Gianni Amelio: Do të bëj një film
për tragjedinë e Otrantos

Gianni Amelio: Do të bëj një film<br />për tragjedinë e Otrantos
“Gianni Amelio do të xhirojë një film posaçërisht mbi tragjedinë e Otrantos”. Këtë lajm ka bërë të ditur dje aktori i filmit “L’Intrepido”, film po me regji të Amelios, Gabriele Rendina para publikut të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, ku filmi u shfaq si premierë.  Pas shfaqjes ai theksoi për “Shqiptarja.com” se “ky film mund të nisë xhirimet afërsisht pas dy vjetësh”.

Pas filmit “L’America”, prodhim i vitit 1994 dedikuar emigracionit shqiptar të vitit 1991 drejt Italisë, film që pati edhe kundërshtime, ku më i njohuri ishte ai i shkrimtarit Ismail Kadare “mbi imazhin e keq të shqiptarëve” dhe pas “L’Intrepido”, i cili u shfaq dy ditë më parë, ku sërish kishte një copëz Shqipërie, si vend i zgjedhur me këmbëngulje nga Amelio, një film për Otranton, tragjedi që ka bërë bujë në vendin fqinj, do të ishte filmi i tretë i regjisorit me tematikë nga Shqipëria. Gianni Amelio njihet se edhe ka adoptuar një djalë shqiptar.  

“L’Intrepido” ose “Heroi i heshtur” i…mbijetesës

 “L’Intrepido”, ose shqip “Heroi i heshtur” . Term jo i panjohur dhe për ne shqiptarët; sjell ndërmend kolanën e botimeve “Heronjtë e heshtur”  të luftës antifashiste.

Por i heshtur, hero për regjisorin italian Gianni Amelio rikonfirmohet edhe ai që nuk rrezikon apo jep jetën në kontekstin e armëve. Edhe ai që nuk bën askund, në asnjë hap që hedh, zhurmë e bujë, por thjesht sprovohet në çfarëdolloj pune, në një mori punësh, gati në të gjitha punët e mundshme, tipiku i shprehjes sonë popullore “ç’i sheh syri i bën dora”.

Heroi Antonio Pane (interpetuar nga komiku i famshëm Antonio Albanese) - në filmin “L’Intrepido”, shfaqur mbrëmë si premierë ballkanike në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, fitues i çmimit Laterna Magica në Festivalin e Venecias këtë shtator -  i cili dhe mbiemrin Pane (në shqip: bukë) e ka të lidhur ndoshta kinse me ekzistencën  i bindet në ç’do rast punës, sfidave të rënda ekzistenciale të bukës së gojës me të cilat përballet në mënyrë konstante, por që u përgjigjet vetëm ndershmërisht ama!

Që nga punëtor ndërtimi, makinist, pastrues i peshqve, pastrues i stadiumeve, kuzhinier, asistent i të moshuarve, klloun në qendra tregtare, por që s’pranon të bëhet shoqëruesi i një të mituri për pedofili. Edhe e mashtrojnë, edhe e lënë pas dere apo e përcjellin mbrapsht pa një dyshkë hak pune, sepse edhe në Itali ndodh si në Shqipëri. Por edhe student shembullor, edhe pse 48 vjeç, që dorëzon i pari testin e provimit.

Por në gjithë këtë rutinë gllabëruese nuk ka normalitet dhe gëzim jete. Puna i jep një hije të rëndë dramaticiteti dhe trishtimi heroit Antonio Pane. Edhe pse kjo ndërthuret edhe me komicitetin, ky i fundit nuk arrin ta zhbëjë të parën. I braktisur nga bashkëshortja, i duhet të luftojë edhe vetminë, të cilën nuk ia mbush as i biri në kërkim të lirisë dhe suksesit të tij. 

Jo vetëm në vende të pazhvilluara, por edhe në Itali mund të hasësh jo vetëm dramë si e Antonios, por edhe tragjedi si e Lucia-s, studentes, me të cilën Antonio dashurohet, e cila i shpreh shokueshëm se frikën më drithëruese në jetë kishte “mospagesën e qirasë”. Dhe depresioni e çon deri në vetëvrasje.

