Arrësyet e mija përshteten në këto themele:
1. Në kohë kur Armenija e gëzote pamvarsìn e vet, ka pasë nji Urdhën kreshnikësh me emen Urdhnì i Shên Vlashit. – Kreshnikët e këtì Urdhni vesheshin me petka të vjollcëta e në parzem mbajshin nji kryq t’arët e ky xête vendin e luanit i cilli ishte armë e Armenìs.
Kreshnikët e Urdhnit të Shên Vlashit daheshin në dy rende: i pari kishte per zyre të leçitunt e të vertetave unjillore, e i dyti do të rrite gadi me armë në dorë per me u gjetë në ndimë besimit të krishtênë gjithsa herë t’a lypte nevoja. –
Historikët armen nuk dìn me na kallxue fillesën e themelimit të këtì Urdheni kreshnikësh; porse të gjith nji gojet thonë se nen mbrojtje të Shên Vlashit. Sikurse edhe mbretënija armene ka kênë nen mprojtje të këtì Shêjtit. Permbasi u shu krishtênimi i Armenìs, atbotë edhe ky Urdhën hupi. (Favin: Teatre d’Honneur et de Chevalerie. – Shif. Legrand Dicitionaire historique... par M. Luise Moreri. Paris 1743. T. II pag. 228) – Së gjindet ma me thanë nji akt qi të flasë mbi ket deshmuer, e mos t’ishte kenë se, si heret si vonë, permbas zyret e kambet zgjidhej per mprojtuer nji shêjt i cilli e deshmote e u veçote me nji shêj qysh se ishte në ket botë. Prashtu edhe Urdhni kreshnik së ka muejt me pasë per mprojtuer nji Ipeshkev, por nji deshmuer ushtar.
Ndalni turrin e sŷve e peshoni mirë ket oroe të Bolandistve mbi «Acata martyrì S. Blasì» të cillët permendin edhe nji tjeter Vlash: «Alterum Blasium exeadem Cappadocia celebrant graeci hac die (3. Februarì)». Do me thanë: Nji tjeter Vlash lusin grekët i cilli âsht prej kësaj Kapadocje, me 3. te Frorit. – Mjafton këjo per me u vertetua se paskan kênë dy Shên Vlasha, e edhe pse nuk din me na kallxue gjâ veçanërisht mbi ket të dytin Shên Vlash, mund të mbajëm sigurisht se âsht nji shêjt i veçuem prej Shên Vlashit Ipeshkev të Sebastes (Episcopus Sebastensis). Çeltas ndàn pra, se aktet e ketyne dy shêjtenve janë perzier e nderlikue nder vedi, e permbi ket edhe mâ teper na themelon puna, se kurrnji gojëdhânë së gjindet nder armen, e kurrnji historik armen nuk din me na kallxue se qysh e kûr kje themelue Urdhni kreshnik i Shên Vlashit, e në këjofët se nuk âsht kênë drejt tjeter Shên Vlash posë Shên Vlashit Ipeshkev, së ka muejt me i shkue kuej neper mend – me sa i ka shkue kuejt – se nji – Ipeshkev âsht zgjedhë per mprojtuer e Urdhnit Kreshnikesh.
2. Menologi i grekve, i shtypun në Veneci 1568, e Sinaksari (Asseman; Kolandaria utriusqye Eçiasiae.. Tom. VI – pag. 228, ad diem. 3. Febr.) flasin mbi një fugure qi ruhej në Konstantinopol; në ket fugure ishin shembllesat e pêsë deshmorve, t’Eustratit, Auksentit, Eugenit, Mandarit e Orestit, e nder këta âsht edhe Shên Vlashi, i cili kishte shkue me i pà, e me vesh kah Eustrati tuj ja veshtrue fjalen e tuj marrë nji liber prej durve të tija. Menologi grek, permbasi e kryen fjalen e vet mbi Shên Vlashin, të cillin e trimnoj i madhi deshmuer Eustrati me fuqì të fjalës së vet qi t’i nepte zêmber vedit e t’i barte mundimet per dishmi të Fès; sikurse shifet në nji fugure të vjeter, Shên Vlashi rrin ndermjet pêsë deshmorve tuj veshgjue Eustratin, i cilli i dorëzon librin e predikimeve të veta.» - Në Sinaksar gjinden këto fjalë: «thohet se ky âsht aj Blasius qi ka shkrue porosìn e mbràme të madhit deshmuer Eustratit në kohë të mundimit të tì, sikurse shifet ravisimi në nji fugure të moçme, ku Shên Vlashi rrin ndermje pêsë shêjtenve deshmorë ngjatë Eustratit, e tuj marrë prej doret të tì librin e porosive të mbràme». (Asseman: Kalend. Eçi universae, Roma, 1754. Tom. VI. p. 124.)
