Gj. e Lartë, Nishani i përgjigjet letrës
së PS-LSI: Konstatime të pavërteta

Gj. e Lartë, Nishani i përgjigjet letrës<br />së PS-LSI: Konstatime të pavërteta
TIRANE- Presidenti Bujar Nishani i është përgjigjur shkresës së Kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kreu i Shtetit në përgjigjen e tij, thekson se konstatimet në letrën e dërguar nga PS dhe LSI janë të pavërteta. Një ditë pasi Presidenti Nishani publikoi listën me 22 emrat e kandidatëve që plotësonin kriteret për anëtar të Gjykatës së Lartë, grupet parlamentare PS-LSI kanë kërkuar rihapjen e procesit të kandidimit.
 
Në letrën e bërë publike në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i Shtetit thekson se konstatimet dhe rekomandimet e bëra nga PS dhe LSI janë të pavërteta dhe kontradiktore.
 
Sipas Presidentit Nishani, praktikat e Kuvendit janë bllokuese dhe të paargumentuara ligjërisht, ndërsa shton se “puna mes dy institucioneve lë për të dëshiruar, duhet qasje e re”.
 
Në përgjigjen e Presidentit ndaj letrës së PS dhe LSI, theksohet se Parlamenti duhet të përmbushë detyrimet, dhe të mos ketë ndikim politik.
 
Ndërsa, duke u ndalur edhe tek marrja e statusit të vendit kandidat në BE, Presidenti Nishani thotë se tashme nevojitet një qasje e re në veprimtarinë parlamentare në raport me detyrimet ndaj institucioneve të tjera kushtetuese dhe të pavarura.

Letra e plotë e Kreut të Shtetit shqiptar:

Drejtuar:        Z. Gramoz Ruçi
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste (PS)

                          Z. Petrit Vasili
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)

Për dijeni:        Z. Edi Paloka
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PD)

                      Z. Shpëtim Idrizi
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Drejtësi, Integrim, Unitet (PDIU)

                      Z. Fatmir Mediu
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane (PR)

Të nderuar Kryetarë të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim,

Duke marrë shkas nga letra e dërguar nga dy kryetarët e grupeve parlamentare, të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me dekretet e Presidentit për emërimin e gjyqtarëve në vendet vakante të krijuara në Gjykatën e Lartë, detyrohem të sqaroj dhe të paraqes qëndrimin tim si President i Republikës, në funksion të veprimtarisë kushtetuese, si organ i pavarur dhe asnjanës, në raport me pushtetet e tjera, e kryesisht me atë ligjvënës.

Që në fillim dëshiroj të them se me marrjen e statusit Vend Kandidat për në Bashkimin Europian kërkohet një qasje e re në veprimtarinë parlamentare në raport me detyrimet ndaj institucioneve të tjera kushtetuese dhe të pavarura.

Në këtë konkluzion, arrij pas një analize të punës së deritanishme të bërë midis dy institucioneve tona dhe atyre të pavarura, që jo rrallë herë me keqardhje konstatoj se lënë për të dëshiruar.

Praktika të tilla, bllokuese dhe të paargumentuara ligjërisht, siç janë vendimmarrjet parlamentare për mosdhënien e pëlqimit në zgjedhjen  e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nuk janë në nderin e Parlamentit dhe as në interesin e demokracisë në vend.

Në gjykimin tim si dhe në gjykimin tonë të përbashkët, Parlamenti duhet të përmbushë detyrimet e veta në zgjedhjen e organeve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura, pavarësisht ndarjes partiake, apo interesit afatshkurtër apo afatgjatë politik.

Duke u kthyer në analizën e konstatimeve të parashtruara në letrën që më keni dërguar, më duhet të them se ato janë të pavërteta dhe të pambështetura në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës së Lartë i cili rregullon në mënyrë të qartë procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ligj i miratuar me konsesus gjithpërfshirës në Kuvend, si dhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese, tashmë të konsoliduar për ne dhe të aplikueshme për herë të parë gjatë këtij mandati presidencial.

E gjithë praktika e deritanishme e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nga Institucioni i Presidentit të Republikës, është konsideruar që në fillim dhe në mënyrë të padiskutueshme si një proçes bashkëpunimi midis Gjykatës së Lartë (me bërjen e njoftimit për vakancë), Presidentit të Republikës (me shpalljen e konkurrimit, verifikimin e dokumentacionit të konkurrentëve, publikimin e listës së kandidatëve, konsultimet me grupet parlamentare deri në dekretet e emërimit) dhe Kuvendit (nëpërmjet konsultimit dhe dhënies së pëlqimit), një tërësi proçedurash të vërtetuara dhe të njohura nga çdo deputet dhe të bëra publike për mbarë opnionin qytetar.

