Autoriteti i Konkurrencës do të kryej një studim mbi tregun e pasurive të paluajtshme, për shkak të rritjes së çmimeve të qirave dhe të shitjeve. Në një përgjigje zyrtare për Report TV, Autoriteti i Konkurrencës, pohon se gjatë këtij viti do të kryej një studim mbi faktorët që kanë sjellë këtë shtrenjtim, dhe për të parë nëse ka vend për të nisur një hetim për abuzime dhe çmime fiktive nga ndërtuesit.
Kjo lëvizje e konkurrencës vjen në kushtet kur çmimet e apartamenteve vijojnë të rriten prej vitit 2015, dhe pritshmëritë e agjencive imobiliare dhe Bankës së Shqipërisë janë për vijimin e shtrenjtimit edhe për vitet e ardhshme.
Çmimet në rritje nuk po i ndalon as nga bumi i ndërtimeve që ka përfshirë vendin. Vetëm në 5 vitet e fundit janë dhënë 5.563 leje ndërtimi në të gjithë vendin, por ndërtimet e reja vijojnë të kushtojnë çdo vit e më shumë.
Aktualisht çmimet e qirave në zonat urbane janë mbi 400 euro, ndërsa në periferi të qytetit varjojnë edhe poshtë kësaj vlere. Sa i takon shitjeve, çmimi për metër katror në qendër arrin deri në 4000 euro, ndërsa në zonat përreth në vlerat 1000-1200 euro. Kurse në periferi të Tiranës 1 metër katror mund të kushtoj 700-800 euro.
Sipas Bankës së Shqipërisë deri në qershor të 2021, çmimet e banesave u rritën me 6.7% në rang vendi krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2020. Në këto kushte ku çmimet rriten pavarësisht fluksit të ndërtimeve, dyshimet bien mbi përdorimin e parave të pista në sektor.