Pas një takimi rastësor me ish-gruan, të cilën pa e njohur i avitet t’i shesë lule në tavolinën  e restorantit luksoz (edhe lule i qëlloi të shiste), ku ajo gjendej me partnerin e ri të saj, i rrënuar shpirtërisht Antonio niset drejt…Shqipërisë…

Shqipëria te “L’Intrepido”

I njohur me filmin “L’America”, dedikuar emigracionit shqiptar të vitit 1991, xhiruar afro 20 vjet më parë, regjisori Gianni Amelio zgjedh të xhirojë për herë të dytë në Shqipëri. “Skenari përmbante që personazhi i filmit, Antonio të shkonte në një vend jashtë Italisë. Dhe regjisori Amelio menjëherë zgjodhi dhe këmbënguli për Shqipërinë. Ai provon një dashuri të thellë për këtë vend”, do të thoshtë para të pranishmëve në Durrës aktori Gabriele Rendina, i cili luante rolin e të birit të Antonio Panes. I vetmi i pranishëm në premierë nga stafi realizues i filmit.

Dhe Antonio në Shqipëri shfaqet duke shtyrë vagonë në minierën e Bulqizës. Minatorët shqiptarë e provokojnë me “bën sikur nuk kupton shqip”. I rendisin një sërë fjalësh në italisht dhe Antonio ua kthen në shqip. Kur i thonë: “figlio” dhe ai shqipton “bir” “fjala i ngec në grykë”, stepet dhe klithma e brendshme e babait e nis në kërkim të tij. Nga Burreli drejt Tiranës, ku i biri kishte ardhur të jepte koncert me muzikantë italianë (në të folur italianë, por në të vërtetë vetëm i biri, aktori Gabriele Rendina ishte italian, pjesa tjetër ishte grupi nga Tirana  LYNX dhe regjisori Eno Milkani).

Me autobusin e gjelbër të Unazës udhëton natën në qendër të Tiranës, ku shfaqen godinat kryesore me drita blu, por për dikë që nuk e njeh këtë qytet nuk shfaqeshin para syve detajet lidhëse, që të kuptohej që ikja e Antonios nga Burreli në kërkim të të birit ishte pikërisht drejt Tiranës. Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të të birit para koncertit, “heroi” Antonio, siç i kërkoi nevoja dhe dashuria, diti të ishte gati edhe këtë herë për t’u përgjigjur: i ra saksofonit në vend të të birit. Dhe pas koncertit të suksesshëm tek amfiteatri i Liqenit Artificial në Tiranë, tek shëtitorja po aty, e njohur si “te Diga”, Antonio teksa ecën kthen kokën pas dhe e mbyll filmin me një…buzëqeshje…

Gianno Amelio i kërkoi bashkëpunim Edi Ramës
Regjisori italian i ka kërkuar ish-liderit të opozitës shqiptare, Edi Rama që ta ndihmonte për xhirimet e filmit “L’Intrepido”. Në ç’mënyrë? Thjesht me publikun që i nevojitej si spektator i koncertit. Fare mirë spektatorët mund të ishin nga mitingjet elektorale, pasi mijëra vetë publik kushtonte. Siç tregon regjisori Eno Milkani ata pinë një kafe të dy dhe Rama ra dakord. Por më pas u vendos që të bëhej te amfiteatri i Akademisë së Arteve, jo në një miting.
 
Eno Milkani: Amelio u mahnit nga Amfiteatri te Liqeni
“Ideja e koncertit ishte fillimisht te Pallati i Kongreseve. Por kushtonte shumë. Më pas te Akademia e Arteve. Por prej aty më vajti në mendje amfiteatri te Liqeni Artificial. Sapo ia tregova Amelios  i pëlqeu shumë dhe vendosi për aty”, tregoi para publikut regjisori Eno Milkani, i biri i regjisorit Piro Milkani, me të cilin Amelio ka bashkëpunuar në filimin “L’America”. “Kam ardhur një mijë herë në Shqipëri dhe s’i se kam parë këtë vend?!”, pat thënë Amelio.  “Por bashkë me grupin e punës na u desh të ndërtonim aty kangjellat e shkulura, të rivinim karriget e rrëzuara”, tha Milkani, e për këtë arsye pagesa për vendxhirimin do të ishte fare modeste. 
 
Shkrimi u publikua sot (06.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zbulohet trajtimi i parë i astmës pas 50 vitesh kërkime

Zbulohet trajtimi i parë i astmës pas 50 vitesh kërkime