Nisur nga kjo logjikë e ligjës, është absurde që ju të pretendoni se Kuvendit i është hequr kompetenca për vendimmarrjen mbi dhënien e pëlqimit.

Parë me syrin e dorëzanësit të Kushtetutës dhe ligjit, në këtë proçes janë përfshirë edhe ekspertë konstitucionalistë dhe të botës akademike, të cilët me ekspertizën e tyre kanë kontribuar në vendimmarrjen për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë,  të bëra tashmë publike.

Nëse i shikojmë me vëmendje dhe krahasojmë konstatimet dhe rekomandimet tuaja, ato janë kontradiktore, pasi jo vetëm nuk mbështeten në dispozitat e ligjit mbi të cilat është zhvilluar deri tani praktika e emërimit, por dhe në pretendimin tuaj se këto dispozita janë shfuqizuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese (pa numër dhe datë), vendim për të cilin vetëm ju kishit dijeni, pasi një vendim me përmbajtje të tillë është shpallur nga Gjykata Kushtetuese vetëm ditën e djeshme, datë 7 korrik 2014 dhe mban nr. 40.

Neni 132 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë sanksionon pa asnjë mëdyshje se vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare ose në një datë tjetër, kur vetë Gjykata vendos kështu. Për sa kohë Vendimi nr 40, datë 7 korrik 2014 i Gjykatës Kushtetuese është botuar në fletoren zyrtare nr 104, datë 8 korrik 2014, dispozitat në fjalë janë shfuqizuar pikërisht sot dhe nuk mund të konsideroheshin apriori si të shfuqizuara me datë 27 qershor, data që mban letra juaj. Pra, me gjithë vullnetin maksimal për bashkëpunim luajal ato nuk mund të merreshin në konsideratë deri më sot.

Në zbatim të Ligjit Nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 8588, datë 15.3.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, si rrjedhojë e mosdhënies së pëlqimit nga Kuvendi për dy kandidaturat e emëruara me dekretet Nr. 8395 dhe Nr. 8396, datë 22 nëntor 2013, Presidenti i Republikës, më datë 21 mars 2014, njoftoi vijimin e proçedurave ligjore për emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë (proçedura të cilat ishin filluar më datë 10 tetor 2013).

Me këtë njoftim ishte përcaktuar data 4 prill si afat përfundimtar për paraqitjen e kërkesave të reja, përtej atyre të paraqitura nga personat e interesuar gjatë shpalljes së parë.

Nga data 4 prill deri më 10 prill, nga një Komision i ngritur posaçërisht, është kryer proçesi i përzgjedhjes së kandidatëve duke verifikuar vetëm kushtet e pikës 1 të nenit 3 të ligjit 151/2013.

Më datë 11 prill, ashtu si edhe në çdo rast tjetër kur janë zhvilluar proçese përzgjedhëse për anëtarët e Gjykatës së Lartë, listat janë bërë publike, çka është lehtësisht e verifikueshme në faqen web: www.president.al, por edhe duke konsultuar shtypin e ditës.

Bazuar në nenin 4/1 të Ligjit 151/2013, periudha prej datës 11 prill 2014 deri më ditën kur janë zhvilluar takimet konsultative me krerët e gupeve parlamentare, jo vetëm që nuk bie ndesh me asnjë dispozitë ligjore, po ka qenë një kohë optimale për të zhvilluar verifikimet të cilat janë të domosdoshme për të verifikuar kriteret objektive të gjithsecilit kandidat si dhe pastërtinë e figurave që konkurrojnë (pasi kjo nuk është objekt i shqyrtimit nga Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë).

Të nderuar Kryetarë të grupeve parlamentare PS, LSI,

pavarësisht qëndrimit të pajustifikuar dhe të pambështetur në ligj të deputetëve të grupeve tuaja parlamentare për të mos miratuar dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë,

pavarësisht pretendimeve të paargumentuara dhe jo të drejta të letrës suaj,

unë, si Kryetar i Shtetit Shqiptar, mbetem me besimin se në Kuvendin e Shqipërisë, do të rikthehet praktika ligjore dhe kushtetuese duke respektuar jo vetëm pushtetet dhe institucionet kushtetuese të vendit, por edhe praktikën e konsoliduar prej shumë legjislaturash të këtij Kuvendi në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Sinqerisht,

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

BUJAR NISHANI
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS