GJAKOVE - Policia Kufitare e Gjakovës ka zbuluar dhe sekuestruar një furgon me targa shqiptare, i cili po tentonte të kalonte kontrabandë në Kosovë medikamente mjekësore dhe thasë najloni, përmes kalimit të Qafës së Morinës.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare sipas të cilave, oficerët doganorë mundën të zbulonin medikamentet kontrabandë fshehura në furgonin me targa shqiptare, pas transportimit të tij në Terminalin Doganor në Prizren ku iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm.

Mësohet se pas kontrollit të imtësishëm u zbuluan dhe sekuestruan 3577 kuti me medikamente të ndryshme mjekësore, 32 kilogramë thasë najloni si dhe material izolues.

Sipas policisë kufitare, lidhur me mallrat e mësipërme nuk disponohej asnjë dokumentacion. Materialet e mësipërme i kanë kaluar Prokurorisë për procedime të mëtejshme penale.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)