Është gjetur i pajetë në lumin Osum 30-vjeçari nga Berati, David Shehaj, i cili rezultonte i zhdukur prej datës 30 Prill. I riu, banues në lagjen “Çlirimi”, ishte larguar nga banesa disa ditë më parë, ndërsa i ati kishte bërë kallëzim në polici për humbjen e tij. Pas informacioneve të marra nga banorë të zonës, të cilët kanë deklaruar se e kishin parë 30-vjeçarin duke u hedhur në lumë, Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të repartit ushtarak në Poshnjë, nisën mëngjesin e sotëm kërkimet përgjatë rrjedhës së Osumit.

Pas disa orësh operacion kërkimi, trupi i pajetë i David Shehajt u gjet në zonën e fshatit Remanicë.  Më pas, ai u transportua drejt morgut të Spitalit Rajonal Berat, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Sipas burimeve, 30-vjeçari ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe person me precedentë penalë, pasi më herët ishte arrestuar disa herë për vjedhje.