Pritej e vështirë dhe ashtu ndodhi, por përballja e Milanit me Torinon përfundoi me fund të lumtur për ‘djallin’. Të besuarit e Piolit morën 3 pikët në javën e 10 të Seria A falë golit të Oliver Giroud, i cili e vulosi sfidën me rezultatin 1-0. Sulmuesi francez shënoi golin e fitores në minutën e 14, duke i siguruar të paktën edhe për një javë kryesimin e kampionatit.
‘Djalli’ është në kuotën e 28 pikëve, 3 më shumë se Napoli që ka mundësinë e rikuperimit të enjtën kur të përballet me Bologna-n. Ndërkohë sot në fushë do të zbresë Interi në transfertën e Empolit. Zikaltërit vijnë pas barazimit me Juventusin ku ndihen të vjedhur dhe sot 3 pikët janë alternativa e vetme në rast se duan të jenë konkurent për titullin e Seria A. Zikaltërit nuk kanë asnjë mungesë, por trajneri Inzaghi pritet të bëjë një sërë ndryshimesh në formacion, por t’iu dhënë pushim disa lojtarëve që janë aktivizuar më së shumti.
Sakaq Juventusi do të presë në shtëpi Sassuolon. Edhe bardhezinjtë ashtu si Interi mendojnë vetëm për fitoren, pasi kreu ka krijuar një distancë sigurie dhe çdo hap fals do ndikonte jo për mirë edhe në aspektin psikologjik.
Ndërkohë në La Liga Barcelona pas humbjes në ‘El Clasico’ luan në transfertë kundër Rajo Vallecano-s, skuadër në të cilën bën pjesë edhe mbrojtësi i kombëtares Ivan Balliu, ndërsa Reali pret në Bernabeu Osassuna-n.