Në fugure të permendun së ka muejt me kênë Shên Vlashi Ipeshkev e Dëshmuer, qysh se, si Menologi si Sinaksari, diftojën dyshimin e tyne tuj thanë se «thohet» /Legetai/. – Edhe mbas fjalve të Sinaksarit e të zhvillimit qi i nep ai fugures, së kâ muejt me kênë Shên Vlashi Ipeshkev e Deshmuer qi ka marrë porosìt e Eustratit, i ka qitë në punë, si na e bân deshmì Euzebi, murgari i Sebastes, e «Aktat» e Metafrastit qi deri korpin e këtì deshmorit e ka shtî në dhè. Së besohet se Shên Vlashi Ipeshkev, i cilli kje mbëshefë per me pështue prej salvimesh, qi ka muejt me ju turrë rrezikut, të jetës deshtas, aq e mâ qi jeta e tì ishte nji mproje e madhe e Fès edhe e duheshme per me i dhanë zêmber krishtenîmit në gjendje aq të rrezikshme. – Së ka muejt me kênë Shên Vlashi Ipeshkev e Deshmuer, tuj kênë se Menologi në zhvillim të fugures thotë se Eustrati i ka dhanë zêmber Shên Vlashit qi të qindrote trimnisht per të lumen Fè, e të mos t’a kursete jeten e gjakun per tê. Se âsht nji detyrë e zyres ipeshkvinore me dhanë mësime e këshille e me trimnue të krishtenët qi të qindrojën trimnisht per tè, ket gjithkush e din, por se mbërrîn nji njeri i popullit me i dhanë zêmber Bariut të vet, Ipeshkvit të vet qi mos të ligshtohet tuj hjekë per fè, âsht nji punë qi nuk mund të na hîe në krye.
Këjo fugure na deshmon se ka kênë edhe nji Shên Vlash tjeter e deshmuer, i cili veçohet fare prej Shên Vlashit Ipeshkev e Deshmuer, edhe pase na nuk mund të mbërrim aq lètas me i dà njanin prej tjetrit.
Të permbledhunt
Prej fijeve t’enduna deri tash më bâhet sa i pershkova ndeper liq me gjith fuqitë e mendes, edhe e kjarova çâshtjen e sypermendun. Porse tuj e diejt se «Acta martyrum» të hershmet kan pasë tretë e bjerrë, e mâ vonë i kan pasë mbledhë e shkrue e mund të merret me mend se nuk do të kên mbetë pa të meta e pa e shkaktue ndo’i çatrafilim, e prandej edhe ndalimin e zhvillimit të punve si kishin me u dishirue. Mandej se janë kênë dy Shên Vlasha, njani deshmuer e tjetri Ipeshkev e Deshmuer i Sebastes, e se Akta të tyne, prej gjasimit t’emnave janë bashkue e bâ nji. Me ndimë të thanunave, davariten e lexohen të gjitha kundershtime e veshtiresìt qi gjinden nder Akta, Menologia, Sinaksarja, Martirologia, Menea etj. drejtohen, e vêhen per udhë kur t’i barasojëm njanen me tjetren. Kësaj pune kështu mund t’i dalin në krye.
1. Shên Vlashi (Blasius) deshmuer, kje mundue në Sebaste të Kapadocjes nen salvim të Licinit (prej vjetit 322). Ky salvim kje shperthye në lindje tuj e pershi edhe Kapadocjen e Armenìn, e ngjati aq, deri qi Konstantini i V e mundi Licinin në Nikomendì, ja hoq sundimin tuj e burgos në Selanik deri qi e hoq jetet. Ky Shên Vlash kje zgjidhë per mbrojtuer të gjith Armenit, e nen mproje të këtì kje themelue Urdhni i Kreshnikve i Shên Vlashit.
