdecit.

Të pabazuara janë edhe pretendimet se ky proces nuk është i ligjshëm.

Akuza është ngritur brenda afateve ligjore dhe lidhet drejtpërdrejt me tragjedinë. Vendimet dhe urdhrat e ish-ministrit të mbrojtjes kanë pasur një rol të drejtpërdrejtë në zinxhirin shkak-pasojë që çoi në katastrofë. Në thelb të kësaj çështjeje qëndron vendimi i ish-ministrit për të lejuar demontimin e municioneve të kalibrave të mëdhenj në afërsi të zonave të banuara, nga një kompani private që nuk dispononte teknologjinë e nevojshme dhe pa mbikëqyrjen e rreptë nga strukturat e forcave të armatosura.

Argumente të ngjashme me ato që paraqet sot ish-ministri janë ngritur edhe në procese të tjera brenda Shqipërisë apo edhe në Strasburg. Megjithatë, ato nuk kanë gjetur mbështetje çka tregon se vlerësimi juridik i kësaj çështjeje po bëhet gjithnjë e më i qartë.

Pavarësisht orëve të gjata të komenteve të ish-ministrit mbi ekspertizat, dokumentet dhe dëshmitë, nuk qëndron pretendimi se kemi të bëjmë me një proces absurd. Përkundrazi, kemi të bëjmë me një proces të domosdoshëm dhe tepër të vonuar.

I pandehuri vazhdon të theksojë se demontimi i municioneve ishte i domosdoshëm. Ne nuk kemi thënë kurrë se demontimi nuk duhej bërë. Ajo që kemi thënë gjithmonë është se nuk duhej bërë në mënyrën se si u bë, në kushte të pasigurta, pranë banesave dhe me një organizim që përfundoi me një kosto tragjike në jetë njerëzish.

Ironikisht, prej tij dëgjojmë shpesh pretendime se ky operacion ishte fitimprurës. Por të gjithë e dimë se me çfarë kostoje reale u pagua ai “fitim”.

Sot shënohen 18 vite nga tragjedia. Në këtë kohë, edhe një foshnjë e lindur atë ditë do të ishte sot një i rritur. Ndërsa procesi gjyqësor për përgjegjësinë e kësaj tragjedie është ende në fillimet e tij. Në një mënyrë të dhimbshme, ky proces i ngjan moshës së atyre fëmijëve që nuk u lejuan kurrë të rriteshin.

E megjithatë ne presim me durim, pa bërë shumë komente publike, pa tejmbushur sallën e gjyqit me dramën tonë, pa kërkuar hakmarrje.

Ne kërkojmë vetëm të vërtetën dhe drejtësinë, që shoqëria shqiptare të sigurohet që një ngjarje e tillë të mos përsëritet kurrë më. Ky është amaneti i atyre shpirtrave që përkujtojmë sot.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.