TIRANË- Për të dytën herë radhazi është shtyrë sërish  seanca paraprake në GJKKO për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Seanca paraprake do të zhvillohej sot për të vendosur nëse çështja e Gërdecit do të kalojë ose jo për gjykim, por gjykata nuk ka pranuar që familjarët e viktimave të jenë palë në këtë proces. 

Seanca paraprake e radhës do të mbahet më 4 prill ora 2.30. Ndërkohë avokati i familjes Durda, Dorian Matila tha për mediat se edhe familjarët e viktimave duhet të jenë pjesë e procesit. Nga ana tjetër këtë qëndrim ka mbajtur edhe avokati i Mediut, Ardian Visha. Pas kërkesës së familjarëve për t'u bërë palë në çështje, Prokuroria ka kërkuar kohë dhe kështu u vendos që seanca të shtyhet më 4 prill.

Vetë ish-ministri Mediu nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokatët Ardian Visha dhe Henrik Ligori. Në gjykatë ishin të pranishëm edhe familjarët e Edison Durdajt që vendosën në lëvizje SPAK për të rihapur çështjen. Seanca paraprake u shty për herë të dytë, pasi më 23 mars nuk ishin të pranishëm prokurorët.

SPAK ka dërguar për gjykim ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, 'SAC' dhe 'Albademil'. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?
Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve.