Para një dekade hartova dhe drejtova një sondazh rigoroz opinioni me 1200 të anketuar në gjithë vendin për fondacionin gjerman Konrad Adenauer Stiftung. Fokusi ishte në veçanti tek opinioni i shtresave të ndryshme të Ish-të Përndjekurve Politikë.
Nga ai sondazh rezultoi se vetëm gjysma e pasardhësve të familjeve të persekutuara gjatë regjimit komunist votuan për PD-në në zgjedhjet e 2013-ës. Gjysma tjetër ose votoi për parti të tjera ose nuk votoi fare.
Vijmë në ditët e sotme.
Në pranverë hartova dhe drejtova një sondazh rigoroz opinioni me 1100 të anketuar në gjithë vendin për fondacionin gjerman Friedrich Ebert Stiftung. Fokusi nuk ishte në veçanti tek opinioni i shtresave të ndryshme të Ish-të Përndjekurve Politikë, por kishte edhe pyetje rreth tyre.
Nga ai sondazh rezultoi se vetëm 40% e pasardhësve të familjeve të persekutuara gjatë regjimit komunist donin të votonin për PD-në në zgjedhjet e ardhshme. Pjesa tjetër ose donin të votonin për parti të tjera, ose ishin të dyzuar, ose nuk nuk donin të votonin fare.
Sa më sipër na jep idenë e një tabloje laramane për sinorin elektoral të PD-së. Në të rrinë bashkë ish-të persekutuar nga komunistët dhe ish-komunistë; përkrahës krahinorë dhe përkrahës pragmatistë; ish-zyrtarë të rënë nga kali dhe të tjerë që shpresojnë të hipin rishtas në kalë.
Sidoqoftë, pa një përkrahje masive të pasardhësve të familjeve të persekutuara gjatë regjimit komunist, PD-ja nuk ka shans t’i afrohet murit elektoral 800-mijësh të Ramës, që e ka ngritur këtu qysh kur erdhi në krye të PS-së. Për të mos folur për murin elektoral që po ndërton në emigracion…