Durrës u gjet sot një bombë artizanale në rrugë dhe pranë saj një telefon celular. Alarmin e dhanë banorët e lagjes nr. 3, të cilët konstatuan objektin e dyshimtë pranë disa makinave të parkuara dhe njoftuan policinë.

Report Tv solli pamjet nga objekti, i cili ngjan me një bombë artizanale. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, të cilat rrethuan zonën dhe vendosën një perimetër sigurie.

Nga ekspertimi në vendngjarje rezultoi se celulari nuk ishte i lidhur me objektin e dyshimtë dhe nuk ishte i ndezur. Xhenierët e kanë marrë objektin për ekspertizë dhe ende nuk ka një përgjigje për llojin e lëndës plasëse.

Po kështu, nuk ka të dhëna për objektivin. Paraprakisht, hetuesit dyshojnë se bomba mund të ketë rënë nga një makinë në lëvizje.

"Rreth orës 09:00, në lagjen nr. 3, është konstatuar në rrugë, një celular i lidhur me një objekt të dyshimtë.  Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet për rastin.   Janë njoftuar specialistët xhenierë, për heqjen e objektit dhe verifikimin e tij", njoftoi policia. 

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.