Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka konfirmuar se do të shqyrtohet mundësia e zgjerimit të Kupës së Botës 2030 nga 48 në 64 kombëtare, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit në nivel global.

Sipas kreut të FIFA-s, një format me më shumë skuadra do t'u ofronte më shumë kombëtareve mundësinë për të ëndërruar pjesëmarrjen në turneun më të madh të futbollit, duke rritur njëkohësisht konkurrencën dhe interesin në mbarë botën.

"Këto janë të gjitha çështje që do t’i shqyrtojmë pas Kupës së Botës 2026”, tha Infantino për transmetuesin zviceran Blue Sport, kur u pyet nëse turneu mund të rritej në 64 ekipe.

"Kur organizohet një Kupë Bote, është e rëndësishme ta organizosh atë për të gjithë botën, jo vetëm për Evropën dhe Amerikën e Jugut, por në fakt për të gjithë botën. Çdo komb duhet të lejohet të ëndërrojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës.

Mund ta shihni që cilësia e ekipeve është jashtëzakonisht e lartë dhe po rritet gjithnjë e më shumë në të gjithë botën. Nëse nuk u jepni vendeve më të vogla një shans për të marrë pjesë në Kupën e Botës, ato nuk do të kenë nxitjen për të vazhduar përmirësimin", tha Infantino.

Infantino u shpreh se Kupa e Botës e parë me 48 ekipe ka qenë "një sukses i madh", duke përmendur përparimin e nëntë nga 10 ekipeve afrikane në fazat eliminatore.

"Në Kupën e Botës së fundit, kishte vetëm pesë ekipe nga Afrika", tha ai. "Kjo tregon sa e rëndësishme është të përfshihen të gjitha ekipet, t'u jepet atyre kjo mundësi për të marrë pjesë."

Megjithatë, propozimi ka ngjallur debat në botën e futbollit. Disa trajnerë dhe specialistë kanë shprehur rezerva, duke argumentuar se zgjerimi i mëtejshëm mund të ulë vlerën e fazës kualifikuese, si edhe prestigjin e vetë Kupës së Botës.

Turneu aktual është i pari në histori që zhvillohet me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve, ndërsa ideja për ta çuar numrin e ekipeve në 64 pritet të jetë një nga temat kryesore në diskutimet e FIFA-s gjatë muajve të ardhshëm.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.