2. Shên Vlashi / Blasius / Deshmuer e Ipeshkev i Sebastes, ka kênë prej Sebastes gjytet të cillin e xên në gojesh Porfirogeniti (De Them. 1.2.). këjo Sebaste gjindet në Makedonì. Emni i Krahinës në të cillen gjindet Sebaste edhe sot tingllojën në gojë të Shqypëtarve edhe e thrrasin Armenija (Arbenija) e Ardeni (Arbëni). Pra me gjith arrsye thohet «Sebaste in Armenia» - (Sebaste n’Arbeni) Ky Shên Vlash âsht i cilli në kohë të salvimit të Djoklecjanit (284-305) kje shmangë e mbëshefë në mal Ardeni (në mal t’Arbenit), i cilli mal gjindet jo aq larg gjytetit të dikurshem të Sebastes. Ky e pat dhanë jeten e vet per deshmuer të Fès, në kohë të salvimit të Djoklecjanit e nen Prefektin Agrikolaun.
3. Shên Vlashi Ipeshkev e Deshmuer ka muejt fort lètas e pa rrezik të madh të jetës me i ra mrapa krishtênimit të vet, edhe pse rrite i strukun në shpellë të malit, tuj kênë se ky mal nuk ishte Argej i Kapadocjes i cilli gjindet disa qinda lidhkash larg gjytetit Sebaste (Sebastia e Kapadocjes), por ishte mali i Ardenit (Arbënit) – sikurse e thrret Sinaksari i Armenìs) e ky mal ishte ngjatë Sebastes së Porfirogenitit, qi âsht Sebaste e Armenìs (Arbënìs) së Shqypënìs.
4. Shên Vlashi deshmuer por jo Ipeshkev, shkon me pa Eustratin me kater shokë të tjerë qi gjindeshin në burg të Sebastes së Kapadocjes; dishirin e mbram të tyne e qet në punë: pasunìn e Eustratit e dàn skamnorve e Korpat e tyne i shtîn në dhè. – Këto punë ndollin nen salvim të Licinit e jo të Djoklecjanit.
5. Shên Vlashi Ipeshkev e Deshmuer derdhi gjakun e vet per Krishtin nen salvim të Djoklecjanit, i cilli salvim pershite lindjen e prendimin (Sioclecianus, Maximinus, Galerius), e jo nen salvim të Licinit, i cilli pershîte vetëm Lindjen e edhe ket jo mbarë.
6. Në këjofët se sod gjindet vorri i Shên Vlashit në Sebaste (Sebastia) të Kapadocjes, aj vorr âsht i Shên Vlashit deshmuer, mprojtori i Armenìs e i Urdhnit të Kreshnikve i themeluem dikur atje. Gojëdhâna e soçme e Shqypëtarve mbi Shên Vlashin, mbi vorrin e shprazët të t’i me mbishkrime «Hic facet corpus S. Blasì Episcopi et Martyris» e tjera, i pershtaten Shên Vlashit Ipeshkev e Deshmuer i Sebaste t’Armenìs (Arbënìs) Shqypëtare, e jo ndo’i Ipeshkvit të Sebastes së Kapadocjes.
7. Në kjofët se këndohet nder disa dokumenta se: Shên Vlashi kje mundue nen Djoklecjanin, e nder tjera nen Licinin, e n’u thashë se salvimet e Licinit ishin nji vijim i salvimeve të Djoklecjanit, janë mendimet qi nuk pajtojën kurrse, tuj kênë se i date kufîni i fort a se edikti i cilli kje miratue e nenshkrue prej Licinit e Konstantinit të Madh (313), me të cillin edikt i nepej kishës së Krishtit lirija. – Ky kundershtim mendimesh ndrejtohet në rafshin mendimet mbë nji se, Shên Vlashi Ipeshkev kje mundue nen Djoklecjanin, e Shên Vlashi Deshmuer nen Licinin.
Me kaq, besoj se i davarita kundershtimet e çatrafilimet tuj mundue me zhvillue ket të pëvetun. Po i nap fund punës tuje thanë se dy Shên Vlasha kjenë: Shên Vlashi Ipeshkev e Deshmuer, e Shên Vlashi Deshmuer.
Përgatiti për botim: Kastriot Marku.
dy.b/shqiptarja.com