FIFA ka mbetur 'pa gjumë' dhe në orën 05:00 të këtij mëngjesi ka shpërndarë një komunikatë zyrtare ku shpjegon se do të vijojë me procesin e konsultimit për të bindur shumicën e 211 federatave anëtare të saj që të japin të drejtën për të shitur 20 për qind të të drejtave komerciale të Kupës së Botës për meshkuj, femra dhe Klube, te kompanitë private, me këta të fundit që do përfaqësohen nga vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Pasi 55 federatat evropiane me UEFA-n në krye dolën kundër me një reagim publik duke shtuar se do të bojkotonin Kupën e Botës, si dhe kundërshtimin e shumë federatave apo konfederatave, kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, vijon me projektin e tij.

“FIFA Forward Enterprise (FFE) nuk synon të shesë futbollin apo të heqë dorë nga kontrolli i qeverisjes së tij", thotë FIFA. Reagimi erdhi pas kritikave të forta nga konfederata si UEFA dhe CONCACAF, të cilat e kundërshtuan njëzëri projektin. FIFA, e drejtuar nga Gianni Infantino deklaroi se respekton komentet dhe shqetësimet e shprehura publikisht, duke riafirmuar angazhimin për një proces konsultimi të hapur dhe demokratik.

Megjithatë, FIFA u shpreh se “informacioni i pasaktë i publikuar në media ndërpreu procesin e konsultimit” dhe theksoi se ai do të vazhdojë, në mënyrë që çdo federatë anëtare të votojë mbi bazën e fakteve. Në komunikatë nuk mungoi një thumbim i drejtpërdrejtë ndaj futbollit evropian (UEFA): “Asnjë entitet nuk mund të pretendojë se përfaqëson 211 federatat anëtare të botës”.

Sipas FIFA-s, iniciativa synon vetëm të përmirësojë menaxhimin tregtar të kompeticioneve për të gjeneruar më shumë të ardhura, të cilat më pas do të shpërndahen mes të gjitha 211 federatave anëtare. Organizata ritheksoi se krijimi i FFE do të ecë përpara vetëm nëse mbështetet nga shumica e federatave. Gjithashtu, konfirmoi se çdo federatë do të përfitojë 20 milionë dollarë nga programi “FIFA Forward” për periudhën 2027-2030, ndërsa programi shtesë “Fast Forward”, gjithashtu me vlerë 20 milionë dollarë, do të jetë vullnetar dhe do të financohet nga investitorë të jashtëm, pa cenuar kontrollin e FIFA-s.

FIFA nënvizoi se do të mbajë ekskluzivisht kontrollin mbi kalendarët, rregulloret dhe të gjitha vendimet sportive, ndërsa projekti do të zbatohet vetëm nëse miratohet nga shumica e federatave në Kongresin e ardhshëm të FIFA-s. Në deklaratë thuhet: “Askush nuk po shet futbollin. Kjo është diçka që FIFA nuk do ta konsideronte kurrë”.

Organi qeverisës i futbollit botëror shtoi se çdo federatë duhet të ketë mundësinë të shqyrtojë propozimin dhe të marrë pjesë në vendimmarrjen për të ardhmen e saj, duke e cilësuar këtë si një nga parimet demokratike të FIFA-s. Propozimi fillestar për shitjen e 20 % të të drejtave tregtare te fonde private si “Thrive Capital” shkaktoi reagime të ashpra në futbollin botëror.

Pas një mbledhjeje urgjente virtuale, 55 federatat anëtare të UEFA-s nënshkruan një deklaratë të përbashkët, duke kërcënuar se do të tërhiqnin të gjitha kombëtaret e tyre nga turnetë e FIFA-s nëse projekti i privatizimit do të vazhdonte. Edhe CONCACAF zyrtarizoi kundërshtimin e saj të plotë me një komunikatë të veçantë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:25
Goditje për planet e Infantinos, këshilltari i lartë i FIFA-s dorëhiqet për shkak të planit për të shitur aksionet e Kupës së Botës

1785504359_carloscordeiro.jpg

'Turbulencat' në FIFA po marrin përmasa edhe më të mëdha. Carlos Cordeiro, një nga këshilltarët më të afërt të presidentit Gianni Infantino, ka dhënë dorëheqjen në shenjë kundërshtimi ndaj planeve të diskutueshme të qeverisë së futbollit botëror për shitjen e aksioneve të garave të FIFA-s tek investitorët privatë.

Sipas gazetarit Ben Jacobs, i cili i referohet talkSPORT, presidenti i FIFA-s po humbet mbështetjen edhe brenda rrethit të tij më të ngushtë të bashkëpunëtorëve, ndërsa kundërshtimet ndaj projektit vazhdojnë të shtohen.

Cordeiro, ish-president i Federatës Amerikane të Futbollit dhe ish-bankier, u distancua publikisht nga iniciativa, duke e cilësuar atë të dëmshme për të ardhmen e futbollit.

"Si këshilltar i lartë i presidentit të FIFA-s, një ish-bankier dhe një tifoz i përjetshëm i futbollit, nuk mund të rri duarkryq ndërsa FIFA shqyrton shitjen e aksioneve të saj në Kupën e Botës.

Më lejoni të jem krejtësisht i qartë. Unë nuk isha i përfshirë në zhvillimin e këtij propozimi dhe e kundërshtoj kategorikisht. Ky është një biznes i keq për federatat anëtare të FIFA-s, biznes i keq për futbollin dhe biznes i keq për të ardhmen afatgjatë të lojës", deklaroi Cordeiro.

Nga ana tjetër, FIFA ka reaguar ndaj kritikave, duke mohuar se synon të shesë futbollin dhe duke theksuar se procesi është ende në fazën e konsultimeve.

Dorëheqja e Cordeiros vjen në një moment delikat për qeverisjen e futbollit botëror. Më herët, tre konfederatat më të mëdha, UEFA, CONCACAF dhe AFC, shprehën publikisht kundërshtimin e tyre ndaj planeve të propozuara, duke shtuar presionin mbi kreun e FIFA-s, Gianni Infantino.