Gerta Loku Tushaj këtë të diel të parë të nëntorit tha se do të futet në politikë. Kjo është një shenjë shumë e mirë për Shqipërinë. Vajza nga Mamurrasi, dikur emigrante në Itali, studente në La Sapienza, nënë e sipërmarrëse në një fermë në malësinë e Mirditës, po, do të futet në politikë. E shpalli në rrjetet sociale ashtu siç tregon natyrshëm punën e saj dhe familjen e saj në fermë, mes magjisë së natyrës, mes dhive e vështirësive që secili prej nesh i imagjinon, ajo ecën përpara me gëzim.

Urimet e ndjekëseve në Facebook ishin të shumta e të sinqerta. E urova me zemër edhe unë, pa e njohur nga afër, pa e takuar asnjëherë; më kishte bërë për vetë fjalimi i saj në Kuvend tri vite më parë ku kërkonte llogari e shpjegonte vështirësitë e një shqiptari që kishte vendosur të kthehej e të punonte në këtë vend. Më kanë frymëzuar foto, videot, lumturia e një njeriu që natyrën dhe punën e ka përzemër si shumë të tjerë.

Menduam të jepnim lajmin edhe ne, në mediat tona Shqiptarja.com dhe Report TV. Por aty, ndryshe nga FB, ku urimet ishin me emer e mbiemer, me foto e çdo gjë, komentet vinin të hidhëta, të helmëta, të këqija. Mirëserdhe në botën e përbaltjes e dashur Gerta! Aty ku bashkëatdhetarë të partive, llogoreve, passhpine e anonimë, mendojnë të të dekurajojnë, të të heqin dëshirën për të ndërtuar e për të përmirësuar Shqipërinë tonë: Do të të thërrasin dhi, kafshë, bagëti, do të shpikin e do të të përbaltin sa më s’ka, por besoj se këtë ti e ke ditur dhe e di mirë. E megjithatë vendose ta bësh këtë hap, duke kuptuar thelbin se balta bie në fytyrë të kujt e hedh!

Kur në një shkrim më parë shkruajta se kjo dhe vetëm kjo është koha e vajzave dhe djemve të mirë, kisha pikërisht parasyve këtë: Duhet të kandidojnë! Duhet të kontribuojnë pavarësisht përbaltjes dhe kundërshtisë. Mjaft hapsirë u është lënë të keqes, të paaftës dhe parazitëve në Shqipëri! Nuk më interesonte fare se për cilën parti do të kandidonte Gerta, për PS, PD, Jozefinën apo Mediun, Dukën e Shehun. Ajo më vonë e tha: Krah Rudina Hajdarit dhe kjo mobilizoi ta shanin e përbaltnin ata që tashmë të gjithë i njohim, edhe pse janë anonimë.

I njohim sepse kanë të njëjtën egërsi, stil ofendimesh, shpifjesh e denigrimesh me cilindo bën një zgjedhje ndryshe nga ata. Linçuan artistë e profesionistë që vendosën të japin kontributin e tyre në politikë, vetëm se nuk iu ngjitën kauzës së tyre.

Gerta Loku Tushaj e ka marrë përsipër edhe këtë sakrificë, këtë sfidë. Duhet ta bëjë çdo njeri i mirë në këtë vend, të gjejë hapsirën e të punojë për ta bërë përditë e më të mirë Shqipërinë. Balta pastaj, dihet që lahet me të parin shi dhe në baltë, dihet se kush përherë qëndron.