Humbi kontaktet më 17 maj gjendet Elderin Zamaku. Lajmin e konfirmon për emisionin ’Pa Gjurmë’ në Report TV e motra Miranda Zamaku, e cila tha se 46-vjeçari është kthyer në banesën e tij në Rrëshen mëngjesin e kësaj të mërkure rreth orës 05:00
’Vëllai ka mbërritur në Shqipëri, tashmë e kemi gjallë. Në orët e para kishte shkuar me këmbët e veta në shtëpinë tonë në Rrëshen. Është i vetëm se ne të gjithë jemi jashtë vendit. Dua t’ju falenderoj pa masë, për të gjitha çfarë bëtë’- u shpreh e emocionur motra
I riu nga Rrësheni ndodhej në fshatin Makrohori të Verias, kur humbi gjurmët më 17 maj të këtij viti. Ai takoi për herë të fundit të motrën e tij Liljanën, në shtëpinë e saj për t'i kërkuar cigare dhe më pas u largua pa lënë asnjë gjurmë. Një ditë më parë në studion e emisionit ‘Pa Gjurmë’ një dëshmitar tha gjatë transmetimit live se Elderini ishte kapur nga policia mbrëmjen e datës 23 korrik në Kapshticë dhe se ishte kthyer në Shqipëri. Përgjatë gjithë këtyre ditëve ai kishte qëndruar në qytetin e Durrësit, pa njoftuar askënd. Po sipas të njëjtës dëshmi, i riu që jetonte i vetëm ishte në një gjendje të rënduar shëndetësore. Dëshmitari premtoi se do të siguronte një foto të 46-vjeçarit. Puntatën e kësaj të mërkures fotoja e shumëpritur edhe nga familjarët që jetojnë jashtë kufijve mbërriti në redaksinë e emisionit ’Pa Gjurmë’. Në foto dukej qartë imazhi i të riut brenda banesës së tij.
Gjendja e 46-vjeçarit me probleme të shëndetit mendor, së fundmi ishte përkeqësuar edhe më shumë. Ndarja nga jeta e babait 15 vite më parë shkaktoi një dhembje të madhe tek ai, humbjen e të cilit nuk e përballoi dot. Që prej asaj kohe nisi të kurohej me ilaçe për shkak të gjendjes depresive që kaloi edhe pas ndarjes nga kjo jetë të nënës, me të cilën ishte mjaft i lidhur.